Apeli për të tretën herë e kthen në rigjykim rastin e zyrtarit të Gjykatës së Prishtinës të akuzuar për korrupsion

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim për herën e tretë rastin e Baki Rrahmanit, zyrtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili nga Gjykata Themelore në Gjilan, me aktgjykimin e fundit të 6 gushtit 2021, ishte shpallur fajtor për veprën penale “Marrje ryshfeti”, duke e dënuar me 7 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Po ashtu, me këtë aktgjykim të njëjtit i ishte ndaluar ushtrimi i funksionit publik për një vit, i ishte konfiskuar telefoni i markës “Samsung” dhe shuma prej 10 eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se me rastin e ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Baki Rrahmani, avokatit Ahmet Gjinovci edhe sipas detyrës zyrtare, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjilan dhe çështja i kthehet gjykatës në rigjykim vetëm sa i përket dispozitivit në pikën e II të aktgjykimit, ashtu që pjesa tjetër e aktgjykimit mbetet e pandryshuar.

Duke qenë se i akuzuari Rrahmani me të njëjtin aktgjykim në pikën I, ishte liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe se nuk kishte pasur ankesë për pjesën liruese të aktgjykimit, sipas Apelit për këtë pikë vetëm është konstatuar se mbetet e pandryshuar.

Në arsyetimin e vendimit të gjykatës së shkallës së dytë lidhur me pjesën e anuluar të aktgjykimit thuhet se i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e që sipas tyre shkeljet e tilla rezultojnë edhe në vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, e të cilat kanë rezultuar edhe me shkelen e Ligjit Penal.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se elementet e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor i akuzuari janë ‘kërkesa apo pranimi i dhuratës, ofertës apo premtimit, për vete apo për tjetrin, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, në mënyrë që personi zyrtar të veprojë apo mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare’.

Nga arsyet e aktgjykimit të ankimuar rrjedh se gjykata arsyeton, rrethanat e fakteve se ky ishte referent i ekzekutimeve, duke thënë se nga rrethanat faktike rrjedh se veprimi i tij i kryerjes së veprës ishte për shkak se ai i kishte thënë të dëmtuarit se do të bisedojë me gjyqtaren për ta mbyllur lëndën, andaj për Gjykatën e Apelit, aktgjykimi i ankimuar nuk e arsyeton faktin më relevant që përbën elementin e veprës penale për të cilën është shpallur fajtor, duke shtuar se në arsyet e dhëna nuk janë arsyetuar askund se cilat ishin kompetencat e tij në raport me premtimin që e kishte dhënë se do të veprojë.

Në vazhdim thuhet se për kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit nuk është e mjaftueshme vetëm përmbushja e elementit të cilësisë së kryerësit të veprës penale – personit zyrtar, por se duhet të arsyetohen faktet relevante të cilat përbëjnë elementet e veprës penale, por që Apeli ka thënë se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsyet e veprimit apo mosveprimit në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e që konsiston në kufijtë e autorizimeve zyrtare.

Po ashtu, thuhet se aktgjykimit i mungojnë arsyet se përse gjykata e shkallës së parë ka vlerësuar se ‘premtimi i të akuzuarit ndaj të dëmtuarit se do të flasë me gjyqtaren për ta mbyllur rastin’, përbën fakt në raport me kompetencat e tij si zyrtar në cilësinë e referentit të ekzekutimeve, andaj konsiderohet se janë cenuar dispozitat e nenit 370, paragrafi 7 lidhur me nenin 384, paragrafi 1, nënparagrafi 1.12.

Ndërsa thuhet se gjykata ka konfiskuar telefonin ‘Samsung’, si mjet me të cilin është konsideruar se është kryer vepra penale, por që nga rrethanat faktike rezulton se i akuzuari ishte takuar dy herë me të dëmtuarin, andaj për Gjykatën e Apelit është e paqartë, se gjykata a e konsideron veprim të kryerjes – marrjen e të hollave nga i akuzuari, apo e konsideron komunikimin e të akuzuarit me telefonin e konfiskuar për t’u takuar me të dëmtuarin, duke arsyetuar se mungesa e arsyeve sa i përket bazës së konfiskimit në raport me kushtet ligjore, paraqesin shkelje esenciale të dispozitave ligjore, e të cilat sipas Apelit kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Kështu që në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë duhet të riprocedojë çështjen penale duke administruar provat, e po ashtu të vlerësojë pretendimet e mbrojtjes lidhur me dëgjimin në cilësi të dëshmitarëve të paraqitur në seancën e 28 korrikut 2021, duke pasur parasysh lëshimet e konstatuara.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, më 16 dhjetor 2019 e kishte liruar të akuzuarin Rrahmani nga akuzat për “Keqpërdorim detyre” dhe “Marrje ryshfeti”, ndërsa e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Mashtrimi”. Për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, trupi gjykues me ish-kryetarin Zyhdi Haziri, kishte njoftuar se gjykata pas ricilësimit të kësaj vepre, në atë të “Mashtrimit”, të akuzuarit i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 euro.

Kundër këtij vendimi, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte ushtruar prokuroria me arsyetimin e shkeljes së ligjit penal, vërtetimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal, me propozimin që ankesa të aprovohet si e bazuar, ndërsa aktgjykimi të ndryshohet dhe i akuzuari të shpallet fajtor.

Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit kishte gjetur se ankesa e prokurorisë është e bazuar dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sërish më 28 tetor 2020, Gjykata Themelore në Gjilan pas ricilësimit të veprës penale të marrjes së ryshfetit në atë të mashtrimit, e kishte dënuar të akuzuarin me 1 mijë e 500 euro, ndërsa për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare e kishte liruar nga akuza.

Kundër këtij vendimi, prokuroria dhe mbrojtja kanë ushtruar ankesë në shkallë të dytë dhe kështu, Apeli sërish këtë lëndë e ka kthyer në rigjykim.

E që për herë të tretë, Gjykata Themelore në Gjilan, me aktgjykimin e 6 gushtit 2021, të akuzuarin Baki Rrahmani e kishte liruar nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa e kishte shpallur fajtor për veprën penale “Marrje ryshfeti”, duke e dënuar me 7 muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Po ashtu, me këtë aktgjykim të njëjtit i është ndaluar ushtrimi i funksionit publik për një vit dhe i ishte konfiskuar telefoni i markës “Samsung” dhe shuma prej 10 eurosh.

Kundër këtij aktgjykimi, kishte bërë ankesë mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ahmet Gjinovci për të gjitha bazat ankimore, e që Apeli ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim edhe njëherë sa i përket veprës penale për të cilën ishte shpallur fajtor “Marrje ryshfeti”.

Aktakuza për këtë çështje është ngritur në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, mirëpo meqenëse i akuzuari Baki Rrahmani ka punuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të konfliktit të interesit, lënda i është bartur Gjykatës Themelore në Gjilan.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 prill 2019, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, Baki Rrahmani akuzohet se më 15 shkurt 2019, në brendësinë e objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar, ndihmës-referent i ekzekutimeve në këtë gjykatë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka kërkuar dhe marrë ryshfet në shumë prej 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, i cili ka qenë i akuzuar për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”.

Sipas organit të akuzës, shumën prej 20 euro ai e ka marrë pasi që paraprakisht disa herë kishte pasur kontakte përmes telefonit me Alji Sadrijan dhe me të njëjtin janë takuar më 15 shkurt 2019 në një kafene afër QKUK-së në Prishtinë, dhe pas një bisede, i pandehuri Rrahmani ka marrë shumën prej 10 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 21 shkurt 2019, në lokalin “Pranvera” në Podujevë, i akuzuari Rrahmani është takuar me të dëmtuarin Sadrija dhe ka marrë para ryshfet në vlerë prej 10 euro, në mënyrë që i pandehuri pasi që është person zyrtar në këtë gjykatë, të bisedojë me gjyqtaren dha ta lirojë nga akuza.

Po ashtu, sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i akuzuari Rrahmani, më 15 shkurt 2019, gjatë orarit të punës ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare, ashtu që me dashje dhe duke qenë plotësisht i vetëdijshëm dhe duke i kuptuar sjelljet e tij në raport me veprimin e tij të kundërligjshëm, ka marrë 20 euro nga i dëmtuari Alji Sadrija, në mënyrë të përshkruar si më lartë.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428, paragrafi 1 dhe është akuzuar për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal. /BetimipëDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë