Apeli e kthen në efektiv burgimin me kusht që Themelorja kishte shqiptuar ndaj të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor

Peje
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shkurt 12, 2020

Pejë – Gjykata e Apelit ka konstatuat se Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim të butë ndaj të akuzuarit për lëndim të rëndë trupor, Fati Qelaj.

Shkalla e parë, më 11 tetor 2019, të akuzuarin Qelaj e kishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, por që shkalla e dytë e ka ashpërsuar një dënim të tillë, duke e kthyer në burg efektiv në kohëzgjatje prej një viti.

Një aktgjykim të tillë, Gjykata e Apelit e ka marr pasi e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata e shkallës së parë, në rastin e shqiptimit të dënimit me burgim të kushtëzuar, të akuzuarit i ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese si pranimin e fajësisë, e duke anashkaluar rrethanat rënduese si pasojën e shkaktuar me veprën penale, pastaj rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhe se me dënimin e shqiptuar nga ana e gjykatës së shkallës së parë, sipas Gjykatës së Apelit nuk mund të arrihet shqiptimi i dënimit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, më 11 tetor 2019, Gjykata Themelore në Pejë e kishte gjykuar të pandehurin Qelaj, me dy vjet burgim me kusht.

Aktgjykimi ndaj tij ishte shpallur pasi që i akuzuari e kishte pranuar fajësinë lidhur me akuzën se në prill të vitit 2019, gjatë një përleshjeje në Pejë, me boks të hekurit, i përbërë me pjesën e shtuar të thikës, i shkakton lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Uranik Gashi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, dënimi me burg ndaj të akuzuarit nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 prill 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Fati Qelaj akuzohet se më 9 shkurt 2019, rreth orës 22:00, në Pejë, përball lokalit “Fox Bar”, me boks të hekurit, i përbërë me pjesën e shtuar të thikës, i shkakton lëndim të rëndë trupor të dëmtuarit Uranik Gashi.

Sipas aktakuzës, pasi dëshmitari Edon Nurçaj, kishte kërkuar nga i pandehuri të dalin jashtë për t’u sqaruar lidhur me një mosmarrëveshje të mëhershme, ku pas një fjalosje vjen i dëmtuari Uranik Gashi, me ç’rast në bisedë e sipër, i pandehuri Qelaj e nxjerr nga xhepi boksin e hekurit dhe e godet të dëmtuarin në anën e majtë të fytyrës, duke i shkaktuar shëmtim të përhershëm. /BetimipërDrejtësi