Apeli shqyrton ankesat e palëve në rastin e policit të akuzuar se kishte marrë kuletën me rreth 2 mijë euro gjatë bastisjes së kazinosë

IMG_3939
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Prill 7, 2021

Prishtinë – Gjykata e Apelit, të mërkurën, ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë dhe avokatit Asdren Hoxha, mbrojtësit të policit të akuzuar për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, Shkumbin Jashari.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 janar 2021, e ka shpallur fajtor Jasharin dhe e ka dënuar me 6 muaj burgim efektiv, përderisa në mungesë të provave, ai është liruar nga akuza për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës”.

Kundër këtij aktgjykimi ankesë kanë ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësi i të akuzuarit Jashari, avokati Asdren Hoxha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria përmes ankesës mbi lartësinë e dënimit, ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit të ashpërsohet si dhe të njëjtit, sipas propozimit të bërë në aktakuzë, t’i shqiptohet edhe dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit.

Ankesën e prokurorisë e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, e cila ka kërkuar nga gjykata që ankesa e Prokurorisë Themelore të aprovohet dhe të akuzuarit Jashari t’i ashpërsohet dënimi, si dhe ndaj tij të shqiptohet edhe dënim plotësues.

Ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Asdren Hoxha, mbi të gjitha bazat ankimore, me propozim që të aprovohet ankesa dhe rasti të kthehet në rigjykim apo klienti i tij të shpallet i pafajshëm.

Në seancën e së mërkurës nuk prezantoi askush nga Prokuroria e Apelit.

Kështu, avokati Hoxha, para kolegjit të përbërë nga gjykatësit Afërdita Bytyqi, Kreshnik Radoniqi e Xhevdet Abazi, deklaroi se gjykata e shkallës së parë, me rastin e marrjes së vendimit, ka bërë shkelje esenciale të dispozitave ligjore.

“Aktgjykimi është i paqartë dhe nuk e ka vërtetuar në mënyrë të plotë gjendjen faktike, nuk e ka arsyetuar se me cilat fakte është vërtetuar gjendja faktike”, tha Hoxha.

Sipas avokatit, aktgjykimi i atakuar bazohet në prova të papranueshme, si në CD-në për marrjen e të cilës nuk ka urdhëresë, e që sipas tij është marr nën kryerjen e veprës penale “heqja e vulave apo shenjave zyrtare”.

“Ky aktgjykim bazohet ne provë të papranueshme, e që gjykata e shkallës së parë nuk ka marr as mundin të sqaroj se si është siguruar kjo provë”, tha avokati Hoxha duke iu referuar CD-së nga vendi i ngjarjes.

Ai tha se gjykata nuk ka dhënë arsyetimin për faktet vendimtare për këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Krejt ky aktgjykim me mbi 16 faqe, gjykata jep një arsyetim më pak se një faqe”, deklaroi Hoxha.

Ndryshe, më 29 janar 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallë fajtor të akuzuarin Shkumbin Jashari për përvetësim të kundërligjshëm të pasurisë me rastin e bastisjes apo ekzekutimit të vendimeve gjyqësore dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg efektiv.

Ai akuzohej edhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armës”, për çka ishte liruar nga akuza, pasi që sipas trupit gjykues nuk është provuar se i akuzuari është kryerës i kësaj vepre penale.

Gjithashtu, gjykata kishte refuzuar propozimin e prokurorit që ndaj tanimë të dënuarit nga shkalla e parë të shqiptohet dënimi plotësues, respektivisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik.

Sipas aktakuzës së ngritur me 6 maj 2019, me 29 mars 2019, Shkumbin Jashari, rreth orës 00:55, në cilësinë e personit zyrtar, polic i Kosovës, gjatë kontrollit të kryer në biznesin “Las Vegas 2”, i cili gjendet në lokacionin tek QMI, fillimisht zbërthen zingjirin e jaknës së uniformës policore, shfrytëzon rastin merr kuletën me para, e cila ishte e vendosur në banak të lokalit dhe e fut brenda jaknës, me të cilën ishte i ngarkuar punëtori i kazinosë, tani i dëmtuari Alban Qerkini, e më pastaj vazhdon kontrollimin e lokalit, me ç’rast të dëmtuarin i shkakton dëm në vlerë prej 2,000 euro.

Tutje, dispozitivi i dytë i akuzës thotë se me 4 prill 2019, gjatë kontrollit të kryer nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në punëtorinë e të pandehurit, që gjendet në rrugën “Lulzim Jashari”, në Fushë Kosovë, i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë ajrore e tipit “Diana”, model 25, si dhe 17 copë fishekë të llojeve të ndryshme të kalibrit 9x9mm, një palë pranga dhe një karikator, të cilat i mbante paautorizim. /BetimipërDrejtësi