Apeli konfirmon aktakuzën ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it dhe avokatit Murat Krasniqi

Apeli_new 015
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Korrik 14, 2020

Pejë – Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktakuzën ndaj zyrtarëve të KEDS-it, Gëzim Gashi dhe Bekim Thaqi, të cilët akuzohen për marrje të ryshfetit, si dhe avokatit Murat Krasniqi, i cili akuzohet për frikësim gjatë procedurës penale.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar kryetari i trupit gjykues në shkallë të parë, gjykatësi Sylë Lokaj, i cili tha se ankesat e të pandehurve janë refuzuar nga Gjykata e Apelit, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, për refuzimin e kërkesës për hudhjen e aktakuzës, është vërtetuar.

Në këto rrethana, gjykatësi Lokaj deklaroi se së shpejti do të caktohet edhe shqyrtimi kryesor për këtë rast.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar aktvendimin e shkallës së parë, marrë me 8 qershor të këtij viti, me të cilin ishte konfirmuar aktakuza në fjalë.

Në vendimin e Themelores thuhet se në shkresat e lëndës ekzistojnë prova të mjaftueshme, të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën penale, ndërsa provat sipas gjykatësit Lokaj janë marrë në harmoni me ligjin.

Sipas gjykatësit, në këtë fazë të procedurës, nuk janë plotësuar kushtet ligjore për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, andaj dhe janë refuzuar kërkesat e të pandehurve.

“Prokurori i Shtetit aktakuzën e ka mbështetur në provat e propozuara në aktakuzë dhe të njëjtat i janë të bashkangjitura në aktakuzën PP/I.nr.107/19, të datës 05.06.2019, dhe të njëjtat prova janë pjesë e shkresave të lëndës. Për këtë gjykata vlerëson se në këtë fazë të procedurës, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur një dyshim të bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilat akuzohen. Andaj gjykata, kërkesën e mbrojtësve të akuzuarve respektivisht të akuzuarve të për hedhjen e aktakuzës, e ka refuzua si të pa bazuar dhe në kuptim të nenit 250 par.3, të KPPK-së, dhe ka vendosur si në pikën i të dispozitivit të këtij aktvendimi. Provat që janë marrë gjatë fazës së hetimeve, janë marrë konform dispozitës së nenit 257 të KPPK-së dhe do të shqyrtohen në shqyrtimin gjyqësor”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Të pandehurit Bekim Thaqi dhe Gëzim Gashi, në seancën e 28 shkurtit të këtij viti, ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e marrjes së ryshfetit.

I pafajshëm ishte deklaruar edhe avokati Murat Krasniqi, i cili akuzohet për veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 21 shkurt 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, zyrtarët e KEDS-it, Bekim Thaqi dhe Gëzim Gashi akuzohen se më 2 dhjetor 2019, me marrëveshje paraprake mes tyre, kanë kërkuar dhe pranuar për vete përfitim, në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me pretekstin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 euro.

Bazuar në aktakuzë, i dëmtuari e lajmëron policinë dhe pas takimit me të pandehurit, secilit ia jep shumën prej 100 euro dhe pasi të pandehurit i fusin të hollat nën karrigen e shoferit, arrestohen nga policia.

Me çka, akuzohen se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “marrje ryshfeti”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31.

Në aktakuzë përfshihet edhe mbrojtësi i të pandehurit Bekim Thaqi, avokati Murat Krasniqi, i cili e sipas aktakuzës, e kishte kanosur dhe i kishte ofruar shumën prej 1000 euro të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshonte deklaratën e tij të dhënë në polici.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale, nga neni 387 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi