Apeli e kthen në rigjykim rastin e vrasjes në “Bon Vivant”,  konstaton se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerr në kundërshtim me dispozitat ligjore

Apeli_2-585x275
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 27, 2019

Prishtinë – Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi sërish do të dalin para gjykatës së shkallës së parë, për t’u përballur me akuzat për vrasjen që kishte ndodhur më 13 tetor të vitit 2014, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, ku kishte mbetur i vdekur roja i lokalit, Rrahman Uka.

Kjo pasi që, Gjykata e Apelit e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe atë të avokatit Besnik Berisha, si mbrojtës i të akuzuarit Masar Gërdovci, për kthimin e rastit në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për vrasjen e të ndjerit Uka, i akuzuari Gërdovci ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 21 vjet e 8 muaj burgim, kurse i akuzuari Krasniqi ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit.

Sipas Apelit, arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse.

“Përmbajtja e arsyetimit të aktgjykimit të ankimuar përshkruan rrjedhën e zhvillimit të ngjarjes në ditën kritike por jo edhe faktet dhe rrethanat cilësuese”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit të Apelit.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar të Gjykatës së shkallës së parë nuk përmban faktet dhe rrethanat vendimtare që formësojnë elementet objektive dhe subjektive të formës cilësuese veprës penale vrasje e rëndë nga neni 179, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të KPRK-së për të cilën i akuzuari Masar Gërdovci është shpallur fajtor dhe dënuar, e nga arsyeja se në dispozitiv nuk është përfshirë se a ka pasur njerëz në terasën e përparme të lokalit në momentin e kacafytjes dhe shtënies me armë, nëse ka pasur sa njerëz kanë qenë, pastaj cili ka qenë identiteti i tyre, ku gjendeshin në momentin e shkrepjes me armë dhe jeta e cilëve persona konkretë është rrezikuar nga shkrepja e armës e që kjo rezulton në mungesën e përcaktimit të rrezikshmërisë konkrete si element i vepres penale” thuhet ndër të tjera në këtë aktvendim.

Po ashtu, Gjykata e Apelit ka gjetur se në dispozitivin e aktgjykimit nuk është konstatuar dashja e dyfishtë e të akuzuarit Masar Gërdovci për shkaktimin e dy pasojave, privimi nga jeta e viktimës si dhe vënia në rrezik e personave tjerë konkretë të cilat gjendeshin afër personit të privuar nga jeta, çka thuhet se rezulton me mungesën e elementit subjektiv të veprës.

Tutje, Apeli ka konstatuar se gjendja e vërtetuar faktike në aktgjykimin e ankimuar është më ndryshe nga ajo e përshkruar në dispozitivin e aktakuzës, me arsyetimin se përderisa në dispozitivin e aktakuzës ekziston konstatimi se i akuzuari Sherif Krasniqi ia ka marr revolen nga dora të akuzuarit Masar Gërdovci, duke shkrepur dy herë në drejtim të tani të ndjerit Rrahman Uka, në dispozitivin e aktgjykimit të ankimuar konstatohet se i akuzuari Masar Gërdovci, me dashje, duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë në lokal, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rrahman Uka duke shkrepur me revole dy-tre herë në distancë përafërsisht një metër.

Lidhur me këtë rast, kolegji i gjyqtarëve të Apelit i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, gjyqtari referues Abdullah Ahmeti dhe anëtari Kreshnik Radoniqi, më 18 tetor 2019, kishin shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të dënuarve.

E pakënaqur me vendimin e shkallës së parë kishte qenë pala e dëmtuar, në këtë rast familjarët e të njerit Uka, të cilët kishin kërkuar nga Apeli dënime maksimale për Gërdovcin dhe Krasniqin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, kthimin e rastit në rigjykim e kishte kërkuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila e pakënaqur me vendimin e shkallës së parë kishte ushtruar ankesë në Apel, pasi pretendonte se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale.

Ndërkaq, mbrojtësi i të dënuarit Sherif Krasninqi, avokati Haxhi Millaku, kishte ushtruar ankesë për vendimin mbi dënim, me pretendimin se dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim të mbrojturit të tij, aq kohë sa ai kishte qëndruar në paraburgim, e që sipas tij e tejkalon maksimumin e sanksionit penal të paraparë për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, me pretendimin se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është i mangët, i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Sipas tij, gjykata nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, e edhe në rastet kur i ka dhënë, sipas tij, ato janë shumë konfuze.

Ai gjatë seancës deklaroi se aktgjykimi i atakuar duhet të prishet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 janar 2019, Masar Gërdovcin e kishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që e kishte shpallur fajtor për vrasjen që kishte ndodhur më 13 tetor të vitit 2014, në “Bon Vivant” në Prishtinë, e ku ishte mbetur i vdekur roja i lokalit, Rrahman Uka.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi që nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Gërdovcit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Aktgjykimi ndaj tyre ishte shpallur nga gjykatësja Suzana Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini, kishte deklaruar se përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë, është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Ndryshe, lidhur me këtë rast “Betimi për Drejtësi”, më 26 janar 2019, kishte transmetuar një hulumtim, në të cilin ishte trajtuar çështja e asgjësimit të armës me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale ende pa u ngritur aktakuza.

Emisioni i plotë:

Anomalitë e sistemit të drejtësisë

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plag Masa Gërdovci dhe Sherif Krasniqi. /Betimipërdrejtësi