Anulohet seanca e gjykimit për korrupsion ndaj drejtorit të urbanizmit në Gjakovë dhe ish-arkitektit

Salla
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Janar 12, 2021

Gjakovë – Është shtyrë në kohë të pacaktuar gjykimi në rastin ku drejtori i urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli dhe ish-arkitekti, tash bashkëpunëtori profesional në këtë drejtori, Agron Gojani, po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Sipas aktakuzës, Gojani po akuzohet se kishte aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, ndërsa Bakalli se ka nënshkruar dhe lëshuar vendimin për të ndërtuar në kompleksin Orize në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për anulimin e kësaj seance është kalimi i kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Mentor Bajraktari, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në njoftimin për anulimin e kësaj seance thuhet se për vazhdimin e seancës palët do të njoftohen me thirrje të rregullta nga kjo gjykatë.

“Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor e caktuar për datën 12.01.2021, në ora 10:00, për të cilën keni pranuar thirrjet nga kjo gjykatë ju njoftojmë se e njëjta është anuluar për shkaqe objektive të kryetarit të trupit gjykues, ashtu që për vazhdimin e seancës, përkatësisht caktimin e ardhshëm të shqyrtimit gjyqësor do të njoftoheni me thirrje të rregullta nga kjo gjykatë.”, thuhet në njoftimin e gjykatës dërguar palëve në procedurë.

Ndryshe, pas pensionimit të ish-gjykatësit të Departamentit për Krime të Rënda, Gëzim Pozhegu, si dhe kalimit të gjykatësit Mentor Bajraktari në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën e Gjakovës është avancuar gjykatësit Drilon Haraçia.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 18 qershor 2020, Agron Gojani po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, arkitekt në Drejtorinë për Urbanizëm në Komunën e Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Udhëzimin Administrativ 06/2017, me të cilin edhe pse paraprakisht i kërkohej bashkimi i parcelave para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore, duke lëshuar vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv me etazhitet B+P+8+KSH në gjashtë parcela kadastrale të familjes Bakija, në kundërshtim me planin urbanistik “Revidimi i Kompleksit Orize1/18 Gjakovë” të miratuar nga Kuvendi Komunal në Gjakovë, ku në këtë zonë sipas projektit të komunës ishte e paraparë të jetë zonë gjelbëruese gjatë gjithë segmentit rrugor deri tek tyrbja Shen Shefqeti.

Për këtë, ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi.1 pika 2.1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Arben Bakalli po akuzohet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e Drejtorit në Drejtorinë për Urbanizëm Gjakovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të sjellë dobi pasurore për Teuta Bakija, si dhe t’i shkaktojë dëm Komunës së Gjakovës.

Siç thuhet në aktakuzë, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, pasi ka nënshkruar vendim mbi kushtet ndërtimore sipas kërkesës së datës 29.12.2017 për ndërtimin e objektit kolektiv të lartcekur dhe më 28 mars 2018 lëshon vendimin për leje ndërtimore në kundërshtim me planin urbanistik.

Për këtë , ai po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi. 1 pika 2.1. /BetimipërDrejtësi