Anulohet seanca për korrupsion ndaj zyrtarëve të Spitalit të Gjakovës

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Është anuluar seanca gjyqësore në Gjykatën e Pejës ku pritej të mbahet gjykimi ndaj tre zyrtarëve të Spitalit “Isa Grezda” në Gjakovë, ndaj të pandehurve Skender Ndrecaj, ish-drejtor i infermierisë në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë tani infermier, Leonora Ymeraga, juriste në zyrën e personelit në këtë spital dhe ish-infermieres Fatmire Sahiti, ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për korrupsion.

Për anulimin e kësaj seancë për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Tringa Zhuti e cila tha se kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj e ka anuluar seancën për arsye objektive.

Për anulimin e kësaj seance ishin njoftuar të gjitha palët paraprakisht.

Seanca e radhës u caktua më 6 qershor 2022.

Ndryshe, ky rast penal është transferuar nga Gjykata e Gjakovës në Gjykatën e Pejës për trajtim pasi për shkaqe të objektivitetit të procesit penal.

Ndryshe, me 21 qershor 2021,  Gjykata Themelore në Gjakovë e ka hudhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ish-infermieres në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, Fatmire Sahiti.

Sipas aktakuzës, Skender Ndrecaj dhe Leonora Ymeraga po akuzohen se në intervalin kohor duke filluar nga muaji maj e deri në muajin nëntor të vitit 2019, i pari në cilësi të drejtorit të infermierisë në Spitalin e Përgjithshëm “Isa Grezda” në Gjakovë dhe kjo e fundit në cilësi të juristes në zyrën e personelit në këtë spital, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke mos përmbushur detyrat zyrtare të tyre me qëllim që t’i sjellin dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme për tjetrin si dhe t’i shkaktojnë dëm të tjerëve.

Tutje sipas aktakuzës, këtë ata dy e kanë bërë duke vepruar në kundërshtim me nenin 70 paragrafin 1 të Ligjit të Punës edhe pse përmes parashtresës së datës 07.05.2019 nga infermieri kryesor Liridon Marku kanë qenë të njoftuar se Fatmire Sahiti, e punësuar si infermiere instrumentare në traktin operativ me dhomë zgjimi nuk paraqitej në vendin e punës nga data 02.5.2019, nuk kanë ndërmarrë veprime për ta njoftuar menaxhmentin e spitalit për vazhdimin e procedurave ligjore për shkëputjen e kontratës së punës, me çka të akuzuarës Fatmire i kanë mundësuar marrjen e pagës edhe pse në periudhën kohore nga muaji maj e deri në muajin nëntor 2019 nuk është paraqitur në vendin e punës, përkatësisht nuk ka punuar,  me çka buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 2,716.02 euro.

Për këtë, ata po akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Tutje, sipas aktakuzës, e akuzuara Fatmire Sahiti, në cilësinë e personit zyrtar si infermiere ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare në mënyrë që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore si dhe t’i shkaktojë dëm të tjerëve, në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me nenin 69 paragrafin 2 të Ligjit të Punës, paraprakisht nuk e ka njoftuar me shkrim menaxhmentin për shkëputjen e marrëdhënies së punës, ka inkasuar mjete materiale si pagë mujore për periudhën kohore nga muaji maj e deri në nëntor 2019 edhe pse gjatë kësaj periudhe kohore nuk paraqitej në vendin e punës, me çka buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar dëm material në shumën prej 2,716.02 euro.

Për këtë, ajo po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë