Apeli vërteton aktakuzën për korrupsion ndaj Pal Lekajt dhe dy të tjerëve

Pal Lekaj
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Mars 14, 2019

Prishtinë – Gjykata e Apelit i ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke konfirmuar kështu aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj si dhe dy të akuzuarve tjerë, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga.

Më këtë rast, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të marr me 10 janar 2019, e cila gjithashtu kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSKR), me të cilën aktakuzë, Lekaj dhe Isufi po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, kurse Hajdaraga për mashtrim në subvencione dhe shmangie nga tatimi.

“Gjykata e Apelit, njësoj si gjykata e shkallës së parë, konsideron se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hudhjen e aktakuzës dhe se  provat që i janë bashkangjitur asaj nga ana e Prokurorisë,  janë të  pranueshme. Qëndrueshmëria e tyre do të vërtetohet në seancën  e shqyrtimit kryesor, ndërsa në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata e as nga palët”, thuhet në komunikatën e Apelit.

Po ashtu, Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara edhe ankesën e prokurorisë në raport më të akuzuarit tjerë të këtij rasti Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi të cilët akuzoheshin për shkak të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, por ndaj të cilëve shkalla e parë kishte hudhur poshtë aktakuzën.

Ndryshe, në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit kishte vendosur në lidhje me ankesat e mbrojtësve në këtë rast.

Kështu, Apeli e kishte kthyer në rivendosje rastin ndaj Lekajt dhe të tjerëve për sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, për të cilën pikë, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte konfirmuar aktakuzën.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme kur e kishte konfirmuar akuzën për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ndaj të akuzuarve dhe kishte refuzuar ankesat e mbrojtësve të tyre.

Kurse, sa i përket veprës tjetër për të cilën edhe Themelorja kishte hudhur këtë pikë të aktakuzës, të njëjtën gjë e kishte vërtetuar edhe Apeli.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 24 korrik të vitit të kaluar, e kishte hudhur pjesërisht aktakuzën ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Ndaj tij, kjo gjykatë e kishte konfirmuar pjesën e aktakuzës sa i përket veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, derisa në mungesë të provave e kishte hudhur poshtë pjesën e aktakuzës për veprën penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim lidhur me subvencione, aktakuza ishte konfirmuar edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, Ismet Isufi, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Dafina Thaqi dhe Veli Hadaraga.

E njëjta gjykatë e kishte hudhur aktakuzën për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës edhe ndaj Ismet Isufit, Pashk Sylës, Bekim Sylës, Teuta Mejzinit dhe Dafina Thaqit.

Në aktvendimin e saj, të cilin e kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, Gjykata Themelore në Gjakovë kishte potencuar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) nuk e ka përcaktuar vlerën e pasurisë së përvetësuar, e as nuk ka saktësuar mënyrën e përvetësimit të kësaj pasurie nga të pandehurit.

“Në dispozitiv të aktakuzës ceket se të pandehurit në periudhën kohore 2008-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror kanë përvetësuar pasurinë e cila i’u është besuar sipas pozitës zyrtare, dhe me këtë rast është shkaktuar dëmi në vlerë prej 69.786.00 euro. Prokuroria është dashur që ta përcaktoj vlerën e saktë të asaj pasurie të përvetësuar dhe të saktësoi mënyrën e përvetësimit nga të pandehurit” thuhej në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Po ashtu thuhej se prokuroria ka dështuar të argumentojë me prova materiale se të pandehurit Pal Lekaj, Ismet Isufi, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi kanë përvetësuar pasuri të luajtshme.

Kjo pasi që, sipas gjykatës, nga  provat që gjenden në shkresat e lëndës dhe nga zbatimi i masave të fshehta gjatë procedurës së hetuesisë, nuk janë siguruar prova se në xhirollogaritë personale të të pandehurve ka ndonjë të hyrë të dyshimtë.

“Andaj në rastin konkret, mungon elementi kyç i figurës së veprës penale të përvetësimit në detyrë, e që është përvetësimi i kundërligjshëm i dobisë pasurore” thuhej në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë.

Sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, sipas aktvendimit, gjykata  pajtohet me qëndrimin e prokurorit se provat e paraqitura nga prokuroria janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit Pal Lekaj, Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi në vazhdimësi kanë kryer atë vepër.

Sipas gjykatës, po ashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë edhe ndaj të pandehurit Veli Hadaraga se i njëjti ka kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencione dhe veprën penale të shmangies nga tatimi.

Tutje, gjykata theksonte se pretendimet e mbrojtësve se vepra penale e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar ka arritur parashkrimin nuk qëndrojnë, pasi rasti është kryer në vazhdimësi nga viti 2008 deri më 2014, ndërsa prokuroria aktvendimin për fillimin e hetimeve e ka marrë me 12 prill 2016.

Ish-kreu i Komunës së Gjakovës dhe aktualisht ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 31 maj të vitit 2018, kurse më 3 janar të vitit 2019, kishin kërkuar hudhjen e kësaj aktakuze.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Ndërsa, të pandehurit Pashk Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini dhe Dafina Thaqi, akuzohen se duke e qenë në cilësinë e kryetarëve dhe anëtarëve të komisioneve për mbikëqyrjen e shpërndarjes së subvencioneve, kanë përpiluar raporte se kinse shpërndarje në teren e subvencioneve është bërë ashtu siç duhet, megjithëse rreth 40% e aplikuesve nuk kanë pranuar subvencionet.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë.

I akuzuari Hajdaraga, përveç veprës penale të mashtrimit me subvencione, akuzohet edhe për shmangie të tatimit në shumë prej rreth 35 mijë eurosh, sepse sipas prokurorisë, ai me qëllim të shmangies së pagesave të tatimit, ka deklaruar të ardhura më të vogla se ato në realitet për kompaninë e tij, “UNION-VL”.

Prokuroria Speciale në aktakuzë ka treguar se numri i fermerëve që është dashur të intervistoheshin është mbi tre mijë, andaj me një numër të të intervistuarve është fituar trendi se 40% e përfituesve të subvencioneve nuk i kanë pranuar fare ato.

Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.