Apeli e liron nga akuzat për korrupsion ish-rektorin e UP-së, Enver Hasani

Lavdim Bajraktari - Rasti Enver Hasani - 10.10.2017
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Maj 15, 2018

Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuzat për mashtrim në detyrë, ish-rektorin e Universitetit të Prishtinës, Enver Hasani.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar mbrojtësi i Hasanit, avokati Bajram Tmava.

Gjithashtu, më pas për këtë ka njoftuar edhe Gjykata e Apelit, nëpërmjet një komunikate për media.

Aty thuhet se kolegji penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i kësaj gjykate, ka gjetur se nuk është provuar se ai ka kryer ketë vepër penale.

Kurse, Apeli e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë, lidhur më dy të akuzuarit tjerë të këtij rasti, Haki Veliu dhe Albert Rakipi.

“Aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, i datës 18 tetor 2017,  është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit për dënim, ashtu që kjo gjykatë këta të akuzuar për veprën penale për të cilën janë shpallur fajtor i gjykon secilin me nga 1 vit burgim efektiv”, thuhet në komunikatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 tetor 2017, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Hasanit, Haki Veliut e Albert Rakipit, me arsyetimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Sipas aktgjykimit, Enver Hasani është dënuar me 1 vit burgim me kusht, por dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai në periudhën dy vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale.

Kurse, Hakif Veliu e Albert Rakipi, janë dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv. Por, ndaj tyre dënimi me burgim, mund të zëvendësohet me gjobë në shumë prej 10 mijë eurosh.

Sipas këtij aktgjykimi, tashmë të dënuarit nga shkalla e parë obligoheshin që t’ia kompensojnë UP-së shumën prej 70.131.27 euro në afatin prej 90 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Mirëpo, të pakënaqur me këtë aktgjykim të shkallës së parë, kishin mbetur mbrojtësit e të akuzuarve.

Ankesat e palëve,  kolegji i Apelit i kishte shqyrtuar më 2 maj të këtij viti, në një seancë jo publike.

Mbrojtësi i Enver Hasanit, avokati Bajram Tmava, përmes ankesës së tij, i kishte propozuar Apelit që të mbrojturin e tij, ta lirojë nga akuzat për të cilat ishte dënuar nga shkalla e parë.

Sipas Tmavës, nuk ka bazë për të vërtetuar se klienti i tij, Enver Hasani, ka kryer veprën penale për të cilën është dënuar.

Aktgjykim lirues ose kthim të rastit në rigjykim, kishte kërkuar edhe mbrojtësi i Albert Rakipit, avokati Gazmend Nushi, përmes ankesës së parashtruar në Apel, kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) pretendonte se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “mashtrimit në detyrë”.

Sipas PSRK-së, Enver Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Haki Veliu në cilësi të shefit të Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Ragipi në cilësi të drejtorit të Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN) me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për këtë institut, kishin falsifikuar kontratën origjinale lidhur me përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në atë shqipe.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kishin hartuar edhe një kontratë të re, duke shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit nga kontrata origjinale.

Sipas kontratës origjinale, vlera e saj kishte qenë 500.000 euro, përkatësisht çmimi i pagesës për njësi 1000 fjalë 12.65 euro e stipuluar me nenin 17, ndërsa në kontratën e re sipas prokurorisë, kjo pjesë është ndryshuar në 1000 karaktere për 12.65 euro.