Anulohet seanca në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave ndaj ish-sekretarit të MASHT-it dhe atij të Gjykatës Kushtetuese 

Pallati
Author

Raporton: Sabina PERGEGA 

Nëntor 6, 2018

Prishtinë – Është anuluar seanca e paraparë të mbahej të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e shënjestruar për liberalizim të vizave, ndaj ish-sekretarit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Xhavit Dakaj dhe ish-sekretarit të Gjykatës Kushtetuese, Milot Vokshi.

Dakaj e Vokshi po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe cenim të barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, për “Betimi për Drejtësi”, tha se prokurori special Atdhe Dema, me anë të një parashtrese, kishte kërkuar shtyrjen e seancës me arsyetimin se gjendej në një udhëtim jashtë shtetit.

Sipas Kashtanjeves, pas marrjes së kësaj parashtrese i kishin njoftuar palët për anulimin e kësaj seance.

Ndërkaq, seanca e radhës pritet të mbahet me 20 nëntor 2018, në ora 13:00.

Ndryshe, në këtë seancë ishte paraparë që të jap mbrojtjen ish-sekretari i Gjykatës Kushtetuese, Milot Vokshi, pasi që Dakaj e kishte përfunduar dhënien e mbrojtjes në seancën e 10 tetorit të këtij viti.

Ai kishte deklaruar se i kishin shfrytëzuar 120 mijë euro për shtypjen e librave dhe materialeve tjera, pasi nëse nuk do shfrytëzoheshin këto para, sipas tij, MASHT-i nuk do të financohej në vitin e ardhshëm, duke shtuar se nuk i kishte kushtuar dëm buxhetit të Kosovës, pasi sipas Dakajt, nëse nuk do të ishte lidhur marrëveshja e mirëkuptimit dëmi për MASHT-in do të kishte qenë 120 mijë euro.

“Asnjë milimetër nuk kam pasur qëllim përfitimi për vete apo tjetrin si dhe nuk e kam dëmtuar askënd me veprimet e mija”, kishte deklaruar në fund Dakaj.

Ky rast, i cili më 19 qershor 2017, ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit, është i shënjestruar për liberalizim të vizave.

Dakaj dhe Vokshi, në dhjetor të vitit 2016, ishin shpallur fajtorë për këto dy vepra penale dhe sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dakaj ishte dënuar me dhjetë muaj burgim efektiv, ndërsa Vokshi me gjashtë muaj.

Gjykata e Apelit, kishte kërkuar nga prokuroria që të bëj edhe njëherë precizimin e akuzës, pasi që sipas kësaj gjykate, dispozitivi ishte i paqartë.

Në dhjetor të vitit 2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhevat Dakaj, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për kryerjen e veprës penale ”keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Milot Vokshin, sekretar i përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Dy të akuzuarit dyshohen se kishin tejkaluar kompetencat e tyre, ku më 12 dhjetor 2014 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme, kishin lidhin marrëveshje të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MASHT-it.

Kjo kontratë ishte lidhur më herët nga Gjykata Kushtetuese dhe kompania “Grafo-Loni”, për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë është dëmtuar edhe buxheti i shtetit të Kosovës.

Sipas prokurorisë, Dakaj dhe Vokshi, duke kufizuar qarkullimin e shërbimeve, kishin ngushtuar konkurrencën dhe i kishin vënë subjektet tjera biznesore “XHAD”, “KGT”, “Printing press”, “NORD”, “Blendi” dhe “Prograf”, në pozita të pabarabarta për të favorizuar “Grafo-Lonin”.

PSRK-ja në këtë aktakuzë për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, kishte përfshirë edhe tre zyrtarë tjetër, zyrtarin e prokurimit, Xhemajl Buzukun, zyrtarin financiar në MASHT, Fehmi Zylfiun dhe zyrtaren certifikuese Bukurije Borovcin, të cilët akuzoheshin se në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik (LPP) dhe Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike, kishin lejuar të kryhen pagesat në emër të kompanisë “Grafo-Loni”.

Sipas PSRK-së, ishin lidhur për furnizimin me libra dhe broshura për MASHT-in, duke u bazuar në marrëveshjen e jashtëligjshme të mirëkuptimit mes MASHT-it dhe Gjykatës Kushtetuese, duke i mundësuar kësaj kompanie përfitim të jashtëligjshëm. /Betimipërdrejtësi