Apeli ia rrit dënimin me burg të akuzuarit për vrasjen e vitit 2006

Gjykata_Apelit
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Maj 15, 2019

Pejë – Gjykata e Apelit ia ka rritur dënimin me burgim të akuzuarit për vrasjen në Banjë të Pejës, Kreshnik Haxhijaj, që kishte ndodhur në vitin 2006.

Gjykata Themelore në Pejë, më 23 nëntor 2018, të akuzuarin Haxhijaj, e kishte shpallur fajtor për vrasje në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, duke e dënuar me pesë vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, pas shqyrtimit të ankesave të Prokurorisë Themelore në Pejë, Gjykata e Apelit ka vendosur që të akuzuarit Haxhijaj t’i rritet dënimi me gjithsej 10 vjet burg.

Përveç dënimit me burgim, Apeli ka bërë cilësimin juridik të veprës penale, sipas së cilës ka vlerësuar se i akuzuari Haxhijaj nuk kishte kryer vrasjen nën kushtet e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme, siç ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

Gjykata e Apelit, në aktgjykimin e 11 prillit të vitit 2019, ka vlerësuar se arsyeja e ndryshimit të  aktgjykimit lidhur me dënimin dhe cilësimin juridik ishte se tani i akuzuari Haxhijaj, nuk kishte kryer veprën penale në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi që sipas Apelit, ai kishte shtënë 12 herë pas pushimit të sulmit nga ana e tani të ndjerit Jakup Osmanaj.

“I ndjeri ka shkrepur nga revolja “Sig Sauer” dhe nga dëshmia nr 12 vërtetohet se ka qenë shkrepja e fundit, ndërsa i akuzuari Haxhijaj ka shkrepur 12 plumba pas ndërprerjes së sulmit nga i ndjeri Jakup Osmanaj. I akuzuari ka vazhduar me shkrepjet dhe pas ndërprerjes së sulmit dhe shkrep gjithsej 12 plumba në drejtim të ndjerit, duke e goditur në pjesën ndër kafkorë ku është shkaktuar edhe vdekja e tani të ndjerit Osmanaj, ndërsa Ali Bicaj i ishin shkaktuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Apeli ka arsyetuar se ishte vërtetuar gjatë rikonstruimit të vendit të ngjarjes dhe ekspertizës balistike se gjatë shkëmbimit të zjarreve, tani i ndjeri kishte shtënë shtatë herë me armë, ndërsa i akuzuari 12 herë.

“Gëzhoja e fundit është në revolen ‘Sig Sauer’ nga i ndjeri Jakup Osmanaj, e cila është edhe shkrepja e fundit, e kjo nënkupton se është ndërprerë sulmi ndaj të akuzuarit Kreshnik Haxhijaj nga ana e të ndjerit. Ndërsa, nga gëzhojat tjera të armës ‘Glock’, të cilën e ka poseduar i akuzuari Kreshnik Haxhijaj del konkludimi se i akuzuari pas ndërprerjes së të shtënave nga i ndjeri, i cili zbraz shtatë plumba dhe me ekspertizë është vërtetuar se në pistoletën e të ndjerit nuk ka mbet asnjë plumb, i akuzuari Kreshnik Haxhijaj edhe pas ndërprerjes së sulmit ka vazhduar duke shtënë 12 herë në drejtim të ndjerit Jakup”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit.

Sipas Apelit, i ndjerit Osmanaj pasi kishte ndaluar tani të akuzuarin për identifikim, i cili gjendej afër shtëpisë së tij, ka dashur ta dorëzojë në polici, mirëpo i akuzuari Haxhijaj kur shkëputet nga i ndjeri dhe fillon të ikë me vrap, i ndjeri, sipas Apelit, kishte mundur ta privonte nga jeta po të kishte dashur, por qëllimi i tij ka qenë që të akuzuarin ta dorëzojë në polici si person të panjohur.

Tutje, Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Pejë ishte i qartë, i kuptueshëm dhe në të janë paraqitur të gjitha faktet vendimtare rreth argumentimit të kryerjes së veprës penale të mbështetshme në prova materiale.

Gjykata e Apelit pas analizimit të pretendimeve të të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij lidhur me shkeljet esenciale të procedurës penale gjen se të njëjtat janë të pabazuara.

Kreshnik Haxhijaj akuzohet se më 20 gusht 2006, rreth orës 5:45, në fshatin Bajle të Komunës së Istogut, në udhëkryqin rrugor Banjë-Istog-Pejë, më dashje dhe për motive të ulëta, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Jakup Osmanaj, si dhe ka plagosur të dëmtuarin Ali Bicaj.

Lidhur më këtë vrasje, i akuzuari Haxhijaj ishte liruar nga aktakuza dy herë dhe atë nga ish-Gjykata e Qarkut më 2007 dhe nga Gjykata Themelore në Pejë në vitin 2015, sipas të cilave, i akuzuari kishte vepruar në rrethana të mbrojtjes së nevojshme kur kishte kryer vrasjen e viktimës Osmanaj, duke e përjashtuar nga përgjegjësia penale

Mirëpo, këto vendime ishin kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Kreshnik Haxhijaj akuzohet se më 20 gusht 2006, rreth orës 5:45, në fshatin Bajle të Komunës së Istogut, në udhëkryqin rrugor Banjë-Istog-Pejë, më dashje dhe për motive të ulëta, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Jakup Osmanaj, si dhe ka plagosur të dëmtuarin Ali Bicaj.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhijaj derisa ishte duke pritur në pusin ku ishte i vendosur së bashku me të pandehurin Ardian Kolmaka, në orët e vona të 19 gushtit 2006, për kryerjen e një vrasje tjetër, ka ardhur deri te një fjalosje mes tij dhe viktimës, ku pas asaj zënke mes tyre ka pasur një shkëmbim me armë zjarri, viktima është qëlluar dy herë, një herë në kokë dhe një herë në kraharor, i cili nga plagët e marra ka vdekur.

Tutje, sipas aktakuzës, plagë trupore ka pësuar i dëmtuari Ali Bicaj, i cili gjatë atij shkëmbimi të zjarrit, nga ana e të pandehurit është qëlluar me një predhë në krahun e majtë.

Lidhur me këtë çështje penale, vetëm për të akuzuarin Kreshnik Haxhijaj, dhe atë për dispozitivin e dytë të aktakuzës, Gjykata Themelore në Pejë, më 3 mars 2015, ka shpallur aktgjykim lirues, për faktin se ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Sipas këtij aktgjykimi, gjykata ka konstatuar se dhuna e përdorur nga Kreshnik Haxhijaj, nuk ishte në disproporcion me shkallën e rrezikut që paraqitej nga Jakup Osmanaj dhe prandaj ai nuk mund të gjendet fajtor për akuzën kundër tij.

Po ashtu, i akuzuari Kreshnik Haxhijaj ishte liruar nga akuzat edhe më parë, nga ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 18 dhjetor 2007, për veprat penalë vrasje e rëndë dhe veprën penale bashkim kriminal për të kryer veprën e vrasjes së rëndë.

Lidhur me aktgjykimin lirues, Gjykata e Apelit më 19 qershor 2016, ka miratuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë është i nxjerr më shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 pika 6 dhe 7, që ndërlidhen me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike.//Betimipërdrejtësi