Apeli e kthen në rigjykim rastin e ish-drejtoreshës së Arsimit në Mitrovicë, e cila ishte liruar nga akuza për korrupsion

Apeli_2-585x275
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Gusht 20, 2019

Mitrovicë – Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ish-drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ajmane Barani.

Apeli, sipas aktvendimit të 28 marsit 2019, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, duke e kthyer këtë rast në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktvendimin e Apelit, thuhet se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat ndikojnë në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktvendimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë ka listuar provat e administruar, por nuk e ka qartësuar se cila provë çka vërteton, me ç’ rast, Apeli e ka udhëzuar gjykatën që në rigjykim, për provat e administruara të jep arsyetim për secilën veç e veç.

Në aktvendimin e Apelit, thuhet se duhet vërtetuar se “a ekziston si provë materiale se është shpallur konkurs në muajin mars të vitit 2015, e që sipas prokurorisë nga inspeksioni në Mitrovicë ishte rekomanduar që DKA në Mitrovicë të shpallë konkurs për mësimdhënës të psikologjisë në gjimnazin “Frank Bardhi”, në Mitrovicë, 8 ditë nga marrja e këtij rekomandimi.”

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 13 dhjetor 2018, e kishe liruar nga akuza për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, Ajmane Baranin.

Sipas gjykatësit, Radosllav Markoviq, nuk ishte vërtetuar se e akuzuara ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, lidhur me akuzën për mos përfillje të vendimit të Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë, që kishte vlerësuar se ka gabime në data në procesverbalin e komisionit ku me më së shumti pikë është vlerësuar e dëmtuara Mirdona Istrefi, e që kishte kërkuar që konkursi të ri shpallej, me ç ’rast sërish ishte pranuar në punë një kandidate tjetër.

Gjykatësi, Markoviq, kishte thënë se Inspektorati kishte vlerësuar se procesverbali në fjalë nuk ka pasur bazë ligjore për shkak të gabimeve të datave të cekura në të, ashtu që është theksuar se e njëjta do të jetë në kontratë pune deri më 31 gusht të vitit 2014, e që do të duhej të ishte viti 2015, përderisa intervistimi i kandidatëve është bërë më 24 dhjetor 2014.

Ai kishte thënë se trupi gjykues nuk ka pasur për detyrë të bëjë vlerësimin se cili ka qenë kandidati më i mirë lidhur me konkursin në fjalë, mirëpo sipas tij, janë bazuar në përgjegjësitë zyrtare për të akuzuarën Barani, pasi që atëkohë ajo ka qenë në pozitën e drejtoreshës së Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës.

Andaj, sipas kësaj, ai kishte deklaruar se trupi gjykues ka vlerësuar që të akuzuarën Ajmane Barani ta lirojë nga akuza me të cilën e ngarkonte Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me propozim që Gjykata e Apelit, aktgjykimin e shkallës së parë ta anulojë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe lëndën t`ia kthejë gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 21 nëntor 2017, Ajmane Barani akuzohej se si person zyrtar, në pozitën e drejtoreshës në Drejtorinë Komunale të Arsimit, në Komunën e Mitrovicës, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim që  të  përfitojë dobi pasurore personi tjetër dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës, Mirdona Istrefit.

Bazuar në aktakuzë, Ajmane Barani, këtë vepër e ka kryer në atë mënyrë që nuk e ka përfillur vendimin e komisionit të caktuar për pranimin e mësimdhënësve për lëndën e Psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi” në  Mitrovicë, lidhur me konkursin plotësues të shpallur më 9 dhjetor 2014.

Në aktakuzë thuhet se komisioni ka vendosur për pranim në punë për kandidaten Mirdona Istrefi, e cila ishte vlerësuar me më së shumti pikë (8), por sipas aktakuzës, e akuzuara në vendin e saj ka pranuar një kandidat tjetër, ndërsa konkursi është shqyrtuar më 24 dhjetor 2014.

Gjithmonë sipas aktakuzës, sektori i Inspektoratit të Arsimit në Mitrovicë, ka rekomanduar që të shpallet konkurs për mësimdhënës të lëndës së psikologjisë në gjimnazin “Frang Bardhi”, në Mitrovicë në afat prej 8 ditësh nga dita e marrjes së rekomandimit, por në këtë rast e akuzuara Barani, nuk ka vepruar sipas këtij rekomandimi.

Me këtë, sipas kësaj aktakuze, ajo ngarkohet me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi