Apeli shqyrton për të tretën herë ankesat e palëve lidhur me vrasjen e vitit 2006

Lavdim Bajraktari - Rasti Kreshnik Haxhijaj - 11.04.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Prill 11, 2019

Prishtinë – Kur janë bërë afër 13 vjet që nga vrasja e Jakup Osmanajt dhe plagosja e Ali Bicajt, gjykatat në Kosovë nuk i kanë dhënë epilog final fajësisë apo pafajësisë së personit që po akuzohet se ka kryer këto vepra, Kreshnik Haxhijaj.

Konkretisht, të enjten, rreth katër muaj pa u bërë 13 vjet nga ngjarja, Gjykata e Apelit ka shqyrtuar për herën e tretë, ankesat e Prokurorisë Themelore në Pejë si dhe ankesat e të akuzuarit Haxhijaj dhe mbrojtësit të tij, avokatit Isa Osdautaj të ushtruara ndaj aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Pejë, më 23 nëntor 2018, të akuzuarin Haxhijaj e kishte shpallur fajtor për vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë vjet.

Në këtë dënim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 prilli 2014 deri më 3 mars 2015 si dhe prej 7 maj 2018 e tutje.

Lidhur më këtë vrasje, i akuzuari Haxhijaj ishte liruar nga aktakuza dy herë dhe atë nga ish-Gjykata e Qarkut më 2007 dhe nga Gjykata Themelore në Pejë në vitin 2015, sipas të cilave, i akuzuari kishte vepruar në rrethana të mbrojtjes së nevojshme kur kishte kryer vrasjen e viktimës Osmanaj, duke e përjashtuar nga përgjegjësia penale.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 19 qershor 2016, kishte miratuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

E pakënaqur edhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës në Pejë, prokuroria është ankuar sërish në Apel, duke pretenduar se ri cilësimi i veprës penale të cilën e kishte bërë gjykata e shkallës së parë për të akuzuarin, nga vrasje e rëndë në vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, nuk ka qenë i drejtë.

Sipas ankesës së prokurorisë, deri te një ri cilësim i tillë, i gabuar sipas tyre,  ka ardhur pasi që shkalla e parë gabimisht e ka vërtetuar gjendjen faktike, pasi sipas ankesës, nga deklaratat e të dëmtuarve shihet qartë se ka kanë shkuar predhat dhe si ka qenë vendi i ngjarjes.

 

Po ashtu, sipas ankesës së prokurorisë, edhe dënimi i shqiptuar ndaj Haxhijajt është i butë, prandaj, organi i akuzës i ka propozuar Apelit që ndaj tij të shqipton një dënim më të ashpër.

Në anën tjetër, ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka ushtruar edhe i akuzuari Haxhijaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Isa Osdautaj.

Me ankesat e tyre i kanë propozuar Apelit që të akuzuarin Haxhijaj ta lirojë nga akuzat.

“Në shqyrtimin e tretë më radhë në mënyrë decivize janë shqyrtuar disa dilema që në dy shqyrtimet paraprake nuk janë parë. Me rasti ne daljes në vendshiqim është vërtetuar se ku ka qenë pozita e tani të akuzuarit dhe ku ka qenë pozita e tani të ndjerit, kush e kon e ndjek dhe kush kujt i ka vu barriera në rrugë e kush ka fillu me shtënë”, tha në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, avokati Osdautaj.

Këto rrethana, vazhdoi Osdautaj, i ka sqaruar edhe dëshmitari Gani Leskova në mënyrë shumë të qartë.

Po ashtu, avokati tha se është e habitshme fakti se si eksperti që ishte dëgjuar në gjykimin në shkallën e parë, kur ishte pyetur se a është godit viktima nga predha e armës që e ka poseduar i akuzuari, i njëjti ishte përgjigjur se nuk kanë bërë ekspertizë për këtë.

“Pra, ai ka thënë nuk kemi bo ekspertizë për tani të ndjerin Ali Bicaj. As sot nuk e kom të qartë se nuk kom qenë në shqyrtimet paraprake, se nga cila armë është privu nga jeta s’pari Osmani dhe nga cila armë është plagosur Ali Bicaj”, tha Dauti.

Pasi që të analizohen të gjitha këto rrethana, avokati tha se dilet në përfundim se nuk ka pas tejkalim të mbrojtjes andaj i njëjti i propozoi kolegjit të Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza si dhe t’i ndërpres masën e paraburgimit.

Vet i akuzuari Haxhijaj, tha se në kohën kur kishte ndodhur ngjarja e përshkruar në aktakuzë i kishte pasur vetëm 19 vjet, duke thënë se që 13 vjet është duke u “bedatur” nëpër gjykime e burgime.

Haxhijaj tha se si baba i dy fëmijëve, krejt kjo ngjarje, ia ka shkatërruar edhe familjen për çka i njëjti e luti kolegjin që të merr siç tha ai, vendim të drejtë dhe ta lirojë nga akuza në mënyrë që ta lejojë të shkojë të fëmijët e tij.

Po ashtu, Haxhijaj tha se tek në seancën e së mërkurës është njoftuar se ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë ka ushtruar edhe prokuroria, mirëpo, i njëjti pranoi që seanca të mbahet përkundër faktit se nuk ishte njoftuar më herët në lidhje me ankesën e prokurorisë.

E këtë ankesë të prokurorisë, tha se e ka pranuar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Isa Osdautaj.

Lidhur me ankesat e palëve është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të aprovon si të bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, kurse të refuzojë si të pabazuara ankesat e mbrojtësit dhe të akuzuarit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Kreshnik Haxhijaj akuzohet se më 20 gusht 2006, rreth orës 5:45, në fshatin Bajle të Komunës së Istogut, në udhëkryqin rrugor Banjë-Istog-Pejë, më dashje dhe për motive të ulëta, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Jakup Osmanaj, si dhe ka plagosur të dëmtuarin Ali Bicaj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhijaj derisa ishte duke pritur në pusin ku ishte i vendosur së bashku me të pandehurin Ardian Kolmaka, në orët e vona të 19 gushtit 2006, për kryerjen e një vrasje tjetër, ka ardhur deri te një fjalosje mes tij dhe viktimës, ku pas asaj zënke mes tyre ka pasur një shkëmbim me armë zjarri, viktima është qëlluar dy herë, një herë në kokë dhe një herë në kraharor, i cili nga plagët e marra ka vdekur.

Tutje sipas aktakuzës, plagë trupore ka pësuar i dëmtuari Ali Bicaj, i cili gjatë atij shkëmbimi të zjarrit, nga ana e të pandehurit është qëlluar me një predhë në krahun e majtë.

Lidhur me këtë çështje penale, vetëm për të akuzuarin Kreshnik Haxhijaj, dhe atë për dispozitivin e dytë të aktakuzës, Gjykata Themelore në Pejë, më 3 mars 2015, ka shpallur aktgjykim lirues, për faktin se ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata ka konstatuar se dhuna e përdorur nga Kreshnik Haxhijaj, nuk ishte në disproporcion me shkallën e rrezikut që paraqitej nga Jakup Osmanaj dhe prandaj ai nuk mund të gjendet fajtor për akuzën kundër tij.

Po ashtu, i akuzuari Kreshnik Haxhijaj ishte liruar nga akuzat edhe më parë, nga ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 18 dhjetor 2007, për veprat penalë vrasje e rëndë dhe veprën penale bashkim kriminal për të kryer veprën e vrasjes së rëndë.

Lidhur me aktgjykimin lirues, Gjykata e Apelit më 19 qershor 2016, ka miratuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i nxjerr më shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 pika 6 dhe 7, që ndërlidhen me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.//Betimipërdrejtësi