Anulohet vendimi i kundërligjshëm i prokurores Hajdari pas emisionit “Betimi për Drejtësi”

“Betimi për Drejtësi”

Prokurorja Drita Hajdari, njëherësh ish-Koordinatore kundër Korrupsionit në Prokurori të Shtetit, 40 ditë pasi kishte marr vendim për të amnistuar vepra penale në kundërshtim me Ligjin për Amnisti, ka kërkuar që vendimi i saj të anulohet, pasi vetë e ka pranuar se gabimisht e ka zbatuar Ligjin për Amnisti.
Ky gabim, i cili ka rezultuar më nxjerrjen e një vendimi të kundërligjshëm, ka prodhuar efekte juridike në favor të pandehurit S.K., duke pushuar hetimet ndaj tij për dy vepra penale “Shmangie nga tatimi” dhe “Keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”.
Sipas kallëzimit penal, i amnistuari nga prokurorja Drita Hajdari, ka bërë shmangie nga tatimi për rreth gjysmë milioni euro, përkatësisht 404.970 euro tatime që nuk ja ka paguar shtetit, por për cilat tatime është amnistuar në tërësi me vendim të prokurores. Pas publikimit të këtij rasti në emisionin “Betimi për Drejtësi”, prokuroria ka lëvizur, duke filluar hetimet në këtë rast, në të cilin prokurorja Drita Hajdari kishte amnistuar vepra korruptive.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, në një intervistë për emisionin “Betimi për Drejtësi” ka konfirmuar se prokurorja Drita Hajdari ka marrë nxjerrë një vendim të kundërligjshëm për amnisti të rreth gjysmë milioni euro tatim. “Nga prokurorja Drita Hajdari është marr një vendim në emër të Ligjit për Amnisti edhe pse kjo vepër nuk është amnistu… Ndërkohë është ba publike kjo çështje dhe ne e kemi marrë landën bashkë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezin dhe Kryeprokurorin e Shtetit dhe e kemi shiqu dhe e kemi parë të arsyeshme që të veprohet në këtë lëndë, të fillojnë hetimet edhe aktvendimi të tërhiqet”.
Sipas Kryeprokurorit Imer Beka, sa i përket Ligjit për Amnisti ka pasur sqarime të mjaftueshme dhe për këtë qëllim Kryeprokurori i Shtetit kishte nxjerrë Udhëzues për zbatimin e këtij ligji. “Prokurorja ose prej ngutie ose prej pakujdesisë e ka nxjerrë një aktvendim të tillë, mirëpo megjithatë tani e shohim se aktvendimi është i kundërligjshëm dhe nuk është konform Ligjit për Amnisti”. Kryeprokurori Beka thekson se ka pasur shpjegime të mjaftueshme për të mos gabuar në zbatimin e Ligjit për Amnisti, ndërsa për vendimin e kundërligjshëm të Drita Hajdarit, thotë se duhet pyetur vetë atë se pse ka vendosur në kundërshtim me ligjin. “Kam mendu se i kemi krejt të qarta, mirëpo se pse ka ndodh kjo duhet pyetur personin, i cili e ka ba këtë veprim, pra ai të sqarohet për këtë veprim”. Duke komentuar këtë vendim të kundërligjshëm të prokurores Hajdari, Kryeprokurori Imer Beka, thotë këtë gabim prokurorja e ka kuptuar vetë. “Këtu një e mirë nuk ka ndodhë… Prandaj, ajo e ka kërkuar ndihmën prej Kryeprokurorit të Apelit dhe prej nesh që të sanohet ky dëm ose ky gabim që është ba nga prokurorja që të hiqet ky aktvendim që na po e quajmë i kundërligjshëm…”
Amnistia e kundërligjshme e këtyre veprave penale ishte theksuar në raportin e Instituti i Kosovës për Drejtësi, “Korrupsioni në Kosovë: Raport vlerësues mbi efikasitetin e sistemit prokurorial në zbatimin e planit të veprimit për rastet e korrupsionit”. Sipas raportit, këto vepra ishin amnistuar në kundërshtim me nenin 3 të Ligjit për Amnisti, në të cilin përcaktohen qartë kushtet për dhënien e amnistisë. Sipas këtij neni, del se veprat penale të amnistuara nga prokurorja Hajdari janë amnistuar kundërligjshëm, pasi për amnistinë e tyre paraprakisht është dashur të kryhet vepra penale e thirrjes për rezistencë.
Pas publikimit të raportit të IKD-së, inspektorët në Zyrën e Prokurorit Disiplinor, kanë filluar hetimet për këtë rast dhe rastet tjera, të cilat janë publikuar në raport, për të vërtetuar nëse ka elemente të sjelljes së pahijshme nga prokurorët.
Prokurorja Drita Hajdari, ishte ftuar në emisionin e kaluar “Betimi për Drejtësi” për të debatuar rreth luftës kundër korrupsionit në Kosovë, ndërsa posa ishte njoftuar se do të diskutohet edhe vendimi i saj i kundërligjshëm për amnisti të veprave penale korruptive, ajo e ka lëshuar debatin me arsyetimin se nuk dëshiron që të diskutoj rreth vendimit të saj të kundërligjshëm. Ekipi i emisionit “Betimi për Drejtësi” ka kërkuar që të zhvilloj një intervistë me prokuroren Hajdari për të shpjeguar se pse ajo kishte vendosur në mënyrë të kundërligjshme. Fillimisht ajo ka pranuar që ta zhvilloj intervistën, ndërsa më pas nuk është përgjigjur.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë