Apeli e dënon me 25 vjet burgim të akuzuarin për vrasje të dyfishtë në Mitrovicë

Apeli_new 005
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 10, 2019

Prishtinë – Gjykata e Apelit i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 25 vjetësh, të akuzuarit për vrasje të dyfishtë, Florim Sallahu.

Ky dënim i shqiptuar nga Apeli, është për një vit më i ashpër se sa që i kishte shqiptuar të akuzuarit, gjykata e shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 14 shtator 2018, Florim Sallahun e kishte shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje dhe atë e kishte gjykuar me 24 vjet burgim.

Për vrasje të rëndë, Sallahu ishte dënuar me 23 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj.

Gjykata kishte vendosur që në këtë dënim, të akuzuarit t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 shkurti 2017 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Po ashtu, të akuzuarit i ishte konfiskuar edhe arma me të cilën kishte kryer veprën penale.

E kundër këtij aktgjykimi të shkallës së parë, ankesë në Apel ka ushtruar prokuroria dhe atë vetëm për lartësinë e dënimit.

Sipas ankesës së prokurorisë, me rastin e shqiptimit të dënimit, Themelorja kishte marrë parasysh disa rrethana rënduese e lehtësuese, por sipas organit të akuzës, nëse do të vlerësoheshin edhe disa rrethana tjera rënduese atëherë ndaj të akuzuarit do të shqiptohej një dënim edhe më i lartë.

Këto rrethana rënduese, sipas prokurorisë, janë shkalla e lartë e dashjes, fakti se vrasja ishte kryer me paramendim nga i akuzuari dhe se viktima kishte qenë e ndjeshme dhe e moshës së re.

Dënim më të lartë për të akuzuarin, kishin kërkuar edhe palët e dëmtuara në këtë rast, Hajdin Hajdini dhe Besime Bytyqi, të cilët, në seancën e Apelit të mbajtur më 22 maj 2019, për këtë rast, kishin thënë se dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë është i ulët.

Por, si dënim të mjaftueshëm dhe proporcional me veprën e kryer nga i mbrojturi i tij, e kishte e cilësuar dënimin e shqiptuar ndaj Sallahut, avokati i tij, Ramiz Krasniqi.

Siç kishte thënë Krasniqi, vet prokurorja në fjalën e saj përfundimtare, përkatësisht në faqen 3, kishte kërkuar që i akuzuari të dënohej me burgim e jo me dënim të përjetshëm.

Duke vendosur në lidhje me ankesën e prokurorisë, kolegjit i Gjykatës së Apelit, i përbërë nga gjykatësit, Tonka Berishaj, Xhevdet Abazi dhe Abdullah Ahmeti, ka vendosur që ta aprovojë të njëjtën si të bazuar, ashtu që dënimin prej një vit e gjashtë muaj burgim e ka marrë si të vërtetuar, ndërsa për vrasje të rëndë, të akuzuarit ia ka rritur dënimin nga 23 në 25 vjet.

Si dënim unik, Apeli i ka shqiptuar Sallahut dënimin prej 25 vjet burgim.

Fillimisht, në aktgjykimin e Apelit thuhet se shkalla e parë, gabimisht ka aplikuar ligjin penal në dëm të akuzuarit, kur të njëjtin e ka shpall fajtor për vrasje të rëndë nga neni 170 paragrafi 1 lidhur me nën paragrafët 1.3 dhe 1.11.

Kjo, pasi sipas vlerësimit të Apelit, në rastet kur ka shumë rrethana kualifikuese, e që secila prej tyre i jep vrasjes karakter kualifikues sipas një e më shumë nën paragrafëve të nenit 179 par. 1 të KPRK-së, atëherë, gjykata e kualifikon veprën penale të vrasjes vetëm sipas njërës nga trajtat kualifikuese të parapara sipas njërit nga nën paragrafët e nenit 179 par. 1 të KPRK-së, ndërsa, rrethanat tjera kualifikuese që i gjen gjykata e që shprehen edhe me format tjera kualifikuese i merr vetëm si rrethana rënduese me rastin e matjes së dënimit.

Për këtë arsye, Apeli e ka rikualifikuar veprën penale, ashtu që të akuzuarin e ka shpallur fajtor për veprën penale nga neni 179 paragrafi 1 lidhur me nën paragrafin 1.11, ndërsa e ka hequr nën paragrafin 1.3.

“I akuzuari është dashur të shpallet fajtor sipas nën par. 11 të par. 1 të nenit 179 të KPRK-së, pasi që kemi të bëjmë me dy vepra penale të vrasjes, kurse, elementet kualifikuese të parapara sipas nën par. 3 të par. 1 të nenit 179 të KPRK-së, që përfshihen tek një vrasje, do të duhej të merren vetëm si rrethana rënduese me rastin e matje së dënimit, për çka, kjo gjykatë duke vepruar sipas detyrës zyrtare gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka bërë shkelje të ligjit penal në dëm të akuzuarit kur e ka shpallur fajtor të akuzuarin për vrasje të rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 3 e 11 të KPRK-së, prandaj, edhe e bëri ricilësimin juridik të veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 3 e 11 të KPRK-së, në vrasje të rëndë nga neni 179 par. 1 nën par. 11 të KPRK-së.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Duke vendosur lidhur me ankesën e prokurorisë lidhur me vendimin mbi dënim, në aktgjykimin e Apelit thuhet se edhe pse shkalla e parë drejt i ka konstatuar rrethanat lehtësuese dhe rënduese, të cilat i ka gjetur tek i akuzuari, të njëjtat nuk i ka vlerësuar realisht dhe atë sidomos rrethanën lehtësuese përgjegjësia e zvogëluar, të cilën sipas Apelit, e ka mbiçmuar.

Sipas vlerësimit të Apelit, gjykata e shkallës së parë gjatë vlerësimit të rrethanave lehtësuese ka bërë dyfishimin e tyre duke i vlerësuar, pra, kështu, nga dy herë rrethanat e njëjta, ngase, nëse i akuzuari ka shprehur keqardhje dhe është penduar dhe pastaj konstaton sërish se ka pasur sjellje korrekte në gjykatë, atëherë me këtë, rezulton se të njëjtat rrethana i ka vlerësuar disa herë.

Po ashtu, sipas Apelit, nuk janë vlerësuar realisht në rastin konkret as rrethanat rënduese dhe atë sidomos mënyra e kryerjes së veprës penale, ngase, kur merret parasysh mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari e thërret më parë tani të ndjerin Jahja, që të bisedojë, duke shfrytëzuar kështu raportet shoqërore me tani të ndjerin, pastaj, në bisedë e sipër e qëllon me armë zjarri, pastaj, ka edhe rrethana tjera si, sjelljet e mëhershme të akuzuarit ndaj tani të ndjerës Miradije – pra, bashkëshortes së tij, ku i njëjti edhe më parë është sjellë në mënyrë të dhunshme me tani të ndjerën

“..pastaj, motivin e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari për të vetmen arsye, pra vetëm për shkak të dyshimeve në tani të ndjerën, e privon nga jeta, prandaj, janë të gjitha këto rrethana rënduese, që po ashtu, gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar realisht, e që me të drejtë potencohen edhe nga prokuroria e që në krahasim me rrethanat konkrete lehtësuese, rezulton se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është  i butë, për çka, kjo gjykatë e ndryshoi aktgjykimin e ankimuar dhe të akuzuarit i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzet e pesë) vjet, për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund të aktgjykimit të Apelit, thuhet se ky dënimi i shqiptuar tani të akuzuarit nga Gjykata e Apelit, është i drejtë dhe i ligjshëm dhe në harmoni me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale dhe me shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit, po ashtu, i njëjti është në funksion të preventivës gjenerale, por edhe asaj individuale dhe se me dënimin e shqiptuar do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë në dispozitat e nenit 41 të KPK-së.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, të ngritur më 30 tetor 2017, Florim Sallahu akuzohet se më 16 shkurt 2017, rreth orës 22:00, në fshatin Vërnicë të Vushtrrisë, në vendin e quajtur “Te çeshmja”, në afërsi të lumit të fshatit, me dashje  dhe me paramendim ka kryer dy vrasje për motive të ulëta, fillimisht duke privuar nga jeta tani të ndjerin Jahja Hajdinin dhe pastaj në dhomën e tyre të gjumit në shtëpinë e tij ka privuar nga jeta edhe bashkëshorten Miradije Sallahu.

Bazuar në aktakuzë, vrasja është bërë në atë mënyrë që i pandehuri, me qëllim që të vras tani të ndjerin Hajdini, fillimisht i ka telefonuar duke i caktuar takimin dhe duke insistuar që tani i ndjeri të vijë me automjetin e tij afër shtëpisë së të pandehurit, në të cilin automjet ka hyrë i pandehuri dhe kanë vazhduar në drejtim të rrugës së fshatit për dalje në qytet, ku në momentin e arritjes afër lumit,  i pandehuri ka nxjerrë armën e zjarrit, pistoletën e markës “Pietro Bereta”, dhe me të ka qëlluar në pjesën ballore të kokës tani të ndjerin Jahja Hajdini, i cili në ato momente ishte duke drejtuar automjetin.

Më pas, aktakuza përshkruan se pas goditjes së pësuar, këmba e të ndjerit ka mbetur në pedalin e gazit të automjetit, me ç’rast është rritur shpejtësia e veturës dhe përfundon në lumin e fshatit, kurse i pandehuri arrin të hidhet nga vetura në tokë ku në ato qaste aty afër arrin dëshmitari Fatmir Sallahu, me automjetin e tij, dhe i pandehuri duke e gënjyer kinse ka pësuar aksident i kërkon dëshmitarit ta dërgojë në shtëpinë e tij.

Në vazhdim, sipas aktakuzës, pasi që i pandehuri arrin në shtëpinë e tij, i njëjti ka shkuar në katin e dytë në dhomën e gjumit, ka takuar bashkëshorten të cilën e godet me armën e zjarrit në kokë pastaj armën e fshehë pas objektit ndihmës te depoja e thëngjillit dhe ikë nga vendi i ngjarjes.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë”, nga neni 179, parag 1, nën parag 1.3, 1.8 dhe 1.11 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi