Apeli kthen në rivendosje caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit

Gjykata_Apelit
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Dhjetor 6, 2018

Prishtinë – Gjykata e Apelit me anë të një komunikate për media, ka njoftuar se e ka kthyer në rivendosje çështjen e caktimit të masës së sigurisë ndaj N.S., M.R. dhe D.M., të dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së ish-liderit të iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP) në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Ndaj këtyre tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë me 24 nëntor 2018, kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, gjykata e shkalles së parë nuk ka dhënë arsye të qarta lidhur me faktet vendimtare, përkitazi me dyshimin e bazuar së të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat janë duke u hetuar, ashtu siç kërkojnë dispozitat e nenit 187 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

“Andaj aktvendimi i shkalles se parë është dashtë të anulohet, ndërsa në rivendosje Gjykata Themelore duhet t’i kërkojë prokurorisë që kërkesës për caktimin e paraburgimit t’ia bashkëngjisë të gjitha provat në të cilat thirret ajo, e që kanë të bëjnë sidomos me dyshimin e bazuar, ndërsa gjykata pasi të vlerësojë dhe të paraqes konkludimet e saja për secilën, të marr vendim për heqjen ose caktimin e masës së paraburgimit, duke dhënë arsye të çarta dhe konkrete për secilën bazë ligjore” përfundon komunikata për media e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Apelit njofton se të dyshuarit do të qëndrojnë nën masën e paraburgimit deri sa gjykata e shkallës së parë të nxjerrë një vendim të ri.

N.S. dhe M.R. dyshohen së kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179 lidhur me nenin 33 dhe 34 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ndërsa i pandehuri D.M. dyshohet se ka kryer veprën penale “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”, nga neni 433  i po të  këtij kodi.

Me urdhër të PSRK-s, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda, si dhe në mbështetje të njësive tjera speciale policore, me 23 nëntor 2018 kanë realizuar një aksion në veri të Mitrovicës, ku janë arrestuar katër të dyshimtë se janë të përfshirë në vrasjen e liderit të SDP-së në Kosovë,  Oliver Ivanoviqit.

Lajmit e kishte bërë të ditur Prokuroria e Shtetit me anë të një komunikate për media.

“Me  qëllim që të zbatohen procedurat e ligjshme dhe të drejta për sigurimin e provave dhe arrestimin e personave të dyshuar për veprën penale të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, dhe urdhrit të lëshuar me shkrim nga  Gjykatësi i procedurës  paraprake i Krimeve të Rënda në Prishtinë, janë kontrolluar disa lokale dhe prona në pjesën veriore të Mitrovicës, për shkak  se është vlerësuar se ka gjasa reale se në  këto lokale, shtëpi dhe prona mund të zbulohen dhe konfiskohen prova të rëndësishme për veprën penale. Gjatë zbatimit të urdhëresës së Gjykatës për kontroll, Policia e Kosovës ka gjetur armë pa leje dhe materie tjera që përbëjnë veprën penale, për të cilën ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhej në komunikatë.

Lideri i iniciativës qytetare SDP-së në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ishte vrarë mëngjesin e 11 janarit të këtij viti në veri të Mitrovicës.

Fillimisht, kjo lëndë ka qenë duke u hetuar nga dy prokurorë të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, por më vonë, kjo lëndë ishte dërguar në kompetencë në PSRK.

Një muaj pas vrasjes së Ivanoviq, Policia e Kosovës me urdhër të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë kishte arrestuar Zarko Jankoviç dhe Dragica Markoviç si të dyshuar për “manipulim me prova” në këtë rast.

Dy policët Zarko Jankoviç dhe Dragica Markoviç, dyshohet se kanë larguar një gëzhojë nga vendi i ngjarjes ku ishte vrarë Oliver Ivanoviq dhe të njëjtën nuk e kanë dorëzuar bashkë me provat e tjera.

Ndaj Jankoviç dhe Markoviç, Prokuroria Themelore në Mitrovicë kishte bërë kërkesë për caktimin e paraburgim.

Por, kjo kërkesë ishte refuzuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, vendim të cilin e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, duke lënë në liri dy të dyshuarit në këtë rast.