Apeli shqyrton ankesat e palëve në rastin ku u godit me grushte për vdekje një person me aftësi të veçanta

Raporton: Berna RRUSTOLLI dhe Flamur KABASHI

Prishtië – Gjykata e Apelit, të enjten, ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë, mbrojtjes së palës së dëmtuar avokates Fehmije Bytyqi dhe mbrojtjes së të akuzuarit Bujar Shahini, avokatit Avni Ibrahimi dhe mbrojtësit të akuzuarit Jeton Nuredini, avokates Zejnepe Zenuni.

Gjykata Themelore në Ferizaj kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Bujar Shahini, se goditi me grushte për vdekje një person me aftësi të veçanta, duke e dënuar me 6 vite burgim, kurse Jeton Nuredinin e kishte dënuar me 6 muaj burgim për mos lajmërim të veprës penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesat kundër këtij aktgjykimi i ka shqyrtuar kolegji i përbërë nga gjykatësja Afërdita Bytyqi (kryetare), Tomka Berisha (gjykatëse referuese) dhe Tomislav Petroviq (anëtar).

Kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar ankesë Prokuroria Themelore e Ferizajit për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar që të dënuarve t’iu shqiptohet dënim më i ashpër.

Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka kërkuar që ankesa e Prokurorisë Themelore dhe e përfaqësuesve të palëve të dëmtuara të aprovohen si të bazuara, kurse ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, të refuzohen si të pabazuara.

Edhe përfaqësuesja e palës së dëmtuara, avokatja Bytyqi, ka ushtruar ankesë për shkak të vendimit mbi dënimin, duke kërkuar që të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim i merituar.

Tutje avokatja Bytyqi me theks të veçantë shprehi që brenga kryesore e palës së dëmtuar Ramadan Leskovci, babai i të ndjerit A.L ishte që CD-ja nuk ishte marr që nga fillimi i ngjarjes dhe propozoi që të aprovohej ankesa e saj dhe të jepet një dëmin i merituar.

Edhe i dëmtuari Leskovci deklaroi që qëndron pran propozimit të avokates dhe që  i bashkohet ndjekjes penale por nuk parashtrojnë kërkesë pasurore juridike për shkak se nuk kishte asgjë që ua kompenson fëmijën.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Shahini, avokati Avni Ibrahimi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, dhe propozon që të lirohet nga aktakuza e kësaj vepre penale.

Tutje edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nuredini, avokati Elmaz Zenuni i cili ishte me autorizim zëvendësues ka elaboruar ankesën e ushtruar dhe deklaroi që mbetet në tërësi pranë saj duke shtuar që ndaj të mbrojturit të tij të zbutet dënimi në minimum ose i njëjti të zëvendësohet me gjobë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Bujar Shahini, akuzohej se më 21 shkurt 2021, rreth orës 15:14, në parkingun e pompës së derivateve të naftës “Hib Petrol”, në fshatin Bibaj, Komuna Ferizaj, me dashje i kishte shkaktuar lëndim të rëndë trupor A.L, person me aftësi të veçanta.

Në akuzë thuhet se tani i ndjeri A., ishte në parkingun e “Hib Petrol”, duke biseduar me Osman Osmanin, kurse i pandehuri duke lëvizur me motoçikletën e markës “Yamaha”, atëherë tani i ndjeri e kishte fyer me fjalë duke ia sharë nënën, e pastaj ishte nisur në drejtim të aparateve për mbushje me derivate.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri ishte kthyer me motoçikletë në të njëjtin drejtim dhe ishte ndalur afër tani të ndjerit, i cili ishte ofruar afër motoçikletës duke e ngritur dorën lartë, kurse i pandehuri kishte zbritur nga motoçikleta dhe e kishte goditur me grusht në pjesën e fytyrës, nga e cila goditje tani i ndjeri ishte rrëzuar në shpinë duke u përplasur me pjesën e pasme të kokës në beton, ku kishte pësuar lëndime të rënda trupore – frakturë e bazës së kafkës dhe majtas deri në orbitë, të cilat lëndime shkaktojnë gjakderdhje të brendshme në tru.

Me këtë rast, thuhet se i njëjti transferohet në Qendrën Emergjente të QKUK-së në Prishtinë, ku ndërron jetë në ora 00:44 minuta.

Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” nga nen 186, par.5 lidhur me par.2, nënpar.2.1 të Kodit Penal.

Sipas dispozitivit II të kësaj aktakuze, i pandehuri Jeton Nuredini akuzohej se më 21 shkurt 2021, në Ferizaj nuk e kishte lajmëruar kryesin e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e tij.

Aktakuza thotë se derisa kishte qenë së bashku me shokun e tij, të pandehurin Bujar Shahini para pikës së derivateve “Hip Petrol” në fshatin Bibaj, i pandehuri Shahini e kishte goditur me grusht në kokë të dëmtuarin A.L, siç përshkruhet në dispozitivin e I të kësaj aktakuze, atëherë i pandehuri Nuredini së bashku me të pandehurin Shahini, e dërgojnë të dëmtuarin me veturë deri në QMF-2 në Ferizaj, pa dhënë informacione për identitetin e tyre, me arsyetimin se të dëmtuarin e kanë gjetur në rrugë, pastaj i pandehuri me veturën e tij e kishte dërguar të pandehurin Bujar në shtëpinë e tij në fshatin Bibaj, kurse vet ishte thyer në shtëpi pa e paraqitur rastin në Stacionin Policor në Ferizaj, kurse i pandehuri Bujar, pastaj largohet nga Kosova.

Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga nen 378, par.1 nënpar.1.3 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë