Apeli vërteton dënimin prej 10 vjetësh burg ndaj të akuzuarit për krime lufte në Kosovë

ADM
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Tetor 10, 2019

Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 10 vjetësh burgim të shqiptuar nga shkalla e parë, ndaj të akuzuarit për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë, Skender Bislimi.

Në aktgjykimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se ankesat e mbrojtësve të të akuzuarit Bislimi, janë të pabazuara.

“Gjykata e Apelit me vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesat e mbrojtësve te akuzuarve, si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se aktgjykimi i atakuar me ankesë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale por as shkelje të tjera të cilat kjo gjykatë sipas detyrës zyrtare është e obliguar ti shqyrtojë. Kjo për faktin se gjykata ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, ka arsyetuar secilën provë veç e veç, duke i ndërlidhur me njëra tjetrën dhe duke vërtetuar një gjendje faktike te drejtë dhe te ligjshme”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 25 tetor 2018, kishte dënuar me dhjetë vjet burg të akuzuarin për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë në vitin 1999, Skender Bislimi.

Ankesat e mbrojtjes ndaj këtij aktgjykimi, Apeli i kishte shqyrtuar në seancën që ishte mbajtur më 20 gusht të vitit 2019.

Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 28 dhjetor 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bislimit të cilin e ngarkon me veprën penale “krime kundër popullatës civile” nenet 22 dhe 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht i penalizuar sipas neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se më 26 mars të vitit 1999, në Fushë Kosovë, në bashkëkryerje me të paktën dhjetë autorë tjerë të njohur dhe të panjohur, duke vepruar si pjesëtarë të forcave të armatosura serbe, Bislimi ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 cilëve, meshkuj shqiptarë të Kosovës.

Sipas aktakuzës, Bislimi ka aplikuar masat e frikësimit dhe terrorit, dhe ka kryer arrestime ilegale dhe ka marr pengje duke përfshirë këtu edhe viktimat Bujar e Haki Bajrami.

Ndryshe, Ivica Radivojeviq, ka qenë duke u hetuar së bashku me Bislimin në vitin 2012.

Pasi Radivojeviq është akuzuar e gjykuar, më 24 maj 2015, është dënuar me gjashtë vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për krime lufte në Kosovë.

Kurse, Bislimi më 9 dhjetor të vitit 2016, ishte ekstraduar nga Bosnja e Hercegovina në Kosovë. /BetimipërDrejtësi