Apeli vërteton aktgjykimin refuzues ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit i akuzuar për korrupsion

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Prishtinë –  Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte marrë aktgjykim refuzues ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit, Osman Stullqaku, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi sipas kësaj gjykate kishte arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Me këtë vendim, Apeli e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, kjo gjykatë me këtë vendim i cili është marrë më 15 maj 2021, e ka hudhur si të palejuar edhe ankesën e përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, “Ndëmarrja Shkabaj” sh.p.k, Gafurr Elshani.

Me këtë vendim, Apeli ka vlerësuar se pretendimet e prokurorisë se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ndërsa gjendja faktike është vërtetuar gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë, janë të pabazuara.

Tutje, kjo gjykatë ka vlerësuar se shkalla e parë ka vendosur drejt, me rastin e marrjes së aktgjykimit refuzues, për faktin se si Themelorja ashtu edhe Apeli ka vlerësuar se në rastin konkret ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 mars 2021, ndaj zyrtarit të Komunës së Obiliqit, Osman Stullqaku i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, kishte marrë aktgjykim refuzues, pasi sipas saj ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 dhjetor 2017, Osman Stullqaku akuzohej se gjatë viteve 2009-2013, si person zyrtar në Komunën e Obiliqit, kishte shfrytëzuar dhe tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që si kryetar i Komisionit për Komasacion në këtë komunë dhe me qëllim të përfitimit, kishte vepruar në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm për komasacion, ku duke u shërbyer me vendime të viteve të 80-ta ua ka mundësuar bartjen e disa parcelave personave të ndryshëm fizik përmes procesit të komasacionit, ashtu që ka bërë tjetërsimin e disa parcelave të të dëmtuarës, të cilës në mënyrë të kundërligjshme i janë marrë 14 hektarë e 42 ari e 86 m2.

Siç thuhet në aktakuzë, me këto veprime i ishte shkaktuar dëm të dëmtuarës Ndërmarrja e Re – toka bujqësore “Shkabaj”, me bashkëpronar Besim Elshanin, në vlerë prej 620 mijë e 60 euro.

Për këtë, ai akuzohej për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë