Apeli shqyrton ankesën e prokurorisë për dënim më të lartë ndaj të dënuarit për kultivim të kanabisit

Raportojnë: Ramiz DURMISHI dhe Blerta BARKU

Prishtinë – Në Gjykatën e Apelit, të mërkurën u mbajt seanca për shqyrtimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në rastin kundër të dënuarit V.A, për mbjelljen e tri bimëve të kanabisit.

Më 19 mars 2021, Gjykata e Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor të akuzuarin A. dhe kishte dënuar me 6 muaj burgim me kusht për dy vjet, pasi i njëjti paraprakisht e kishte pranuar fajësinë para kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, kishte parashtruar ankesë lidhur me vendimin mbi dënim, duke kërkuar që aktgjykimi i atakuar të ndryshohet dhe të dënuarit t’i shqiptohet dënim me burg efektiv.

Në fillim te seancës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xhevdet Abazi deklaroi se edhe pse palët ishin ftuar në mënyrë të rregullt, të njëjtit nuk ishin të pranishëm në seancë.

Ne këto rrethana, kolegji mbajti seancën për shqyrtimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, pa prezencën e palëve.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 26 janar 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj V.A, të cilin e ngarkonte se prej datës së pacaktuar e deri më 3 korrik 2020, në serën e oborrit e shtëpisë së tij e cila gjendet në fshatin “Kqiq i Madh”, Komuna e Mitrovicës, pa autorizim kishte kultivuar substancat apo preparate që janë shpallë si narkotikë ose si substanca psikotrope.

Tutje thuhet se pas marrjes së informatave nga ana e policisë më 3 korrik dhe pas kontrollit nga ana policisë në oborrin e shtëpisë së tij, gjegjësisht në serën e cila gjendet në oborr i janë gjetur të mbjella tri bimë narkotike të llojit “kanabis – sativa”, më gjatësi 0.51m deri në 0.74m, të cilat bimë iu kanë shkatërruar nga ana e policisë.

Më këtë, V.A akuzohej se ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272, paragrafi.1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë