Apeli lë në paraburgim të dyshuarin për rastin e shpërthimit në Zhur ku humbi jetën polici  Sami Thaqi

Gjykata_Apelit_2-620x275
Author

Raporton: Medina KADRIU

Prill 1, 2020

Prishtinë – Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtjes së Iran Badallit, ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren për vazhdim të paraburgimit për dy muaj.

Badalli po dyshohet se ka kryer veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës(KPRK), “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366.

Kjo pasi që gjatë një bastisje që po kryhej në shtëpinë e Badallit në fshatin Zhur të Prizrenit, ka ndodhur një shpërthim me eksploziv i cili rezultoi të jetë fatal për policin Sami Thaqi, si dhe u lënduan edhe dy policë të tjerë e një qytetar.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Erdin Thana kishte pretenduar se nuk ka kushte ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit nga neni 187 i Kodit të Procedurës Penale dhe shkelje të nenit 185 të po këtij kodi.

Ai kishte propozuar që të ndryshohet aktvendimi i ankimuar, ashtu që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak ose ndonjë masë tjetër alternative nga neni 173 i kodit të lartcekur.

Kurse, Prokuroria e Apelit kishte propozuar që ankesa e mbrojtësit të refuzohet, të cilin propozim e ka aprovuar Gjykata e Apelit, me arsyetimin se ankesa e mbrojtjes nuk është e bazuar.

Në ankesën e mbrojtësit të pandehurit pretendon se në këtë çështje penalo juridike, deri me tani nuk është ne dijeni se cilat veprime i ka ndërmarrë prokuroria, pasi që ende nuk e ka bërë dëgjimin e të pandehurit, edhe përkundër faktit se sipas nenit 185 paraburgimi duhet të reduktohet në një afat sa më të shkurtër dhe se organet ligj-zbatuese, ne këto raste duhet te veprojnë me nguti. Po ashtu mbrojtësi thekson se nuk ekziston ndonjë rrethanë e posaçme që mund ta justifikoj friken se me gjetjen e te pandehurit në liri, ai mund të ikë ose arratiset, te ndikon ne prova ose dëshmitarë dhe në kë formë, ta pengoj rrjedhën normale te procedurës penale”, thuhet në aktvendim të Apelit.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, thuhet se pretendimet e mësipërme ankimore janë të pabazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar, gjyqtari i procedurës paraprake drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet, kusht ky qenësor për vazhdimin e paraburgimit.

“Duke u bazuar në provat që gjenden në shkresat e lëndës siç janë: deklarata e  të pandehurit Iran Badalli me dt. 29.01.2020, nga deklarimet e dëshmitarëve të dhëna në polici si në vijim; L.Sh me dt. 28.01.2020, Z.Sh me dt. 29.01.2020, M.B me dt. 28.01.2020, N.B me dt. 28.01.2020, nga vërtetimi mbi sekuestrimin e sendeve, pastaj faktin se ditën kritike me dt. 28.01.2020 ka humbur jetën zyrtari policor Sami Thaqi dhe kanë pësuar lëndime trupore dy zyrtarë tjerë policor si dhe një qytetar, si pasojë e shpërthimit me eksploziv në shtëpinë e të pandehurit Iran, shpërthim ky i ndodhur gjatë kohës sa po kryhej kontrolli i shtëpisë së të njëjtit”, thotë aktvendimi i Apelit.

Sipas Apelit, të gjitha këto mbështesin dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të lartcekura.

“Ndërsa gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme mbi bazën ligjore për të cilën e ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit dhe drejtë ka vepruar kur të njëjtit i ka vazhduar këtë masë sipas dispozitës së nenit 191 par.1 lidhur me nenin 187 par.1 nënpar.1.1 e 1.2 pika 1.2.1. 1.2.2. dhe 1.2.3 të KPP-së”, thuhet në vijim.

Sipas kësaj gjykate, ajo ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se me qenë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri, ka kryer veprat penale të lartcekura, ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij, duke marrë parasysh se ka rrezik të ikjes së të pandehurit apo fshehjes në ndonjë vend të panjohur për organet e ndjekjes penale, pasi që veprat penale për të cilat dyshohet i pandehuri janë të natyrës së rëndë për të cilat parashihen dënime të larta.

“Andaj caktimi i paraburgimit konform nenit 187 par. 1 nen. par. 1.1 e 1.2 pika 1.2.1 të KPP-së, është i nevojshëm për shkak të sigurimit të prezencës së të pandehurit, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të procedurës penale”, thuhet në aktvendim.

Tutje, thuhet se kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit konform dispozitës së nenit 187 paragrafi1 nën paragrafi. 1.1 e 1.2 pika 1.2.2 të KPP-së, duke marrë parasysh se në këtë stad të procedurës penale do të zhvillohen hetime të mëtejme për sigurimin edhe të provave tjera materiale.

“Deklarimin e dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, për t’i sqaruar të gjitha rrethanat e rastit, prandaj duke i pasur parasysh veprimet hetimore që do të ndërmerren, por edhe peshën e veprës penale ka arsye për të besuar se i pandehuri po të gjendet në liri do të tentojë t’i asgjësojë apo ndryshojë provat e këtyre veprave penale, ose në ndonjë mënyrë do të ndikonte tek dëshmitarët e njohur apo të mundshëm gjatë rrjedhës së kësaj procedure penale, apo edhe tek të dëmtuarit për ndryshimin e deklaratave të tyre”, thotë vendimi i Apelit.

Gjithashtu, thuhet se kjo gjykatë vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se ekzistojnë edhe arsyet  ligjore nga 187 paragrafi 1.nën paragrafi.1.1 dhe 1.2 pika 1.2.3 të KPP-së, për vazhdimin e paraburgimit për të pandehurin.

“Duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, sjellja e mëparshme e të pandehurit i cili është i njohur për organet e ndjekjes si kryerës i shumë veprave tjera penale, si dhe duke marrë parasysh ndikimin e madh që ka pasur në opinion rasti konkret, lënia e të pandehurit në liri do të kishte ndikim negativ për rrethin ku i njëjti jeton, por edhe më gjerë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Për arsyet e lartcekura, Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur të pandehurit i ka vazhduar masën e paraburgimit, ngase masat e tjera të parapara  nga neni 173 të KPPK-së, janë të pa mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të tij në procedurë, në rrjedhjen normale të procedurës penale dhe në parandalimin e kryerjes apo përsëritjes së veprave penale, prandaj, me qëllim të zbatimit me sukses të procedurës penale, caktimi i paraburgimit konsiderohet si i domosdoshëm, kurse ankesa e mbrojtësit të është e refuzuar si e pabazuar. /BetimipërDrejtësi