Apeli e lë në fuqi dënimin prej 2 vjet e 8 muaj burgim për tentim vrasjen në Jabllanicë të Gjakovës

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin prej 2 vjet e 8 muaj burgim unik, që gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar ndaj të akuzuarit për tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Hajredin Zeneli.

Apelit i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të dëmtuarve dhe mbrojtësit të të akuzuarit, duke e lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Përveç që qasja ndaj fakteve vendimtare ka qenë e drejtë dhe e ligjshme, asnjë fakt nuk ka ngelur i dyshimtë ose i pavërtetuar dhe përveç që janë vërtetuar drejtë ato edhe janë arsyetuar në mënyrë të plotë dhe të saktë”, thuhet ndër të tjera në aktgjykim të Apelit.

Ndërsa, sa i përket vendimit mbi dënimin, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë si rezultat i rrethanave lehtësuese të konstatuara dhe vlerësuara edhe i ka shqiptuar të akuzuarit dënim nën minimumin e paraparë ligjor për të dy veprat penale, përkundër faktit se tek i akuzuari ka gjetur edhe rrethana rënduese, se i njëjti ka qenë i dënuar më parë.

Andaj, sipas Apelit, duke i pasur parasysh të gjitha rrethanat e rastit konkret, se si është zhvilluar ngjarja kritike, kontributin e veprimtarisë inkriminuese të të akuzuarit, por edhe sjelljen e mëparshme të të akuzuarit rezulton se dënimi  që ka shqiptuar gjykata e shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Hajredin Zeneli më 4 mars 2021, në Jabllanicë të Gjakovës, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Fatlind Ahmetaj.

Siç thuhet në aktakuzë, pasi që fjalosen mes vete dhe pasi që biseda ishte tensionuar, i akuzuari Zeneli e kishte nxjerrë briskun nga xhepi i majtë i xhaketës dhe e kishte goditur të dëmtuarin dy herë në qafë, e disa herë në shpinë dhe në bark, me ç’rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ai thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 e lidhur me nenin 28 të KPRK-së, e cila është̈ e dënueshme me jo më pak se pesë vite burgim. Ndërkaq, neni i Kodit Penal përcakton rrethanat kur vepra nuk kryhet por mbetet në tentativë. Aty, parashihet dënimi sikur vepra të ishte kryer, megjithatë, ia lë mundësinë gjyqtarit ta zbusë dënimin.

Zeneli thuhet se ka kryer edhe veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1 pika 1.4, përkatësisht për lëndimet trupore që ia ka shkaktuar të dëmtuarit Labinot Ahmetaj, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë