Apeli shqyrton ankesën e të dënuarit me mbi tre vjet burg për korrupsion

Rasti Srboljub Dimitrijeviq - 15.10.2020
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 15, 2020

Prishtinë – Në Gjykatën e Apelit, këtë të enjte u shqyrtua ankesa e mbrojtjes së të dënuarit për korrupsion, Srboljub Dimitrijeviq.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 9 mars 2020, e kishte shpallur fajtor Dimitrijeviq për veprën penale të përvetësimit në detyrë. Të njëjtin, gjykata e shkallës së parë e ka dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burg dhe 1000 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, Dimitrijeviq është obliguar nga shkalla e parë që brenda 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, të  kompensojë të dëmtuarin në shumën prej 273,107.39 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pakënaqur me këtë aktgjykim, Dimitrijeviq, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Kapllan Baruti, është ankuar në Gjykatën e Apelit.

Sipas ankesës së avokatit tashmë të ndjerë, Kapllan Baruti, të cilën e referojë gjyqtari raportues për këtë rast, Driton Muharremi, aktgjykimi i shkallës së parë është atakuar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas ankesës, aktgjykimi nuk është përpiluar sipas dispozitave ligjore të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovë.

Po ashtu, sipas mbrojtjes, as gjendja faktike në këtë rast nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, çka ka sjellë si pasojë edhe shkeljen e ligjin penal në këtë rast.

Duke u bazuar në të gjitha këto shkelje të pretenduara, mbrojtësi i tanishëm i të akuzuarit Miro Deleviq, i cili ishte në seancë, i ka propozuar Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza apo që rastin ta kthej në rigjykim. Si mundësi të tretë, mbrojtja i ka propozuar kolegjit të shkallës së dytë, që ndaj të akuzuarit të shqiptojë një dënim sa më të butë.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzon ankesën e mbrojtjes kurse aktgjykimin e Themelores ta vërtetojë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 26 mars 2019, Srboljub Dimitrijeviq, po akuzohet se në periudhën kohore 1 janar 2005, e deri më 31 dhjetor 2015, në cilësinë e shefit të kontabilitetit në “Auto moto drushtvo” dhe “Auto moto Remont” në Mitrovicë, e cila është regjistruar së pari te UNMIK-u, e pastaj edhe të Agjencia e Kosovës për Regjistrimin e Bizneseve “Auto moto drushtvo” Mitrovicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës.

Bazuar në aktakuzë, rasti ka ndodhur në atë mënyrë që duke mos regjistruar në evidencat e kontabilitetit kthimin e akontacioneve (paradhënieve të punëtoreve), duke tërhequr para kesh nga banka dhe të njëjtat nuk janë regjistruar fare në evidencën e kontabilitetit, duke mos dorëzuar pazarin ditor në llogarinë bankare të kompanisë, e duke mos i regjistruar në evidencat e kontabilitetit paratë e kthyera nga personat që kishin huazuar para nga kompania, ka përvetësuar të holla në shumë prej 273.107.39 euro.

Me këtë, organi i akuzës e ngarkon me veprën penale “përvetësimi në detyrë”, nga neni 425, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK. /BetimipërDrejtësi