Apeli vërteton aktgjykimin e shkallës së parë për lirimin e ish–zyrtarit të gjendjes civile të Leposaviqit  

Gjykata e Apelit
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Shtator 15, 2020

Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Nezir Aliu.

Këtë vendim Apeli e ka marrë me 25 gusht 2020, pasi ndaj vendimit të shkallës së parë kishte bërë ankesë Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Aliu akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile kishte regjistruar NN personin, kinse Ali Sllakoviq, me shënime kinse i njëjti është banor i fshatit Rvatska, por sipas zyrtarëve të qendrës së regjistrimit në Leposaviq, një person i tillë nuk ekziston nga ky fshat me këtë emër.

Në anën tjetër, përgjigje në ankesën e prokurorisë kishte bërë mbrojtësi sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit, avokati Berat Peci, i cili kishte kundërshtuar ankesën dhe i kishte kërkuar gjykatës së Apelit që ta vërtetojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, kurse aktgjykimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Mitrovicë, PKR.nr.P.nr.37/19, idatës 22.02.2020, vërtetohet”, thuhet në dispozitivin e aktgjykimit të Apelit.

Sipas vendimit të Apelit, vendimi i shkallës së parë nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave procedurale dhe se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 22 janar 2020, e kishte liruar të pandehurin në mungesë të provave.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, aktakuzën ndaj Nezir Aliut e kishte ngritur me 28 shkurt 2019.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Aliu, akuzohej se më 13 maj 2015, në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Bistricë të Shalës së Bajgorës, kishte regjistruar NN personin, kinse Ali Sllakoviq, me shënime kinse i njëjti është banor i fshatit Rvatska, e ku nga zyrtarët e qendrës së regjistrimit në Leposaviq, një person i tillë nuk ekziston nga ky fshat me këtë emër.

Me këtë, Aliu akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë”, nga neni 422 par.1 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile në Mitrovicë, kishte falsifikuar dokumentin zyrtar, ashtu që i njëjti kishte nënshkruar dhe vulosur ekstraktin me numër personal, me kinse të dhëna të Ali Sallkoviq, e që ka rezultuar se i njëjti  me të dhëna si në këtë ekstrakt nuk figuron në Rvatska – Leposaviq.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “falsifikimi i dokumentit zyrtar”, nga neni 434 par.1 të KPRK-së, mirëpo që për këtë vepër penale ishte tërhequr nga ndjekja prokuroria në fjalën përfundimtare.