Apeli ia ashpërson dënimin të akuzuarit se keqpërdori seksualisht të miturën

Apeli_new-005-620x275
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Qershor 11, 2019

Prishtinë – Katër vjet më shumë burgim do t’i vuaj i akuzuari M.M, për keqpërdorim seksual të së miturës.

Kjo pasi që Gjykata e Apelit, e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, e cila të akuzuarin e kishte gjykuar me gjashtë vjet burgim, duke ia rritur dënimin në 10 vjet burgim.

“Kolegji për të Mitur i Gjykatës së Apelit, vlerësoi se dënimi më 10 vjet burgim ndaj të akuzuarit, është një dënim i drejtë dhe i ligjshëm, në harmoni më peshën e veprës penale, rrethanat si është kryer ajo, pasojat, cilësitë dhe shkallën e përgjegjësisë së akuzuarit”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Me këtë dënim të ashpërsuar, kolegji i Apeli ka vlerësuar se do të arrihet qëllimi i parashikuar më ligj.

Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, kjo gjykatë ka gjetur se tani  85 vjeçari  nga Prishtina, në  vitin 2017, duke shfrytëzuar moshën e brishtë dhe pa dëshirën e saj, kishte kryer marrëdhënie seksuale më një të mitur, 13 vjeçare, e cila më vonë është konstatuar se ka mbetur shtatzënë, dhe për shkak të rrezikimit të shtatzënisë, është dashur ta ndërpresë atë.

I akuzuari ishte shpallur nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, në fund të vitit të kaluar, për veprën penale “Keqpërdorim seksual i personave në 16 vjet” nga neni  253 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.