Anëtari i trupit gjykues me angazhime në KGJK, anulohet seanca për korrupsion ndaj zyrtarëve të KRU “Prishtina” dhe pronarit të “KWE”

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë – Për shkak të angazhimit së anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Naser Foniqi, në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), është anuluar të hënën seanca për korrupsion.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen Selatin Retkoceri, ish-ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Remzi Llumnica, ish-ushtrues i detyrës së Zyrtarit Kryesor Financiar (ZKF) në KRU “Prishtina”, Sabri Maliqi, menaxher për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës dhe Fidan Pacolli, pronar i kompanisë “Kosova Water & Energy”.

Anulimin e seancës, e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 1 nëntor 2019, Selatin Retkoceri, Fidan Pacolli, Sabri Maliqi dhe Remzi Llumnica akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Retkoceri akuzohet se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal (KRU) “Prishtina”, bashkë me të pandehurin Remzi Llumnica, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së zyrtarit kryesor financiar në këtë kompani, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Sipas aktakuzës, të njëjtit duke shfrytëzuar pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, me qëllim që kompanisë “Cahani” SHPK, t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm pasuror.

Tutje, aktakuza thekson se i pandehuri Selatin Retkoceri kishte angazhuar jashtë procedurave të parapara me ligj kompaninë “Cahani” SHPK, për bartjen e 250 paneleve të betonit të dhuruara gratis nga UNMIK-u, në çmimin prej 9 mijë e 999 euro.

Ndërsa, Remzi Llumnica thuhet se kishte pranuar dhe proceduar për pagesë faturën në vlerë prej 9 mijë e 997 euro e 55 centë, e cila pastaj është kundërshtuar nga menaxheri i Departamentit të Kontabilitetit Thesar në KRU “Prishtina”.

Me këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit e lartcekur i kanë shkaktuar dëm të dëmtuarës Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Sabri Maliqi, në pozitën e menaxherit për mbikëqyrjen e realizimit të kontratës në KRU “Prishtina”, ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij në atë mënyrë që gjatë implementimit të kontratës, të lidhur në mes të KRU “Prishtina” dhe operatorit ekonomik Kosova Water & Energji, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015 faturat në sasi të përgjithshme prej 1 mijë e 350 copë gjysmë lidhëse të plastikës në vend që të paguhen sipas kontratës 0.60 centë për copë, janë paguar me çmim të gjysmë lidhëse 3/4 të mesingut apo metalike me çmim 2.39 centë për copë, me ç‘rast i ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik KWE rreth 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”.

I pandehuri Fidan Pacolli, në cilësinë e agjentit të shitjes dhe menaxher i depos në kompaninë KWE, gjatë implementimit të kontratës së lidhur në mes të kësaj kompanie dhe KRU “Prishtina”, prej 11 korrikut 2013 deri më 6 maj 2015, i ka dorëzuar faturat për pagesë në këtë kompani, në atë shumë, me ç’rast i është bërë pagesa nga KRU “Prishtina”, duke i sjellë kështu kompanisë KWE, përfitim të kundërligjshëm në shumë prej 2 mijë e 500 euro, ndërsa i ka shkaktuar dëm buxhetit të KRU “Prishtina”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë