Apeli për herë të tretë shqyrton ankesën e mjekut të dënuar për 30 euro ryshfet

Lavdim Bajraktari - Rasti Elez Elezi - 09.07.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 9, 2019

Prishtinë – Kur kanë kaluar më shumë se shtatë vjet që nga ngritja e aktakuzës për marrje ryshfeti ndaj mjekut Elez Elezi, gjykatat në Kosovë ende nuk kanë arritur t’i japin epilog përfundimtar këtij rasti.

Të martën, një kolegj i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjykatësja Hava Haliti, për herën e tretë e ka shqyrtuar ankesën e ushtruar nga ana e mbrojtjes së të akuzuarit, ndaj aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo pasi që, dy aktgjykimet e mëhershme, me të cilat i akuzuari Elezi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me burgim efektiv, ishin anuluar dhe kthyer në rigjykim, fillimisht nga Gjykata Supreme, në vitin 2014, e pastaj edhe nga Gjykata e Apelit, më 2016.

Përkundër kësaj, Gjykata Themelore në Gjilan, më 6 shkurt 2019, sërish e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me gjashtë muaj burgim, mjekun e Spitalit Regjional në Gjilan, Elez Elezi.

Ndaj tij është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksionit si specialist i pulmologjisë në Spitalin Regjional në Gjilan për periudhën njëvjeçare, e që do fillojë t’i llogaritet pas vuajtjes së dënimit me burgim, pasi ky aktgjykim të marrë formë të prerë.

Elezi akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht mjek në Spitalin Regjional në Gjilan, më 22 maj të vitit 2012, në zyrën e tij, ka kërkuar nga e dëmtuara Lirije Hasani shumën prej 10 euro, për çdo raport specialistik të lëshuar nga ana e tij, duke marrë në tërësi nga ajo shumën prej 30 euro.

Me pretendimet se kjo akuzë e prokurorisë dhe aktgjykimi i shkallës së parë nuk qëndrojnë, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj, i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që Elezin ta lirojë nga akuzat apo që të paktën ndaj tij të shqipton një dënim më të butë.

Në ankesën e tij drejtuar Apelit, si mundësi të tretë, mbrojtja ka propozuar që aktgjykimi i Themelores të anulohet dhe çështja të kthehet sërish në rigjykim.

Këtë ankesë të tij, avokati Piraj e ka bazuar në pretendimet e tij se dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë nuk i përmban të gjitha elementet të cilat i parasheh ligji dhe i njëjti është i pakuptueshëm dhe kundërthënës.

Sipas pretendimeve të mbrojtjes në ankesë, aktgjykimi nuk përmban as të dhëna të sakta se sa kartëmonedha të cilat ishin sekuestruar, i takojnë të akuzuarit e sa të dëmtuarës, ashtu siç pretendon mbrojtja se shkalla e parë nuk ka dhënë arsyetim për shqiptimin e dënimit plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit.

Po ashtu, sipas mbrojtjes, në këtë rast nuk kemi formim të elementeve të veprës penale të marrjes së ryshfetit ndërsa ceket edhe fakti se shkalla e parë nuk ka vlerësuar siç duhet rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarit.

“Ky është viti i tetë që po merremi me këto 30 euro. Merrne kqyrne urdhëresën për bastisje, kryetari i gjykatës që edhe ka gjyku rastin e ka lëshuar këtë urdhërese vet dhe vet e ka gjyku. Nëse kjo urdhëresë është e rregullt, unë s’kom çka me thon mo. As nuk dihet emri, as mbiemri, as kush ka mu bastis, as lokacioni ku. Kjo urdhërese është për libër të guinness-it”, tha në fjalën e tij, avokati Piraj.

Si të papranueshme e ka quajtur faktin se i mbrojturi  tij, është duke u kompromentuar që tetë vjet, siç tha Piraj, për 30 euro.

“Tre herë u prish kjo lëndë, ky tash ka dal në pension, 67 vjet, nuk shkohet në burg për 30 euro?”, deklaroi avokati.

Vet i akuzuari Elezi tha se gjatë takimit që kishte pasur me palën e dëmtuar, e njëjta fare nuk kishte përmendur paratë, ndërsa siç tha, po të kishte parë të dëmtuarën duke ia futur paratë në xhep, vet ai do ta kishte lajmëruar në polici.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese drejtuar gjykatës së shkallës së dytë, më 30 maj 2019, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzon ankesën e mbrojtjes kurse aktgjykimin e shkallës së parë ta vërtetojë.

Ky gjykim kishte nisur me aktakuzën e ish-Prokurorisë Komunale në Gjilan, të ngritur më 29 maj 2012, e cila e ngarkonte të pandehurin Elez Elezi me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, përkatësisht mjek në Spitalin Regjional në Gjilan, më 22 maj të vitit 2012, në zyrën e tij, ka kërkuar përfitim material për vete, për të kryer një veprim, e të cilin nuk është dashur ta kryej.

Prokuroria pretendon se i pandehuri ka kërkuar nga e dëmtuara Lirije Hasani shumën prej 10 euro, për çdo raport specialistik të lëshuar nga ana e tij, duke marrë në tërësi nga e dëmtuara shumën prej 30 euro.

Ndryshe, Gjykata Komunale e Gjilanit, më 30 korrik 2012, e kishte shpallur fajtor Elez Elezin, ashtu që ndaj tij kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej pesë muajve burgim efektiv, si dhe dënimin plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës zyrtare në afat prej një viti.

Kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale të Gjilanit, kishin bërë ankesë mbrojtësit e të akuzuarit, avokatët Shemsedin Piraj dhe Bajram Kadriu, të cilët në ankesën e parashtruar, kishin pretenduar se aktgjykimi i kësaj gjykate përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, kjo për faktin se, i akuzuari nuk ishte udhëzuar në kuptim të nenit 315 të KPP të Kosovës, lidhur me pranimin e fajësisë, se dënimi plotësues është llogaritur se do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit, e jo siç parasheh dispozita ligjore.

Gjykata e Apelit e Kosovës, më 13 nëntor 2013, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve së të akuzuarit, avokatëve Piraj dhe Kadriu, ashtu që e kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Gjilan, përkitazi me vendimin mbi dënimin dhe të akuzuarin e kishte gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre muajve, kurse pretendimet e mbrojtësve, se aktgjykimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të procedurës, Apeli i kishte vlerësuar si të pabazuara.

Kundër dy aktgjykimeve, asaj të Gjykatës Komunale në Gjilan dhe të Apelit, kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme të Kosovës, mbrojtësi i të akuzuarit Elezi, avokatin Shemsedin Piraj.

Gjykata Supreme e Kosovës, më 16 janar 2014, e kishte pranuar kërkesën për ligjshmëri duke i prishur aktgjykimet e dy shkallëve më të ulëta dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Më 9 dhjetor 2015, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtari Hasan Sadiku, sërish e kishte shpallur fajtor të pandehurin Elez Elezi, duke i shqiptuar të njëjtit dënim me burgim prej tre muajsh.

Mirëpo, pas ankesave të mbrojtjes, Gjykata e Apelit, më 5 maj 2016 e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores ndërsa lëndën e kishte kthyer lëndën përsëri në rigjykim. /BetimipërDrejtësi