Apeli ia ashpërson dënimin në 30 vite burgim tropojanit për vrasjen e rëndë në Bardhaniq të Gjakovës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata e Apelit ia ka ashpërsuar dënimin në 30 vite burgim Col Imerajt, i cili ishte gjetur fajtor se në korrik të 2020-ës ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e viktimës dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. 

Kështu, kjo gjykatë e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, sa i përket vendimin për dënim, e cila Imerajn e kishte gjykuar me 25 vite burgim unik për tri vepra penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e Apelit ndaj Imerajt, për veprën penale të vrasjes së rëndë ka shqiptuar 30 vjet burgim, për veprën penale të tentim vrasjes së rëndë 8 vite burgim, dhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti.

Sipas Apelit, në këtë rast kjo gjykatë ka aplikuar sistemin e absorbacioni, me c’rast dënimi më i rëndë prej 30 vitesh burgim, i ka absorbuar në vete dënimet më të lehta.

“Meqenëse dispozita e neni 42 paragrafi 2 i KPRK-së, ia lë në diskrecion gjykatës mundësinë që për veprat penale për të cilat parashihet dënimi me burgim të përjetshëm të shqiptojë dënim me burgim deri në 35 vjet, që është dënimi mbi maksimumin e përcaktuar për dënimin me burgim që është 25 vjet, atëherë sipas vlerësimit të kësaj gjykate,  dispozita e nenit 76 paragrafi 1 nënparagrafi 2.1 të KPRK-së, duhet të aplikohet përshtatshmërisht edhe në rastet e shqiptimit të dënimit sipas nenit 42 parag.2 të KPRK-së”, thuhet në aktgjykim të Apelit.

Ndërsa, arsyet qe përmend Apeli për ashpërsimin e këtij dënimi thuhet të jenë rrethanat rënduese që i ka konstatuar gjykata e shkallës së parë, e që për gjykatën e shkallës së dytë këto rrethana janë posaçërisht rrethana rënduese, e të cilat mbipeshojnë rrethanat lehtësuese të konstatuara nga shkalla e parë dhe të aprovuara edhe nga kjo gjykatë, në praninë e të cilave dënimi i shqiptuar rezulton shumë i butë.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, ishte dënuar nga Themelorja se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në korrik të vitit 2020.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj akuzohet se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë dinake dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin 60 vjeçar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari me thikë dhe me një çekan e godet me thikë fillimisht kushërirën e tij, D.M, pastaj e godet me thikë edhe të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së. Në paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të nenit 173 flitet për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë mizore dhe parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin N.M dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës D.M, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim jo më pak se 5 vite, dhe se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.

Imeraj akuzohet edhe për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës D.M. të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. E që për këtë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë