Apeli kthen në rigjykim rastin e të dënuarit me 17 vjet burg për vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2017 në qendër të Prishtinës

Gjykata_Apelit_2
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 29, 2019

Prishtinë – Për akuzën se në bashkëkryerje kishte privuar nga jeta të ndjerin Nehar Sahiti, në vitin 2017 në qendër të Prishtinës, i akuzuari Arlind Ahmeti sërish do të dal para gjykatës.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit, përmes aktvendimit, ka vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallë së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit të këtij viti është në kundërshtim me dispozitat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kjo për faktin se gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, nuk janë dhënë arsyet për çdo pikë të aktgjykimit dhe gjykata nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar dhe arsyetuar saktësinë e provave kundërthënëse si dhe arsyet e mos miratimit të propozimeve konkrete të palëve, shkelje këto që kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 25 nëntori 2017, e tutje.

Përkatësisht, për shtytje në vrasje të rëndë ai është dënuar me 16 vjet burgim, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Por, të pakënaqur me rikualifikimin e veprës penale kishin qenë Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha, të cilët përmes ankesave të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishin kërkuar kthimin e çështjes në rigjykim.

Në seancën  e mbajtur më 17 tetor 2019, kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka shqyrtuar ankesat e prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit.

Gjatë kësaj seance mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hoxha kishte deklaruar se aktgjykimi është kundërthënës dhe i bazuar në mendime e supozime dhe jo në prova.

Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i arsyetuar sa duhet dhe se bazohet në prova të papranueshme, pasi që sipas tij, gjykata ka bazuar vendimin e saj, në prova të cilat fare nuk i kishte administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Hoxha kishte shtuar se gjykata me rastin e ricilësimit të veprës penale, ka tejkaluar akuzën, duke shkelur kështu ligjin penal në dëm të të pandehurit, madje sipas tij, ricilësimi është i gabuar pasi që me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë se i mbrojturi i tij e ka shtyrë, kryerësin në kryerjen e veprës penale.

Por që lidhur me këtë Gjykata e Apelit ka konstatuar se nuk është tejkaluar akuza në dëm të të pandehurit.

“Kjo gjykatë nuk pajtohet me mbrojtjen se në rastin konkret kemi të bëjmë me tejkalim të akuzës, meqë  siç dihet i akuzuari Arlind  është akuzuar nga ana e prokurorisë për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 179  par.1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të KPRK, ndërsa është rikualifikuar  në veprën penale të Shtytjes në kryerjen e veprës penale nga neni 179 par.1 nën. Par 1.5 e lidhur me nenin 32 të KPRK, e që në këtë rast shtytja është  formë  e kryerjes së veprës penale bazë që në këtë rast është Vrasja e rëndë dhe në aspektin e sanksionit penal  nuk shkon në dëm të akuzuarit”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, para se të rikualifikohej vepra penale, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndryshe, i pandehuri tjetër Agron Vllasaliu është arratisur dhe është i paarritshëm për organet e drejtësisë. /Betimipërdrejtësi