Apeli e kthen në rigjykim rastin e dy ish-zyrtarëve të Gjakovës që ishin dënuar me 2 vite e 3 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë për korrupsion

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku ish-drejtori i urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë për keqpërdorim detyre. Si dhe ndaj  ish-arkitektit, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, të cilin shkalla e parë e kishte dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Sipas aktakuzës, Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli ngarkohet se ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin “Orize” në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjykata i ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Meshari Selimaj, Ali Rexha dhe Fillim Skoro,  ashtu që e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje.

Sipas këtij vendimi të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se si i tillë ndikon edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata nuk e ka specifikuar se cilat prova konkrete kanë konstatuar se vendimet e marra nga ana e të akuzuarve ishin të kundërligjshme dhe nuk ishin të bazuara në dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimet, përkatësisht me cilin veprim kanë tejkaluar autorizimet e tyre”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të Apelit.

Tutje sipas Apelit, aktgjykimi duhet të jetë i qartë dhe konkret për të gjithë ata që e lexojnë pavarësisht se a janë profesionistë të fushës ligjore apo jo dhe se këto paqartësi dhe kundërthënie e bëjnë aktgjykimin të tillë që duhet anuluar dhe kthyer në rigjykim.

Po ashtu, në vendim thuhet se sikur gjykata e shkallës së parë t’i kishte trajtuar të gjitha pretendimet e mbrojtjes dhe po ashtu po të kishte caktuar ekspertë nga fusha përkatëse, atëherë do të kishin përgjigje për secilin pretendim të akuzës dhe do të kishin një aktgjykim të qartë dhe konkret pa pasur nevojë për anulimin e tij.

Ndryshe, më 1 qershor 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë e kishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë drejtorin e urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli, për keqpërdorim detyre. Për veprën e njëjtë, ish-arkitektin, tash bashkëpunëtor profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, gjykata e ka dënuar me 1 vit burgim dhe 2 mijë euro gjobë.

Ndaj të akuzuarve është shqiptuar edhe dënimi plotësues, ashtu që të dyve iu ndalua ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 vitesh.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani akuzohej se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin kishte aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë. Aty thuhet se zona në fjalë, sipas projektit të komunës, ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja “Shën Shefqeti”.

Për këtë, Gojani akuzohej për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, pika 2.1 të KPRK-së.

Arben Bakalli akuzohej se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që t’i sillte dobi pasurore Teuta Bakijës, si dhe t’i shkaktonte dëm Komunës së Gjakovës.

Sipas aktakuzës, ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi kishte nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29 dhjetor 2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur, më 28 mars 2018 kishte lëshuar vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë, ai akuzohej për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë