Apeli e kthen në rigjykim rastin e dy ish-ekspertëve të OSHP-së dhe të një biznesmeni, të liruar nga akuza për korrupsion

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku dy ish-ekspertët e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi  në dhjetor 2021 nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishin liruar nga akuzat për keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Gjithashtu në këtë rast i akuzuar është edhe pronari i firmës NTP “Friends”, Armend Selimi, i cili për mashtrim ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, dënim ky i cili i ishte zëvendësuar me 5000 euro gjobë, ndërsa ishte liruar nga akuza për falsifikimi të dokumenteve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj këtij vendimi, brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit kanë paraqitur ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Selimi, avokati Florent Latifaj si dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjykata ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit të akuzuarit Selimi, avokatit Latifaj si dhe sipas detyrës zyrtare e ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim dhe vendosje.

“Me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë si dhe ankesës së mbrojtësit të akuzuarit Selimi, avokati Florent Latifaj dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore-Departamenti i Krimeve të Rënda në Prishtinë, anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatës në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

Sipas vlerësimit të Apelit, aktgjykimi i ankimuar duhet anuluar ngase i njëjti është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, pasi që sipas Apelit, dispozitivi është në kontradiktë me arsyet e theksuara në pjesën arsyetuese të aktgjykimit.

“Arsyetimi i shykatës së shkallës së parë sikurse në pjesën dënuese dhe atë liruese është gjithëpërfshirës, konfuz dhe i paqartë, pra të njëjtit i mungojnë arsyet për faktet vendimtare, ndërsa ato që janë dhënë janë të pamjaftueshme dhe jo bindëse për të nxjerrë përfundimet e paraqitura nga gjykata e shkallës së parë në raport me veprat penale”, thuhet në vendim.

Tutje, Apeli ka vlerësuar se në aktgjykim është vërtetuar gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë gjendja faktike, për faktin se sipas Apelit,  gjykata ka dështuar të paraqes në mënyrë të qartë dhe të plotë arsye të mjaftueshme mbi vlerësimin e deklarimeve të të akuzuarve dhe provave tjera materiale.

Në rigjykim, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminojë kundërthëniet mes dispozitivit dhe arsyetimit, të jep arsyet e qarta në raport me veprimet inkriminuese të të akuzuarve, të procedojë edhe njëherë provat.

“Të kërkoj informacione shtesë nga autoritetet e Anglisë që kanë lëshuar një dokument se firma ekziston, përveç provave materiale të procedoj dhe analizoj edhe njëherë deklarimet e të akuzuarve dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerrë konkluzione të drejta dhe të ligjshme  që vërtetojnë në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike”, thuhet në fund të vendimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 20 dhjetor 2021 kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj dy ish-ekspertëve e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi të akuzuar për veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ndërsa, pronarin i firmës NTP “Friends”, Armend Selimi, i cili akuzohej bashkë me ta, ishte shpallur fajtor për veprën penale të “Mashtrimit” dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, ndërsa ishte liruar nga akuza për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, thuhet se Armend Selimi në cilësinë e pronarit të firmës NTP “Friends” në Prishtinë, nga viti 2013 e deri në korrik të vitit 2014, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka falsifikuar dokumentin më të cilin ka dashur që të fitojë një tender.

Duke dashur të importojë produkte medicinale dhe të sigurojë autorizime nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), thuhet se ka falsifikuar certifikatat e dorëzuara në AKPPM.

Me këtë rast, ai thuhet se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit” dhe atë të “Falsifikimit të dokumenteve”.

Ndërsa, Durim Ramadani dhe Zeqir Fetoshi aktakuza thotë se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare.

Ata thuhet se në cilësinë e ekspertëve të angazhuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, nuk e kanë kryer punën e tyre në përputhje më ligjin, lidhur me tenderin për të cilin Armend Selimi pretendohej se i kishte falsifikuar dokumentet.

Sipas prokurorisë, ata kishin keqpërdorur pozitën e tyre lidhur me tenderin për “Furnizim me material shpenzues” nga lista esenciale nga Ministria e Shëndetësisë. Të njëjtit sipas aktakuzës kishin qenë në dijeni se autorizimi i lëshuar nga Korporata- Prodhuesi “Johnson&Friends” në Londër është i falsifikuar dhe se këtë autorizim e kishte përfaqësuar i pandehuri Armend Selimi.

Në bazë të kësaj, ata thuhej se e kanë ditur se këto dokumente janë të falsifikuara dhe kanë dhënë mendim dhe kanë konstatuar se dosja është origjinale.

Në këtë formë, sipas aktakuzës, kompania “Friends” ka arritur ta fitojë tenderin nga Ministria e Shëndetësisë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë