Anëtari i trupit gjykues me probleme shëndetësore, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj drejtorit të Urbanizmit në Gjilan

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan – Për shkak të problemeve shëndetësore të antarit të trupit gjykues, gjyqtarit Veli Kryeziu, është shtyrë gjykimi për korrupsion ndaj të akuzuarit Bekim Bajrami, i cili ngarkohet se në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Gjilanit ka lëshuar leje ndërtimore në kundërshtim me dispozitat ligjore.

Në seancën e sotme kanë qenë prezent prokurori Isuf Sadiku, i akuzuari Bekim Bajrami si dhe mbrotësi i tij avokati Shemsedin Pira, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, në seancë i pranishëm ka qenë edhe dëshmitari Shkumbin Sadiku.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi i ka njoftuar palët se për shkak të pamundësisë së vazhdimisht të seancës gjyqësore, e radhës është caktuar më 6 dhjetor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 11 shkurt 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Bekim Bajramit, me arsyetimin se ai gjatë vitit 2019, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si drejtor në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, në kuadër të autorizimeve të tij ligjore, nuk ka përmbushur detyra e tij zyrtare, duke anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson Komunën e Gjilanit dhe  zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit  rregullues “Livadhet e Arapit1”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore për dy kompani ndërtimi.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari ka lëshuar lejet ndërtimore për kompaninë SH.P.K. “City  Project-3”, me pronar Fatmir Daku, në të cilën parcelë ishte përcaktuar institucion parashkollor dhe lejen ndërtimore për kompaninë SH.P.K. “Mabb Home”, me pronar Musah Bunjaku, në  të cilën parcelë ishte përcaktuar institucion shkollor, me të cilat veprime i akuzuari, i ka  mundësuar përfitime të kundërligjshme pronarëve të lartcekur, ndërsa e ka dëmtuar Komunën e Gjilanit.

Me këtë, Bekim Bajrami po akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni  414, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3, nënparagrafi 3.2 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej një deri në tetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë