Apeli e kthen në rigjykim rastin e zyrtarit komunal në Gjakovë që ishte liruar nga akuza për korrupsion

Gjakova (2) (7)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 23, 2021

Gjakovë – Gjykata e Apelit, e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-zyrtarit të gjendjes civile në Komunën e Gjakovës, tani zyrtar i emergjencave në këtë komunë, Shkëlzen Ahmeti, i akuzuar për keqpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 2 nëntor të këtij viti, e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare të akuzuarin Ahmeti.

Ndërsa, sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, ish-gjykatësi Gëzim Pozhegu, gjykata sipas detyrës zyrtare veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar e kishte rikualifikuar në veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së rremë, raporton “Betim për Drejtësi”.

E për këtë vepër penale të rikualifikuar, i akuzuari Ahmeti fillimisht ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, por që me pëlqimin e  tij, dënimi me burgim i ishte zëvendësuar me gjobë në shumën prej 4 mijë euro.

Sidoqoftë, lidhur me këtë aktgjykim të shkallës së parë, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë Prokuroria Themelore në Gjakovë, për shkak të vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimit mbi lirimin nga aktakuza, me propozimin që ky aktgjykim të prishet dhe  çështja të kthehet në rigjykim.

E, Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim të njëjtës gjykatë.

Në arsyetimin e akvendimit të Apelit thuhet se edhe pse aktgjykimi nuk është ankimuar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, megjithatë Apeli e ka shqyrtuar sipas detyrës zyrtare dhe ka gjetur se i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat e kushtëzojnë anulimin e tij. Sipas Apelit aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 1.12 sepse nuk është përpiluar në pajtim me nenin 370 paragrafin 6 dhe 7 të KPPRK-së, meqenëse gjykata ka dështuar të paraqesë në mënyrë të plotë se cilat fakte i ka  vërtetuar apo nuk i ka vërtetuar, duke mos dhënë arsye të mjaftueshme mbi rrethanat e provuara nga pika e parë e dispozitivit të aktakuzës.

Tutje sipas Apelit aktgjykimit të shkallës së parë i mungojnë arsyet bindëse dhe logjike edhe sa i përket pikës dy të dispozitivit të aktgjykimit.

“Për rrjedhojë aktgjykimit i mungojnë arsyet bindëse dhe logjike edhe sa i përket pikës dy të dispozitivit të aktgjykimit që do të bindnin një vëzhgues objektiv për përcaktimin e besueshmërisë se si i akuzuari është vu në lajthim nga personi N.N, i cili e ka sjellë faturën nga KESCO të datës 11.05.2016 lëshuar në orën 08:30 në emër të Ahmet Vishaj, me adresë në rrugën “Nënë Tereza”, nr. 54, Gjakovë, nga ajo ekzistuese fshati Beleg, Komuna  e Deçanit dhe të njëjtën ditë i ka lëshuar ekstraktin e lindjes, me arsyetimin se ka qenë praktike që për ndërrimin e adresës së aplikuesit si document autentik të përdoret edhe fatura për pagesa komunale ku figuron adresa dhe në këtë drejtim i akuzuari edhe e ka ndërruar adresën. Ky konstatim për gjykatën e Apelit është krejtësisht i paqartë, konfuz dhe juridikisht i paqëndrueshëm kur dihet fakti se ligji i gjendjes civile parasheh që personi që kërkon shërbim patjetër duhet të prezentojë letërnjoftimin dhe të identifikohet me numër pasi që me emër dhe mbiemër mund të jenë disa persona.”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të Apelit.

Tutje në arsyetim te Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktgjykimit vetëm ka paraqitur historikun procedural, përmbajtjen nga procesverbalet e seancave nga shqyrtimi gjyqësor lidhur me deklarimin e dëshmitarëve dhe mbrojtjen e të akuzuarit si dhe vetëm ka konstatuar provat material, por pa vlerësim konkret dhe pa paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsye i konsideron të vërtetuara ose të pavërtetuara.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 28 maj 2019, Shkëlzen Ahmeti akuzohet se më 11 maj 2016, në Gjakovë, në cilësinë e zyrtarit në Zyrën e Gjendjes Civile në Komunën e Gjakovës, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjell dobi pasurore të kundërligjshme për vete apo të tjerët.

Siç përshkruhet në aktakuzë, në kundërshtim me nenin 6 të Ligjit nr.02/L-121 për vendbanimin dhe vendqëndrimin, personit të deri tani të panjohur N.N, në mënyrë të kundërligjshme pa ia verifikuar të dhënat ia vërteton të dhënat se gjoja quhet Bujar Vishaj, i lindur më 07/02/1971, dhe se është banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet, se i -akuzuari personit të njëjtë po atë ditë ia lëshon ekstraktin, duke ia mundësuar që në ish-zyrën e regjistrimit civil, tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, ndërsa më 16/5/2016, me pasaportë dhe patentë shoferë.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 para.2-1-2.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i njëjti më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, në dokumentin zyrtar, përkatësisht në ekstrakt, me nënshkrimin e tij si dhe vulën zyrtare vërteton dokumentin zyrtar-ekstraktin, të cilat përmbajnë të dhëna të rreme për këtë person, i cili në mënyrë të kundërligjshme në zyrën e regjistrimit civil, tani Q.P.D në Gjakovë, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga  i pandehuri më 12.5.2016, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, ndërsa më 16/5/2016, me pasaportë dhe patentë shofer.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 434 para.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi