Apeli vërteton dënimin prej 10 muajsh burg ndaj ish-zyrtarit të AKP-së që akuzohej për korrupsion

Gjykata_Apelit-620x275
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 8, 2019

 



Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ish-zyrtari i Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Taulant Tahirsylaj, ishte shpallur fajtor për vepër penale të korrupsionit.

Ai akuzohej se gjatë periudhës 13 maj 2015, e deri më 2 tetor 2015, derisa kompania NSH “Tregu”, ishte në likuidim, nga arka e kësaj kompanie ka tërhequr mjete financiare në vlerë të përgjithshme prej 11.000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 qershor 2019, e kishte shpallur atë fajtor dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 10 muajsh.

I pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë kishte qenë i dënuari Tahirsylaj, i cili brenda afatit ligjor kishte ushtruar ankesë, mbi pretendimin se mjetet i kishte marr për t’i ruajtur.

Por, ankesa e tij është refuzuar si e pabazuar, me aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të marr më 6 nëntor 2019.

Përmes aktgjykimit, Apeli ka vërtetuar dënimin prej 10 muajsh burg efektiv për të akuzuarin Tahirsylaj, duke lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndryshe, më 4 tetor, kolegji i gjyqtarëve të Apelit kishte mbajtur seancën në të cilën ishte shqyrtuar ankesa e të dënuarit Tahirsylaj.

Ankesë brenda afatit ligjor kishte ushtruar mbrojtësi i tij, avokati Behar Ejupi, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave ligjore dhe mbi bazën e vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe sanksionit penal.

Sipas mbrojtjes, Tahirsylaj nuk kishte fituar dobi pasurore dhe si rezultat i kësaj nuk ekziston vepra penale.

Sipas avokatit Ejupi, i mbrojturi i tij ishte suspenduar, prandaj edhe nuk kishte pasur mundësi që t’i kthente mjetet, dhe se të njëjtat i kishte marr vetëm për t’i ruajtur.

“Nuk është kontestuese se i ka marr paratë, por të njëjtat i ka marr për shkak të kujdesjes së tyre pasi që disa herë është thyer arka”, kishte deklaruar avokati Ejupi.

Ai i kishte gjykatës së shkallës së dytë se aktgjykimi i Themelores të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

E vet i dënuari Tahirsylaj, kishte deklaruar se ndihet i pafajshëm dhe se sipas tij, rasti kishte ndodhur me qëllim të degradimit të tij.

Ndërkaq, lidhur me pretendimet e mbrojtjes, prokuroria përmes parashtresës kishte kërkuar që ankesa e mbrojtjes të refuzohet si e pabazuar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë më 24 maj 2018, ndaj Taulant Tahirsylaj, me pretendimin se i njëjti në cilësinë e zyrtarit të operacioneve për administrimin e aseteve, në zyrën regjionale të AKP-së, gjatë periudhës 13 maj 2015 e deri më 2 tetor 2015, kishte tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit pasuror për vete.

Prokuroria pretendon se derisa kompania NSH “Tregu”, ishte në likuidim, Tahirsylaj, nga arka e kësaj kompanie ka tërhequr mjete financiare, dyshohet se më 13 korrik 2015, ka tërhequr 3.000 euro, më 31 korrik 2015, ka tërhequr 2.000 euro, më 31 gusht 2015, 3.500 euro dhe më 2 tetor 2015, pretendohet se ka tërhequr 2.500 euro, në vlerë të përgjithshme prej 11.000 euro.

Tutje, në aktakuzë theksohet se Tahirsylaj të gjitha këto mjete i ka shfrytëzuar, por më pas ato më 23 maj 2017 dhe më 1 mars 2018 i kthen nga aty ku i ka marrë më herët. /BetimipërDrejtësi