Apeli ashpërson dënimin me gjobë ndaj ish-zyrtarit të Klinës, i dënuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare

Gjykata foto 3 (1)
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Shkurt 11, 2020

Pejë – Gjykata e Apelit ka shqiptuar dënim më të lartë sesa Gjykata e Pejës ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Klinës, Valdet Berisha, i akuzuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Berisha akuzohet se kishte regjistruar në mënyrë të rreme në sistemin e gjendjes civile një person, i cili nuk kishte qenë i regjistruar në librat amzë, duke i mundësuar atij të merr shtetësinë kosovare dhe pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës.

Më 27 nëntor të vitit 2019, Gjykata Themelore në Pejë Berishën i kishte dënuar me gjashtë muaj burg, por me pëlqimin e të akuzuarit, ky dënim atij i ishte zëvendësuar në gjobë, në shumë prej 1500 euro.

Por, këtë dënim e ka ashpërsuar gjykata e shkallës së dytë, e cila ka shqiptuar dënim me gjobë, në shumë prej 2500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Pejë, që ndaj të akuzuarit Berisha të shqiptohet një dënim më i ashpër, Apeli e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të datës  16 janar 2020,  thuhet se kjo gjykatë ka gjetur se ankesa e Prokurorisë së Pejës është e bazuar për faktin se Gjykata Themelore në Pejë nuk kishte vlerësuar drejtë  rrethanën se i pandehuri kishte qenë edhe më parë i dënuar për veprime të tilla të falsifikimit.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit edhe pse i pandehuri e ka pranuar fajësinë është penduar për veprën e kryer, ankesa me të drejtë vlerëson se nuk është marrë parasysh rrethana se i pandehuri ka qenë edhe më parë i dënuar. Nuk janë vlerësuar karakteristikat personale të pandehurit, sjelljen e të pandehurit pas kryerjes së veprës penale, e cila rrethanë nuk është vlerësuar drejt nga gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit duke marrë parasysh se dënimi i shqiptuar me gjobë nuk është në përpjesëtim me peshën e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të pandehurit, Gjykata e Apelit e ndryshoj aktgjykimin lidhur me vendimin mbi dënim ashtu siç është kërkuar në ankesën e Prokurorisë Themelore në Pejë”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Ndryshe, ish-zyrtari i Komunës së Klinës, Valdet Berisha, pasi që e kishte pranuar fajësinë, për të tretën herë ishte dënuar më 27 nëntor 2019, nga Gjykata Themelore në Pejë për falsifikim të dokumentit zyrtar.

Berisha ishte i gjykuar edhe më herët nga Gjykata Themelore në Pejë për raste të ndryshme të regjistrimit të personave, ku ishte dënuar me 16 muaj burgim efektiv nga gjykatësja Lumturije Muhaxheri dhe 2500 euro gjobë, për një rast tjetër të falsifikimit nga gjykatësi Sylë Lokaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 11 tetor 2019, ish-zyrtari komunal në Komunën e Klinës, Valdet Berisha akuzohet se më 12 tetor 2015, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, si person zyrtar, ka shënuar të dhëna të rreme në sistemin e regjistrimit civil të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në cilësinë e zyrtarit të gjendjes civile, i ka regjistruar të dhënat e personit Qatip Puci, shtetas i Shqipërisë, në sistem të regjistrimit të gjendjes civile, edhe pse i njëjti nuk ka qenë fare i regjistruar në librat amzë të gjendjes civile, duke i mundësuar personit Puci marrjen e shtetësisë kosovare dhe pajisjen me dokumentacion të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi