Apeli vendos që zyrtarët Komunës së Prishtinës të rigjykohen rreth akuzave për korrupsion

Gjykata_Apelit-620x275
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 2, 2019

 


Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, të akuzuar për keqpërdorim detyre.

Në këtë rast, për veprën penale të mashtrimit akuzohet edhe Naim Dushku.

Ata akuzohen se duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kishin shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 shkurt 2019, në mungesë të provave i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre, zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani.

Ndërsa, e kishte shpallur fajtor për veprën penale të mashtrimit, Naim Dushkun, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej dy vjetësh dhe dënim me gjobë, në shumë prej 3000 euro.

Në aktvendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se janë të bazuara pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prishtinë lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, nga arsyeja se përkundër se gjykata e shkallës së parë ka administruar të gjitha provat, të njëjtat nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.

“Sipas Gjykatës së Apelit të Kosovës gjykata e shkallës së parë përkundër administrimit të këtyre provave si dhe deklaratave të akuzuarve Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi, Doruntina Peçani të dhëna në prokurori, ku kanë pranuar se kanë ndërmarrë veprime për regjistrimin e paluajtshmërisë në emër të Naim Dushkut, e në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, mirëpo gjykata e shkallës së parë nuk e ka vërtetuar faktin se këta të akuzuar, si zyrtarë kompetent, a e kanë ditur saktë përmbajtjen e kontratës,  sepse nga kjo kontratë qartë rezulton se Mehmet Dushku një pjesë të pronës së tij ia ka lënë edhe djalit tjetër, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, fakte këto që drejtpërsëdrejti ndikojnë edhe në vërtetimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarve të përmendur.” thuhet në aktvendimin e Apelit.

Aty thuhet se nga aktgjykimi i atakuar nuk dihet se cila është gjendja faktike dhe se gjykata e shkallës së parë vetëm ka numëruar provat materiale një nga një, mirëpo nuk ka bërë analizimin e tyre, e që sipas Apelit, aktgjykimin e tillë e bën jo të plotë.

Ndryshe, në seancën e mbajtur më 6 nëntor 2019, ishin shqyrtuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ankesa e mbrojtësit të të dënuarit me Naim Dushku, avokatit Ramiz Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar nga Gjykata e Apelit dënimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani.

Gjithashtu, kjo prokurori kishte kërkuar ashpërsimin e dënimit me burg prej dy vjetësh të shqiptuar ndaj të akuzuarit për mashtrim, Naim Dushku.

Kjo pasi që sipas prokurorisë, gjatë shqyrtimit kishte arritur të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për te cilën janë akuzuar.

Prokuroria kishte propozuar që aktgjykimi shkallës së parë të ndryshohet sa i përket pjesës liruese dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë, apo çështja të kthehet në rigjykim, derisa kjo prokurori ka kërkuar që ndaj të dënuarit Naim Dushku, të ashpërsohet dënimi, pasi që dënimi shqiptuar nga shkalla e parë është shumë i ulët.

I pakënaqur me vendimin e shkallës së parë kishte qenë edhe i dënuari Dushku, i cili përmes mbrojtësit të tij, avokatit Ramiz Krasniqi, ka kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Ai kishte atakuar vendimin e shkallës së parë mbi të gjitha bazat ligjore, me pretendimin se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale, pasi që sipas tij, dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm, kundërthënës dhe në të nuk janë paraqitur arsyet lidhur e faktet vendimtare.

Krasniqi pretendonte se me aktgjykimin e shkallës së parë nuk dihet cila është gjendja faktike dhe se me administrimin e provave nuk është vërtetuar gjendja faktike, andaj këto sipas tij, e bëjnë këtë aktgjykim të paligjshëm.

Ai kishte thënë se lidhur me këtë çështje është duke u zhvilluar procedurë kontestimore, duke shtuar se i mbrojturi i tij, asnjëherë nuk e ka kontestuar pronësinë e vëllait të tij, në pronën në fjalë.

“Gabimisht zyrtarët e Kadastrit kanë regjistruar pronën e tij në emër të Naimit”, thotë në ankesën e tij, avokati Krasniqi.

E gjatë seancës, Krasniqi kishte thënë se aktgjykimi duhet të prishet, sepse është i paqartë dhe kundërthënës.

“Në aktgjykim thuhet se Naim Dushku e ka regjistru pronën, Naimi nuk e ka regjistru pronën, pronën e kanë regjistru personat që kanë qenë të akuzuar, Naimi e ka bo një kërkesë e ka dorëzu kontratën e babës së tij dhe ka kërku regjistrimin e pronës së lënë nga babai i tij, Naimi nuk  ka thonë që prona e vllaut tij të regjistrohet në emër të tij” kishte thënë  Krasniqi gjatë seancës së mbajtur më 6 nëntor.

Prokuroria e Apelit, kishte propozuar që ankesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të aprovohet si e pabazuar, ndërsa ankesa e mbrojtësit të Naim Dushku të refuzohet si e pabazuar.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 shkurt kishte  liruar nga akuza zyrtarët e Komunës së Prishtinës, Shiqeri Spahiu, Ramush Thaqi dhe Doruntina Peqani, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica, me rastin e shpalljes së aktgjykimit ka deklaruar se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq, kjo gjykatë të akuzuarin për mashtrim, Naim Dushku, e ka dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe tremijë euro gjobë.

Sipas gjykatëses Krasniqi- Jashanica është vërtetuar pa mëdyshje se Dushku ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Pala e dëmtuar që në këtë rast është vëllai i tanimë të dënuarit Dushku, Pajazit Dushku ishte udhëzuar në kontest civil.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, së ngritur më 14 dhjetor 2017, të akuzuarit Shiqeri Spahiu, Ramadan Thaqi dhe Doruntina Peqani duke qenë në cilësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kanë shfrytëzuar pozitën apo autoritetin zyrtar me qëllim që t’i sjellin përfitim pasuror të pandehurit Naim Dushku.

Në bazë të kontratës mbi mbajtjen e përjetshme, tani i ndjeri Mehmet Dushku, i kishte lënë trashëgimi djemve të tij, të pandehurit Naim Dushku, tani të dëmtuarit Pajazit Dushku, një pronë të paluajtshme në ngastrën kadastrale prej 612 metra katrorë.

Të akuzuarit Spahiu, Thaqi dhe Peqani duke u thirrur në kontratën mbi mbajtjen e përjetshme të lidhur në mes të ndjerit Mehmet Dushkut dhe të pandehurit Naim Dushku kanë regjistruar dhe evidentuar këtë pronë në regjistrin kadastral të Komunës së Prishtinës, në emër të të pandehurit Naim Dushku.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës Spahiu, Thaqi dhe Peqani, kanë nxjerrë aktvendim, më 05 nëntor 2013, për aprovimin e kërkesës së Naim Dushkut për bartjen e pronës së paluajtshme prej 612 metra katrorë

Të akuzuarit, e lartpërmendur sipas prokurorisë i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarit Pajazit Dushku në vlerë prej 500.000 euro.

Kurse, i pandehuri Naim Dushku, sipas aktakuzës, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm ka regjistruar pronën në regjistrat e Drejtorisë Kadastrale në Komunën e Prishtinës, duke u thirrur në kontratën e lartpërmendur dhe duke mos i treguar vëllait të tij, Pajazit Dushku. /BetimipërDrejtësi