Apeli aprovon ankesën e Prokurorisë, ashpërson dënimin ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Raporton: Nuraje BLLACA

Prishtinë – Gjykata e Apelit të Kosovës, ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), dhe ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të Departamentit Special përkitazi me vendimin mbi dënimin ndaj Fidan Demollit të akuzuar për terrorizëm, ashtu që e ka gjykuar të njëjtin me 3 vite burgim.

Ndërkaq, sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Demolli ishte dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë që luftoi për ISIS-in, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e siguruar nga ‘‘Betimi për Drejtësi’’ thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë edhe pse nuk është ankimuar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, Gjykata e Apelit ka vlerësuar sipas detyrës zyrtare se ky aktgjykim nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se nuk është shkelur ligji penal të akuzuarit.

Po ashtu, sipas Gjykatës së Apelit është vlerësuar aktgjykimi vetëm në drejtim të pretendimeve ankimore përkitazi me vendimin mbi dënimin, pasi i akuzuari në shqyrtim fillestar ka pranuar fajësinë dhe gjyqtarja ka pranuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Në vazhdim thuhet se Gjykata e Apelit gjeti se rrethanat lehtësuese të konstatuara në aktgjykimin e ankimuar, për të akuzuarin janë mbipeshuar dhe me këtë kanë vlerësuar se dënimi i shqiptuar të akuzuarit për këtë vepër penale është i butë, kur gjykata me aplikimin e dispozitave të nenit 75 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 të KPRK-së sa i përket zbutjes së dënimit nuk u detyrua nga kufizimet e nenit 76 të KPRK-së, edhe pse me këtë qëndrim juridik të gjykatës së shkallës së parë përkitazi me këtë dispozita pajtohet edhe gjykata e shkallës së dytë.

‘‘Rrethanat lehtësuese të konstatuara në aktgjykimin e ankimuar për të akuzuarin dhe atë pranimin e fajësisë, pendimin e thellë dhe premtimin se në të ardhmen nuk do të kryej veprime inkriminuese, gjendjen e tij familjare, që është baba i gjashtë fëmijëve, gjendjen ekonomike, është i pa pune si dhe moshën e re të tij i pranon edhe kjo gjykate’’, thuhet në vendimin e Apelit.

Mirëpo, sipas Gjykatës së Apelit, duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të të akuzuarit, pasi që edhe përkundër faktit se njëherë ishte kthyer në Kosovë nga vendluftimi në Siri, ai prapë kishte shkuar për tu bashkuar organizatës terroriste ISIS në Siri, e që kjo gjykatë e ka vlerësuar si rrethanë rënduese.

Tutje thuhet se, duke marr për bazë këtë rrethanë, shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të kësaj vepre penale, sipas Apelit e arsyetojnë shqiptimin e dënimit me burgim si në dispozitiv të aktgjykimit me bindje se dënimi i tillë është në përpjesëtim të plotë me shkallën e rrezikshmërisë shoqërore të kësaj vepre penale si dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit.

Po ashtu, sipas gjykatës së shkallës së dytë, me këtë dënim do të arrihet qëllimi i dënimit për këtë vepër penale, për të parandaluar kryesin nga kryerja e veprave penale dhe të bëjë rehabilitimin e tij në të ardhmen si dhe të parandalojë persona të tjerë nga kryerja e veprave penale dhe të shpreh gjykimin shoqëror për veprën penale dhe ngritjen dhe forcimin e detyrimit për respektim të ligjit.

Ndërkaq, Gjykata e Apelit ka refuzuar pretendimin e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij që në dënimin e shqiptuar të i llogaritet koha e kaluar në ndalim në territorin e Sirisë, me arsyetimin se nuk ka gjetur provë për të vërtetuar këtë provë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 15 dhjetor 2021, i akuzuari Fidan Demolli në gusht të  vitit 2014, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS në Siri, së bashku me personin Ardian Hyseni, nga Prishtinë, përmes vendkalimit kufitar “Hani i Elezit”, kishin depërtuar në Maqedoninë e Veriut.

Siç thuhet në aktakuzë, më pas përmes Bullgarisë kishin arritur në Turqi-Stamboll e pastaj në Gazientep dhe pas kontaktit me Burim Demollin, kishin depërtuar në brendi të Sirisë dhe ishin regjistruar në ISIS, ishte pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe pas ushtrimeve luftarake kishte marrë pjesë në luftërat në Siri.

Sipas PSRK-së, më pas i njëjti është dorëzuar tek Forcat Demokratike Siriane ku ka qëndruar deri më 17 korrik 2021, me ç’rast është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, Demolli ngarkohej me veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga nenin 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë