Anulohet seanca e rigjykimit për korrupsion ndaj ish-shefit të Shërbimeve Publike në Malishevë

Gjakova2020
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 20, 2020

Gjakovë – Është anuluar seanca e paraparë që të mbahet të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, në rastin ku ish-shefi i Shërbimeve Publike në Malishevë, Ismet Mazreku, po akuzohet për keqpërdorim detyre.

Sipas aktakuzës, Mazreku po akuzohet se me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë vepër, Gjykata Themelore në Gjakovë, më 20 janar të këtij viti, e kishte dënuar Mazrekun me gjashtë muaj burgim, i cili më pas me pëlqimin e të akuzuarit ishte zëvendësuar në dënim me gjobë, në shumën prej 3,400 euro, dënim të cilin më pas e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Mirëpo, Gjykata Supreme e Kosovës, më 20 korrik të këtij viti i ka anuluar aktgjykimet e themelores dhe apelit, duke e kthyer kështu rastin në rivendosje në shkallën e parë.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani deklaroi se kjo seancë është anuluar për shkak se anëtarja e trupit gjykues, Besarta Doli gjendet në pushim mjekësor.

Ai shtoi se në pushim mjekësor gjendet edhe prokurori i rastit Ramiz Buzhala dhe se të gjitha palët janë njoftuar paraprakisht për shtyrjen e seancës.

Seanca e radhës është caktuar që të mbahet më 3 dhjetor.

Ndryshe, Gjykata Supreme duke vepruar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga avokati Emrush Kastrati, i ka anuluar aktgjykimet e themelores dhe apelit, dhe e ka kthyer rastin në rivendosje në shkallë të parë.

Supremja ka gjetur se aktgjykimi i themelores është në kundërshtim me dispozitivin e aktgjykimit, arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me përmbajtjen e kontratës së prokurimit, arsyetimi i aktgjykimit është në kundërshtim me dispozitivin, dhe se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm.

“Nga të gjitha këto rezulton se edhe pretendimi në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë për atë se nuk është vërtetuar në mënyrë ligjore dashja e të dënuarit për kryerjen  e veprës penale dhe se në dëm të tij është bërë shkelje e ligjit penal, për tani është i bazuar”, thuhet ndër të tjera në arsyetim të Supremes.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 13 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Ismet Mazreku, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, shef i Shërbimeve Publike në Komunën e Malishevës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshme të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, me rastin e inicimit të “kërkesës për furnizim me kabllo elektrike” për nevojat e fshatit Gajrak të Komunës së Malishevës, dhe menaxhimit të kontratës së prokurimit, në vlerë prej 8.728.90 euro, nga kompania N.T.SH “Leoni” me seli në Malishevë, të cilën edhe pse e ka pranuar, duke konfirmuar në bazë të raportit të 27 tetorit 2015, nuk vërtetohet se e njëjta është investuar në fshatin Gajrak te Komunës së Malishevës.

Më këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 par.2 pika 2.1 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi