Apeli vërteton aktgjykimin e shkallës së parë për padinë e Salih Mekajt ndaj Akademisë së Drejtësisë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

PrishtinëGjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte miratuar pjesërisht si e bazuar kërkesëpadia e ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj ndaj Akademisë së Drejtësisë, për mbrojtje të së drejtës së autorit dhe kompensim të dëmit.

Më 16 tetor 2020, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar për vendimin e shkallës së parë për këtë rast, me të cilin ishte konstatuar se e paditura-Akademia e Drejtësisë ka shkelur të drejtat morale të autorit-paditësit Salih Mekaj.

Kundër aktgjykimit të themelores, brenda afatit ligjor, ankesë kishte paraqitur i padituri, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktik dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale. Aty i ishte propozuar Apelit që të vërtetohej ankesa si e bazuar dhe të ndryshohej aktgjykimi i shkallës së parë, ashtu që të refuzohej në tërësi si a pabazuar padia e paditësit.

Megjithatë, Gjykata e Apelit ka gjetur se ankesa e të paditurit është e pabazuar.

Në vendimin e Apelit të marrë më 15 dhjetor 2021, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kjo gjykatë, si gjykatë e shkallës së dytë, e aprovon vlerësimin juridik të gjykatës së shkallës së parë si të rregullt dhe të ligjshëm, për arsye se aktgjykimi i atakuar nuk është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.

“Për shkak të zbatimit të rregullt të rregullave të procedurës kontestimore dhe për shkak të konstatimit të rregullt dhe të tërësishëm të gjendjes faktike, drejtë është zbatuar edhe e drejta materiale nga ana e gjykatës së shkallës së parë. Këto shkaqe ankimore i heton dhe vlerëson gjykata e shkallës së dytë sipas detyrës zyrtare e në bazë të nenit 194 të LPK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.

“Kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka zbatuar të drejtën materiale për shkak se me nenin 18, paragrafi 1 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta (LDADP) është përcaktuar që “Autori ka të drejtën ekskluzive të njihet dhe të shënohet si autor i veprës”. Ndërsa me nenin 181 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, në paragrafin 1, pika 1.5. përcaktohet se “Në rast të shkeljes së të drejtave ekskluzive të përcaktuara me këtë ligj, bartësi i të drejtës mund të kërkojë: “kompensim të dëmit jomaterial të shkaktuar si rezultat i shkeljes së të drejtave morale”. Në rastin konkret nga shkresat e lëndës rezulton se palët ndërgjyqëse kanë qenë në raport kontraktues, ku pala paditëse ka punuar në Doracakun e Procedurës Penale për Gjyqtar dhe se përkundër faktit ka punuar në Doracakun për Gjyqtar, atij nuk i është shënuar emri i tij si autor i materialit të cilin e ka punuar”, thuhet tutje në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, aty thuhet se Apeli për vlerësimin e bazueshmërisë së kërkesëpadisë i është referuar dispozitave të ligjit të lartpërmendur, nga të cilat thuhet se rezulton se paditësi i autor i veprës ka të drejtën ekskluzive të njihet dhe të shënohet si autor i veprës në çdo ekzemplar të botuar apo ribotuar, ndërsa e paditura ka pasur obligim ligjor që në asnjë formë mos të ndërhyjë dhe me asnjë veprim mos ta shkel të drejtën autoriale të paditësit.

“E paditura përkundër detyrimeve ligjore ka publikuar doracakun kontestues si publikim të saj, sepse në doracak shënohet: Botuar nga: Instituti Gjyqësor i Kosovës dhe Programi për Sundimin Efektiv të Ligjit i USAID-it në Kosovë. Me heqjen e emrit të autorit nga publikimi, e paditura ka shkelur të drejtën e njohjes së autorësisë së paditësit, të garantuar me nenin 18 të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, andaj konform nenit 181, paragrafi 1 pika 1.5, detyrohet ta kompensojë autorin”, thuhet në vendimin e shkallës së dytë.

Sipas vendimit, mbi këtë bazë Apeli i vlerësoi si të pabazauara pretendimet ankimore të së paditurës për mungesë legjitimiteti. Aty thuhet se bashkëpunimi i të paditurës me projekt të caktuar nuk e liron nga përgjegjësia për tu kujdesur për respektimin e të drejtave autoriale, sepse përgjegjësia për kompensimin e dëmit në rast të shkeljes së të drejtës së autorit krijohet edhe në rastet kur shkelja është bërë nga neglizhenca.

“Gjykata e Apelit vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vepruar kur ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit lidhur me kompensimin e dëmit jo material dhe shuma e gjykuar paraqet satisfaksion të mjaftueshëm për paditësin si bartës i të drejtës së autorit mbi materialin e punuar në Doracakun e Procedurës Penale. Andaj, edhe kjo gjykatë vlerëson se ekziston obligimi i të paditurës që paditësit në emër të kompensimit të dëmit jo material për shkak të shkeljes së të drejtave morale t’ia paguaj shumën për 4,000.00 euro.”, thuhet në vendim.

Në fund, thuhet se Apeli vlerëson se aktgjykimi i atakuar i gjykatës së shkallës së parë nuk ka te meta.

Ndryshe, padia në këtë rast ishte ushtruar më 11 prill 2018. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë