Anëtarja e trupit gjykues e angazhuar në KGJK, dështon gjykimi për vrasje në tentativë
Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI
Prishtinë – Në mungesë të anëtares së trupit gjykues Shpresa Hasaj-Hyseni, e cila është e angazhuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ka dështuar të mbahet seanca e së hënës, në rastin ku Ilir Shala po akuzohet për vrasje në tentativë.
Lidhur me mungesën e anëtares së trupit gjykues Hasaj-Hyseni, kryetari i trupit gjykues Alban Ajvazi ka thënë se e njëjta e ka njoftuar gjykatën se për shkak të angazhimit në KGJK nuk mund të jetë e pranishme në gjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Po ashtu në këtë seancë ka munguar edhe prokurorja e rastit Besa Limani, për të cilën gjykatësi Ajvazi ka thënë se e njëjta ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk është paraqitur në gjykim dhe mungesën nuk e ka arsyetuar.
Andaj mbi këto rrethana, gjykatësi Ajvazi seancën e ka shtyrë për 9 shtator 2022.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore 30 prill 2014, thuhet se në rrugën “Shalë”, Komuna e Lipjanit, deri sa i dëmtuari Faton Shala ka qenë duke ecur në rrugë, tani i akuzuari Ilir Shala me dashje që ta privoj nga jeta, për shkak të një zënke që kishin pasur para disa ditëve tani i akuzuari ë kishte ndjekur me veturën e tipit “Audi”.
Tutje thuhet se pasi që i dëmtuari e kishte dëgjuar zhurmën e veturës kishte ikur në trotuar, mirëpo pas kësaj tani i akuzuari kishte goditur në këmbën e djathtë, me pjesën e përparme të veturës së tij, dhe pastaj ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë”, nga neni 146 lidhur me nenin 20 të KPK-së./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.