Apeli shqyrton ankesat e të dënuarve për mashtrim të qytetarëve me viza Gjermane në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave

IMG_0316
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 22, 2020

Prishtinë – Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, të mërkurën ka shqyrtuar ankesat në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave, ku Flamur Hoxhaj dhe Besim Rexhaj akuzohen se kishin mashtruar qytetarët me viza Gjermane.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë Gjykata Themelore në Prizren ata i kishte shpallur fajtor, ashtu që i akuzuari Flamur Hoxha ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, ndërkaq Besim Rexhaj ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Në këtë rast i akuzuar për falsifikim ishte edhe Veprim Rexhepi, i cili ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.

Të pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë kishin qenë Hoxha dhe Rexhaj, të cilët përmes mbrojtësve të tyre kishin ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Ruzhdi Gashi kishte ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore.

Ai kishte propozuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim, apo aktgjykimi të ndryshohet përkitazi me vendimin mbi dënimin, pasi që sipas tij dënimi i shqiptuar është shumë i lartë.

Ai po ashtu përmes ankesës kishte kundërshtuar edhe vendimin për konfiskimin e pasurisë për të akuzuarin Hoxha.

Por, avokati Gashi nuk u paraqit për seancë duke e njoftuar gjykatën për mos ardhjen e tij në orën 10:00, pra kur edhe pritej të niste seanca.

Për këtë Kryetari i Kolegjit, gjykatësi Burim Ademi njoftoi palët se seanca do të shtyhet për disa minuta për shkak të papërgjegjësisë së avokatit Gashi, derisa të akuzuarit Flamur Hoxha ti sigurohet një mbrojtës për vazhdimin e seancës.

Gjykata ex- officio angazhoi avokaten Lendita Keqekolla e cila e përfaqësoi të akuzuarin Hoxha për këtë seancë të Apelit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Rexhaj, avokati Miftar Qelaj po ashtu kishte ushtruar ankesë mbi të gjitha bazat ankimore.

Me propozimin që lënda të kthehet në rigjykim dhe aktgjykimi i shkallës së parë të anulohet.

Gjatë kësaj seance u dëgjuan 95 të dëmtuar lidhur me kërkesën pasurore juridike.

Si masë preventive ndaj përhapjes së Covid 19, gjykata e organizoi seancën në atë mënyrë që të dëmtuarit nuk u paraqitën njëherit në seancë por me radhë në grupe për aq sa kishte kapacitet salla e gjykatës.

Arsyen e caktimit të kësaj seance në këto kushte gjykatësi Ademi e arsyetoi me vendimin e Gjykatës për mbajtjen e seancave me prioritet e çka sipas tij të akuzuarit në këtë rast gjenden nën masën e paraburgimit si dhe çështja penale ka të bëj me koksifikim të pasurisë.

Ndryshe Gjykata Themelore në Prizren më 9 janar 2020 kisshte shpallur aktgjykimin me të cilin ish-drejtori ekzekutiv i shkollës “DBBS” në Prizren, Flamur Hoxha, ishte dënuar me gjashtë vjet burg dhe 21 mijë euro gjobë, pasi është shpallur fajtor se ka mashtruar qytetarët për viza pune në Gjermani.

I akuzuari tjetër, Besim Rexhaj, ishte dënuar me katër vjet burgim dhe me 12 mijë euro gjobë.

Ndërsa, Veprim Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hoxha dhe Rexhaj, akuzohen se në bashkëkryerje kanë mashtruar një numër të madh të qytetarëve, nga të cilët kanë marrë para prej 2500-3000 euro, kinse do t’i punësojnë në Gjermani, e më pas duke keqpërdorur në forma të ndryshme me fondet në fjalë.

Kurse, Veprim Rexhepi akuzohet se me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Ndaj të akuzuarit Flamur Hoxha, ishte shpallur edhe aktgjykim plotësues, konfiskimi i pasurisë, konkretisht një shtëpi, një veturë “BMË X5”, si dhe një “Audi”, kurse të akuzuarit Rexhaj, i ishte konfiskuar një banesë me garazh, si dhe një veturë e tipit “Polo”.

Gjithashtu, ata ishin obliguar që 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, t’i kompensojnë të dëmtuarit.

Ky ka qenë rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale (PSRK), të ngritur më 20 gusht 2018, me të cilën Flamur Hoxha dhe Besim Rexhaj, akuzohen se në periudhën 2016-2017, megjithëse e kanë ditur se të ardhurat burojnë nga aktivitete kriminale, kanë pranuar para nga qindra persona të dëmtuar, saktësisht 489 persona, me arsyetimin se do t’i punësojnë në Gjermani.

Sipas aktakuzës, Hoxha dhe Rexhaj, nga të dëmtuarit e njëjtë i kanë marrë nga 2500 – 3000 euro, të cilët fare nuk i kanë dërguar në Gjermani, duke fshehur fondet në fjalë e më pas të njëjtat fonde duke i transferuar tek persona tjerë, me këto veprime kanë përvetësuar shumën prej 1.220.175.00 euro, nga të cilat kanë bërë shpëlarjen e parave në shumën prej 1.068.775.00 euro.

Me këtë, në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, akuzohen se kanë kryer veprën penale “shpëlarje parash”, nga neni 308 i Kodit Penal të RKS, si dhe neni 32 parag 2. nën parag 2.1 dhe 2.2 i Ligjit mbi Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimin e Terrorizmit, lidhur me nenin 81 dhe 31 të Kodit Penal të RKS.

Sipas aktakuzës, të njëjtit akuzohen edhe për veprën penale të mashtrimit, nga neni 335, dhe atë të falsifikimit të dokumenteve nga neni 399, si dhe Shmangie nga Tatimi nga neni 313 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kurse, Veprim Rexhepi, akuzohet se në periudhën 2016-2017, me anë të falsifikimit, ka nënshkruar rreth 400 kontrata pune për në shtetin e Gjermanisë, pa qenë i autorizuar fare nga personat përgjegjës, në emër të të cilëve janë lëshuar këto kontrata.

Me këtë, ai akuzohet për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, nga neni 398, paragrafi 1 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi