Apeli për herë të tretë shqyrton ankesat e palëve në rastin e inspektorit në Kamenicë, i dënuar me burg efektiv

unnamed
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 17, 2020

Prishtinë – Mbrojtja e inspektorit të komunikacionit në Komunën e Kamenicës, Sadullah Dërmaku, për të tretën herë me radhë, po kërkon nga Gjykata e Apelit që ta lirojë të akuzuarin, ndërsa Prokuroria po kërkon dënim më të ashpër ndaj tij.

Më 18 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Gjilan, ashtu si në gjykimin e parë dhe të dytë, Dërmakun e kishte dënuar me 15 muaj burgim efektiv, si dhe me 300 euro gjobë, pasi që e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Përpos dënimit kryesor, gjykata i kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, atë të ndalimit të ushtrimit të profesionit në administratë dhe shërbime publike në periudhë prej dy vitesh.

Mirëpo, të pakënaqur ndaj këtij vendimi, kanë ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Gjilan dhe mbrojtja e të akuzuarit, avokati Shemsedin Piraj.

Këto ankesa, janë shqyrtuar të premten nga kolegji i Gjykatës së Apelit, i kryesuar nga gjykatësi Fillim Skoro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Organi i akuzës në ankesën e saj ka kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ta ndryshojë aktgjykimin e  shkallës së parë, dhe të akuzuarit t’i shqiptojë një dënim më të ashpër.

Prokuroria këtë propozim e ka arsyetuar me faktin se gjykata e shkallës së parë gjatë matjes së dënimit edhe pse e ka shpallur fajtor të akuzuarin, nuk i ka marrë parasysh si rrethanë rënduese shkallën e përgjegjësisë penale dhe shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale.

“Në rastin konkret përveç rrethanave lehtësuese që janë marrë parasysh ka edhe rrethana rënduese që gjykata e shkallës së parë nuk i ka marrë parasysh  dhe nuk e konsideron se ka tejkalim të kompetencave ligjore në drejtim të matjes së dënimit pasi që nuk ka marrë parasysh edhe shumë rrethana rënduese, edhe pse e ka shpallur fajtor të akuzuarin prapë se prapë është deshtë që të jetë konform  rrethanave tjera rënduese e sidomos të shkallës së përgjegjësisë penale dhe shkallës së  rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale”, është thënë në ankesën e prokurorisë.

Në anën tjetër, mbrojtja e Dërmakut ka kërkuar nga Apeli  që ai të lirohet nga akuza, pasi që sipas mbrojtjes, vendimi mbi dënimin është i kundërligjshëm.

Avokati Piraj, aktgjykimin e ka ankimuar sa i përket shkeljeve esenciale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe vendimit mbi dënimin.

Mbrojtja ka konsideruar se në rastin konkret aktgjykimi i ankimuar është përfshirë me shkelje esenciale, ngase dispozitivi i këtij aktgjykimit është i paqartë, i  pakuptueshëm dhe nuk është në përputhshmëri me vetveten, por as me arsyetimin dhe se gjykata  e shkallës së parë nuk ka arritur të paraqes faktin vendimtar në formësimin e figurës së veprës penale për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor.

Sipas Piraj, CD-ja e cila paraqet dorëzimin dhe pranimin e parave nga i dëmtuari tek i akuzuari, duhet të shpallet provë  e papranueshme, pasi që sipas tij, gjatë hetimit të kësaj CD-je kishin marrë pjesë edhe dy persona të tjerë të paautorizuar sipas urdhëresës.

“Na që tri vjet kemi kërku shqimin e CD-së, se unë kom pas dyshime që këtu kanë marrë pjesë dy persona zyrtar që nuk kanë qenë të përfshin në urdhëresë, është Shkumbin Sahiti dhe Jeton Sahiti, do të thotë nuk jon në urdhëresë dhe marrin veprime operacionale”, tha Piraj

Ai si arsye që kjo provë të shpallet e papranueshme paraqiti faktin se në urdhëresën e gjykatës, për ndërmarrjen e veprimeve operacionale nuk kishte pasur një udhëheqës të rastit.

Piraj ka thënë se nuk është vërtetuar gjendja faktike, pasi që sipas tij, shuma prej 500 euro të marra nga Dërmaku, kanë qenë në formë të huas.

Ndërkaq, ankesën e Prokurorisë Themelore e ka mbështetur edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese, i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të aprovojë si të bazuar ankesën e prokurorisë, ta ndryshojë aktgjykimin e ankimuar  duke i shqiptuar një dënim më të ashpër,  të akuzuarit,  ndërsa ankesa e mbrojtësit të konsiderohet si e pabazuar.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të vitit 2018, të akuzuarin Dërmaku e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 muajve dhe dënim me gjobë prej 300 euro.

Po ashtu, ndaj Dërmakut, gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit në administratë publike në kohëzgjatje prej dy vjetësh.

Mirëpo, e pakënaqur me vendimin dhe arsyetimin nga shkalla e parë, ankesë në Apel kishte paraqitur mbrojtësi i të akuzuarit Dërmaku, avokati Shemsedin Piraj, cili gjykatës së shkallës së dytë i kishte propozuar që të akuzuarin Dërmaku ta lirojë nga akuza apo lëndën ta kthej në rigjykim.

Mirëpo, të njëjtin dënim Gjykata Themelore në Gjilan ia kishte shqiptuar Dërmakut edhe më 31 janar 2019, ndaj të cilit dënim sërish kishin paraqitur ankesë mbrojtja e të akuzuarit dhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Ndërsa, Gjykata e Apelit më 25 prill 2019, e kishte kthyer rastin sërish në rigjykim.

Pas kthimit të lëndës në rigjykim, për të tretën herë prapë gjykata e shkallës së parë, Dërmakut më 18 nëntor 2019, ia kishte shqiptuar dënimin e njëjtë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 nëntor 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Sadullah Dërmakut, të cilin e ngarkon me veprën penale “marrje e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, Dërmaku më 20 tetor 2017, në Kamenicë, në cilësinë e inspektorit të komunikacionit, me qëllim qe vetes t’i sjell dobi pasurore, në mënyrë të kundërligjshme ka përfituar si person zyrtar.

Ai akuzohet se në mënyrë që të dëmtuarit Besnik Shabani, t’i mundësojë ushtrimin e veprimtarisë së biznesit “City Taxi”, i ka kërkuar 500 euro, para të cilat i ka marr nga i dëmtuari dhe të njëjtat ishin gjetur në xhepin e palltos së tij, pas bastisjes nga ana e zyrtarëve policorë, me ç’rast edhe ishte arrestuar. /Betimipërdrejtësi