Apeli shqyrton ankesat e palëve në rastin e të dënuarve me 6 vite burgim e 1 mijë euro gjobë për grabitje në Pejë

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Në Gjykatën e Apelit, të mërkurën janë shqyrtuar ankesat e palëve ndaj të dënuarve Eldon Prelvukaj dhe Ylber Mazrekaj, të cilët kishin pranuar fajësinë se me të miturit M.B, V.G dhe Z.K, me kanosje serioze dhe duke e sulmuar, ia kishin grabitën paratë të dëmtuarit Milazim Shala.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, Prelvukaj dhe Mazrekaj janë dënuar me nga 3 vite burgim dhe nga 500 euro gjobë, secili veç e veç, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kundër këtij aktgjykimi, ka parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Pejë për shkak të vendimit mbi sanksionin penal dhe dënimit plotësues.

Të njëjtit kanë kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i lartë si dhe dënimi plotësues.

Në arsyetim të ankesës thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka marrë për bazë disa rrethana, në veçanti shkallën e dashjes dhe shkallën e dëmit.

Ndërsa, lidhur me propozimin për urdhër të kompensimit të dëmit, sipas prokurorisë, gjykata ka vendosur në kundërshtim me ligjin dhe se nuk e ka argumentuar paqartësinë e pretenduar.

Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës së 26 majit 2022 ka kërkuar që të aprovohet ankesa e prokurorisë dhe të refuzohen ankesat e mbrojtësve.

Në këtë seancë, avokatja Aurora Mulhaxha, si mbrojtëse e të akuzuarit Prelvukaj tha se mbetet pranë ankesës duke kërkuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe mbrojtësit të saj t’i shqiptohet dënim më i butë.

Po ashtu, e njëjta tha se ndonëse nuk ka qenë avokate e të akuzuarit edhe në fazë të mëhershme, gjykata duhet të vlerësojë edhe faktin se nga arritja e moshës madhore të mbrojtësit të saj e deri te vepra panele kanë qenë vetëm 2 ditë kohë si dhe sipas saj nuk ka veprime direkte të përshkruara në dispozitiv ndaj klientit të saj.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Mazrekaj, avokati Dritëro Kollçaku po ashtu tha se mbetet pranë ankesës së parashtruar nga kolegja e tij në fazë të mëhershme, duke konsideruar se gjykata nuk ka marrë parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, andaj kërkoi që të mbrojturit të tij t’i shqiptohet dënim nën minimumin e lartësisë së dënimit.

Të akuzuarit, në prezencë të kolegjit të Apelit, gjykatësit  Vaton Derguti (kryetar), Tonka Berisha (gjykatëse referuese) dhe Beqir Kalludra (anëtarë), u pajtuan me deklarimet e mbrojtësve të tyre.

Ndryshe, sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, të akuzuarit Ylber Mazrekaj dhe Eldon Prevlukaj, thuhet që më 1 mars 2022, në rrugën “Beteja e Loxhës”, në Pejë, në pompën e derivateve “Shala Petrol’’, me dashje dhe në bashkëveprim me të miturit M.B, V.G dhe Z.K, kishin kanosur dhe sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër që të përvetësojnë pasurinë e luajtshme të të dëmtuarit Milazim Shala.

Sipas akuzës, të pandehurit pas arritjes së marrëveshjes për kryerjen e veprës penale, vendosin maska në kokë dhe atë i pandehuri Ylber vendos një kapele me yje dhe ngjyrë blu-bardhë me vrima tek pjesa e syve, gjersa i pandehuri Eldon vendos kapelën e xhaketës dhe një shall në pjesën e fytyrës, ndërsa të miturit tjerë kapela me ngjyrë të zezë dhe fillimisht i pandehuri Ylber merr kombin e babait të tij dhe shkojnë diku rreth 200 metra larg vendit të ngjarjes.

Në aktakuzë thuhet se gjersa në momentin kur arrin te pompa aty brenda futen i pandehuri Ylber, i cili mbante një thikë në dorë dhe i mituri Z.K, ku nën kërcënimin e thikës dëshmitarit Burim Bytyqi i drejtohen me fjalët ‘’paret, paret’’, gjersa i njëjti duke mos i kundërshtuar lejon të miturin Z.K që t’ia marrë të hollat nga xhepi, që ishin në shumën prej 2 mijë e 316 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa sa i pandehuri Eldon dhe i mituri V.G qëndrojnë në afërsi të lokalit, ku nga aty i pandehuri Eldon në ikje e sipër merr çokollatë të llojit “Bounty”, ndërsa i mituri M.B ka qëndruar në cilësinë e rojës duku rreth 50 metra larg vendit të ngjarjes dhe me të dalë nga aty me shpejtësi largohen që të gjithë e duke u bashkuar te kombi ku e kishin lënë dhe me pas që të gjithë shkojnë në drejtim të shtëpisë së të pandehurit Ylber.

Me çka, ngarkoheshin se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Grabitja”, nga neni 317, par.1, e lidhur me nenin 3 të Kodit Penal, ku dënimi i paraparë për këtë vepër është 3 deri në 12 vite burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë