Angazhimet e prokurorit dhe anëtarit të trupit gjykues shtyjnë gjykimin për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit në Ferizaj dhe të tjerëve

Ferizaj
Author

Raporton: Sabina PERGEGA        

Nëntor 29, 2019

Ferizaj – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj ish–drejtorit të Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt, Faik Grainca, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve Izet Ramadani dhe Arben Kurtishi.

Ish-drejtori Grainca po akuzohet se duke ushtruar detyrën zyrtare, nuk i kishte verifikuar nënshkrimet e një peticioni të qytetarëve, i cili kishte të bënte me Planin Zhvillimor Komunal, për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, e të cilat nënshkrime, sipas prokurorisë, kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

Shkak i dështimit të seancës së paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Ferizaj ka qenë mungesa e prokurorit Burim Çerkini dhe anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Ibrahim Idrizi.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Sahit Krasniqi për “Betimi për Drejtësi’, tha se prokurori Çerkini dhe gjykatësi Idrizi kishin qenë të angazhuar në një rast tjetër më paraburgim.

Për këtë arsye, ai tha se ishte obliguar që të shtyjë seancën e së premtes për të vazhduar me seancën e radhës me 5 dhjetor 2019, në ora 09:30.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, në fund të muajit dhjetor të vitit 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Faik Graincës, i cili po akuzohet se më 9 gusht 2017, në cilësi të drejtorit në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit, në Komunën e Ferizajt, si dhe si person përgjegjës i komisionit për shqyrtim të planit zhvillimor komunal, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i shkelur të drejtat e personave të tjerë.

Sipas aktakuzës, Grainca, duke ushtruar detyrën zyrtare në këto cilësi, nuk i ka verifikuar nënshkrimet në një peticion të qytetarëve, i cili kishte të bënte me planin zhvillimor për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, e të cilat nënshkrime kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

Tutje, në akuzë thuhet se tani i akuzuari Faik Grainca, ka qenë në dijeni se këto nënshkrime janë të falsifikuara ku si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi”, të mbetet banim kolektiv, edhe pse qytetarët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si rezultat i peticionit të falsifikuar, Kuvendi Komunal i Ferizajt kishte aprovuar planin urbanistik për rrugën në fjalë, duke i shkelur të drejtat e tani të dëmtuarve Imri e Bekim Haliti dhe Orhan Ibrahimi.

Pika 2 e aktakuzës, ndërkaq akuzon dy të pandehurit e tjerë në këtë rast Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi, për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas kësaj pike të akuzës, të pandehurit Ramadani dhe Kurtishi, gjatë muajve prill – maj të vitit 2017, në Ferizaj, kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera të Ferizajt, ashtu që të njëjtat nënshkrime ti përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8, rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv, edhe pse banorët e kësaj lagje kanë qenë për banim individual. /Betimipërdrejtësi