Anulohet gjykimi ndaj referentes së Gjykatës në Graçanicë e akuzuar për korrupsion dhe dy të tjerëve

Natasha Maksimoviq Foto
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 21, 2020

Prishtinë – Është anuluar seanca ndaj referentes së Gjykatës Themelore në Prishtinë-Dega në Graçanicë, Natasha Maksimoviq e akuzuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, dhe ndaj dy të akuzuarve për veprën penale “legalizim të përmbajtjes së pavërtetë”, Valmir Lleshaj dhe Ismet Mehmeti.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica ka njoftuar se për shkak të mungesës së stafit për shkak të situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, e kishte anuluar këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E njëjta njoftoi se për seancën e së martës ishte paraqitur vetëm e akuzuara Maksimoviq dhe prokurorja e rastit Dulina Hamiti, mirëpo sipas saj, ajo i kishte njoftuar se seanca ishte anuluar.

Ndryshe në seancën e kaluar të mbajtur me 25 qershor 2020, prokurorja Dulina Hamiti kishte deklaruar se aktak,uza ndaj tre të akuzuarve ishte e mbështetur në prova dhe dëshmi të mjaftueshme, pas administrimit të të cilave do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Valmir Lleshaj, avokati Afrim Salihu kishte deklaruar se aktakuza ishte në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës pasi gjendja faktike ishte në disproporcion me realitetin dhe me provat materiale.

Ndërsa, mbrojtësja e të akuzuarës Maksimoviq, avokatja Drita Rexhepi kishte deklaruar se në aktakuzën e ngritur nga ana e prokurorisë mungonin provat, të cilat mund të dëshmonin fajësinë e të mbrojturës së saj, pasi sipas avokates mungojnë regjistrat në Gjykatës Themelore në Prishtinë – Dega në Graqanicë në të cilat shënohen të gjitha lëndët të cilat vërtetohen gjatë ditës, me të gjitha shënimet tjera të cilat mund të vërtetonin se e akuzuara Maksimoviq në mënyrë të ndershme e ka kryer obligimin e saj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 gusht 2018, Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanicë, dhe më 16 gusht 2012, kishte paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq. Paluajtshmëria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, kishin hartuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq, ashtu që të akuzuarit e kishin vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Në aktakuzë thuhet se ata e kishin vërtetuar kontratën në fjalë, me vlerë prej 9.500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas, i akuzuari Lleshaj, më 7 shtator 2012, kishte paraqitur kërkesë për bartjen e kësaj paluajtshmerisë në emër të tij, duke venë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe kishte arritur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij.

Me këtë veprime të tyre, Mehmeti dhe Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës, e ngarkon Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9500 euro mbi shitblerjen e paluajtshmerisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq.

Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, akuzohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi