Anëtari i OSHP-së mohon se keqpërdori detyrën në rastin e tenderit të FSK-së

IMG-2445
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 9, 2018

Prishtinë – Anëtari i OSHP-së, Tefik Sylejmani i cili së bashku me Ekrem Salihun, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, në lidhje me tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ka mohuar të këtë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Sylejmani tha se lidhur me ketë tender kishte vepruar konform dispozitave ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

“Mendoj se kam vendos konform dispozitave të LPP-së, nenit 105, 106, 1 dhe 6 , dhe për të cilat nuk dyshoj. Me këtë aktakuzë të ngritur ndaj meje unë kam përfituar shkatërrim profesional, në vlugun më të madh të jetës sime profesionale. Unë kam dashur që ta ruaj paranë publike që shtetit ti kursej 853 mijë euro, por nuk kam arritur”.

Sylejmani duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Hekuran Haxhimusa, tha se që nga viti 2008 ishte anëtar OSHP-së, i zgjedhur me propozim nga ana e qeverisë, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke plotësuar të gjitha kriteret  dhe kushtet për emërimin e një gjyqtari.

Ai tha se kishte qenë pjesë e panelit shqyrtues me rastin e vendosjes ndaj një ankesës së operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, me tenderin për furnizim, përgatitje, shërbim dhe ushqim në kuzhinat e FSK-së, i caktuar nga kryetari i OSHP-së, Hysni Hoxha, dhe se ky panel kishte qenë i përbërë  prej tij, Hysni Hoxha dhe i akuzuari Salihu.

Lidhur me ankesën e kësaj kompanie, ai tha se ishte mbajtur seancë dëgjimore pranë OSHP-së, ku sipas tij, kishin marrë pjesë të gjitha palët e interesuara që kishin qenë të përfshira në këtë aktivitet të prokurimit si: autoriteti kontraktues, eksperti shqyrtues i prokurimit Visar Gashi, operatori ekonomik ankues, procesmbajtësi dhe paneli shqyrtues.

Sipas Sylejmanit, ishte dhënë një ekspertizë nga eksperti Gashi, dhe në të njëjtën kohë kishin pasur një kundërshtim nga ana e operatorit ekonomik ankues, “Florenti&Korabi Company”, të cilët në afatin ligjor, kishin kundërshtuar raportin e ekspertizës dhe kishin kërkuar që të mbahet seancë dëgjimore, për sqarim lidhur me këto çështje.

Ai tha se gjatë mbajtjes së seancës, ky operator ekonomik kishte sjellë prova të reja në seancë, duke e kundërshtuar raportin e ekspertit shqyrtues se nuk kishte trajtuar të gjitha pretendimet ankimore, duke e kundërshtuar edhe dosjen e tenderit, pasi sipas tyre, kjo dosje kishte qenë e përgatitur në kundërshtim me dispozitat e LPP-së.

Ai tha se kriteri i dhënies së këtij tenderi, kishte qenë çmimi më i ulët prej operatorëve të përgjegjshëm, dhe se diferenca mes operatorit ekonomik ankues, “Florenti&Korabi Company”, dhe operatorit që ishte rekomanduar si fitues nga autoriteti kontraktues kishte qenë  853.000 euro.

“Ne si panel, kemi votuar sipas bindjes tonë të lirë dhe duke marrë parasysh interesin e përgjithshëm dhe publik, ashtu siç na autorizon ligji, në pajtim me dispozitat e nenit 1, 6 dhe 104 të LPP-së, dhe vota ime ka qenë që ankesa e operatorit ekonomik të aprovohet pjesërisht si e bazuar, ndërsa të anulohet aktiviteti i prokurimit dhe lënda të kthehet në ritender”, tha i akuzuari Sylejmani.

Sylejmani tha se pas dorëheqjes së kryetarit Hysni Hoxha më 15 janar 2016, funksionet e tij ishte dashur ti kryejë anëtari më i vjetër, prandaj sipas tij, pasi ai kishte qenë më i vjetri, për një periudhë dy mujore kishte ushtruar funksionin  e kryetarit të OSHP-së, por tha se nuk kishin marrë asnjë vendim në lidhje me shqyrtimin e ankesave.

“Ne kemi qenë në një situatë kur kemi mbetur veq un e Ekremi, dikush është dashur ti kryejë funksionet e kryetarit të OSHP-së. Sipas  nenit 102.3 të LPP-së, në rast se kryetari mungon për shkaqe shëndetësore apo shkaqe tjera, kompetencat dhe funksionet e tij ushtrohen nga anëtari më i vjetër i OSHP-së, dhe në këtë rast unë kam qëlluar si më i vjetri. Mirëpo nuk kam pasur kompetencë të vendosjes së ankesave, pasi këtë nuk e lejon as ligji e as rregullorja e brendshme e punës së OSHP-së”, tha ai.

Ai tha se pas propozimit për anulimin e aktiviteti të prokurimit publik, Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK), e kishte anuluar këtë aktivitet përmes njoftimit në ueb faqe së KRRPP-së, dhe se në këtë njoftim ishte lënë mundësia që kundër këtij njoftimi palët mund ti drejtoheshin me ankesë OSHP-së.

“Kur është anuluar aktiviteti i prokurimit herën e parë, njoftimin për anulim e ka bërë autoriteti kontraktues dhe ka respektuar vendimin tonë e ka bërë anulimin e atij aktiviteti dhe ka bërë njoftimin në KRRPP. Këshilla juridike e vendimit të panelit shqyrtues ka qenë palët e pakënaqur mund ti drejtohen gjykatës kompetente për kompensim demi, operatori ekonomik “Beni Dona”, ka parashtruar ankesë në OSHP e cila nuk është dashur të shqyrtohet sepse nuk ka dy shkallshmeri në OSHP”, tha i akuzuari.

Sipas tij, pas ankesës kundër këtij njoftimi për anulim në OSHP, ishte mbajtur një seancë me 5 anëtarë dhe se paneli pas vendosjes për herë të dytë, kishte shpërblyer me kontratë operatorin ekonomik “Beni Dona”.

Ndryshe, në këtë seancë pasi shumica nga pyetjet e prokurorit Ibrahim Berisha, drejtuar të akuzuarit Sylejmani janë kundërshtuar nga mbrojtësi i tij, avokati Haxhimusa, prokurori Berisha ka kërkuar nga gjykata që të njëjtin ta dënojë me gjobë, pasi sipas tij, ai po e pengonte.

Mirëpo një kërkesë të tillë, nuk e ka marrë për bazë kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj e cila caktoi seancën e radhës me 17 tetor 2018, në ora 13:15, në të cilët pritet të jap mbrojtjen i akuzuari i dytë në këtë rast Ekrem Salihu.

Sipas aktakuzës, Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu, duke shfrytëzuar pozitën e tyre si anëtarë të OSHP-së, nga viti 2015 e deri më 19 maj 2016, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare dhe kanë tejkaluar kompetencat e tyre, duke vepruar në dëm të autoritetit kontraktues “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, që kishte shpallur tenderin “Furnizim, përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK)-Loti 1”.

Për këtë tender kishin aplikuar operatorët ekonomikë N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa” dhe “Ciani Trading Servis”, SH.P.K “Beni Dona”, Plus dhe NPT. “Florenti dhe Korabi”.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit në kundërshtim me ligjin e kanë aprovuar ankesën operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company”, për tenderin “Furnizim përgatitje dhe sigurim të ushqimit në kuzhinat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) de MFSK-së-Loti 1”, dhe si pasojë kanë anuluar operatorët ekonomikë si të papërgjegjshëm.

Sipas prokurorisë, ka pasur më tepër se dy operatorë ekonomikë të përgjegjshëm të cilët me dokumentacion të kompletuar kanë marrë pjesë në tenderin e FSK-së dhe MFSK-së, por të akuzuarit e kanë kthyer tenderin në rivlerësim dhe e kanë shpallur të pavlefshëm.

Këtë vendim mbi aprovimin e ankesës së operatorit ekonomik “Beni Dona”, prokuroria pretendon se të akuzuarit, e kanë bërë duke votuar pa kuorum, me vetëm dy anëtarë.

Në bazë të aktakuzës, me këtë vendim, Tefik Sylejmani është caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, dhe në të ka nënshkruar vet Sylejmani, e po ashtu edhe i akuzuari tjetër Ekrem Salihu.

Me anë të këtyre veprimeve, të akuzuarit pretendohet se i kanë sjellë dëm të konsiderueshëm material FSK-së dhe MFSK-së, të cilët më pas është dashur që të veprojnë në mënyrë emergjente për furnizimin me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së.