Apeli shqyrton ankesën e të dënuarit për prodhim dhe përpunim të narkotikëve

Lavdim Bajraktari - Rasti Nuhi Salihu - 10.10.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Të mërkurën, një kolegj i Gjykatës së Apelit ka shqyrtuar ankesën e mbrojtësit të të dënuarit për kultivim të narkotikëve, Nuhi Salihu, të ushtruar ndaj aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në korrik të këtij viti, të akuzuarin Salihu e kishte shpallur fajtor për veprën në fjalë dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej një viti si dhe gjobë në lartësi prej 300 euro.

Po ashtu, të njëjtit i ishte konfiskuar edhe sasia prej 50.21 gramë të narkotikut të llojit marihuanë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Salihut ishte bërë pasi që ai në shqyrtimin fillestar të 10 majit 2018, e kishte pranuar fajësinë për veprën për të cilën akuzohej.

Mirëpo, sipas ankesës së mbrojtësit të Salihut, avokatit Xhemajl Isufi, gjykata e shkallës së parë ka pasur mundësi që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë edhe një dënim më të butë.

Kjo, pasi sipas avokatit Isufi, tek i mbrojturi i tij ekzistojnë disa rrethana lehtësuese, disa prej të cilave edhe janë marrë parasysh nga gjykata, kurse disa të tjera jo.

Rrethana të tilla të cilat theksohen në ankesën e mbrojtësit, janë, mosha e re e të akuzuarit, gjendja ekonomike, pendesa e shfaqur, si dhe bashkëpunimi me gjykatën, prokurorinë dhe policinë.

“I mbrojturi im ka pranuar fajësinë, kërkojmë nga ky kolegj që duke marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese t’i zbutet dënimi. Është hera e parë që ka rënë ndesh me ligjin, prej asaj kohe nuk ka rënë më ndesh me ligjin, tash disa muaj ka filluar edhe të punojë”, deklaroi avokati Isufi.

Duke u nisur nga këto rrethana të cilat i përmendi, avokati Isufi i propozoi kolegjit të Apelit, që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptohet një dënim në minimumin e paraparë ligjor, e me të cilin, sipas avokatit, do të arrihej qëllimi i dënimi.

Vet i akuzuari Salihu, ishte i shkurtë në deklarimin e tij, duke thënë se është penduar dhe nuk do të përsërit veprën.

“Jam pendu, nuk e boj mo”, tha Salihu.

Në anën tjetër, vërtetimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe refuzimin e ankesës së mbrojtësit, i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë, Prokuroria e Apelit.

Nuhi Salihu, akuzohet se, në muajt mars dhe prill 2014, në oborrin e shtëpisë së tij në Vushtrri, pa autorizim kishte kultivuar narkotikë, ashtu që kishte mbjell 19 bimë të llojit kanabis, e të cilat ishin gjetur dhe konfiskuar nga Policia e Kosovës, më 24 gusht të atij viti, ku pas matjeve të bërë, kishte rezultuar se bëhet fjalë, për 50.21 gramë marihuanë.