ALBAN RUSHITI DËSHMON NË RASTIN KEK2 NDAJ SAMI LUSHTAKUT DHE TË TJERËVE

Raporton: Erlina TAFA

Prishtinë- Ditën e mërkurë në objektin e Gjykatës Themelore në Prishtinë u zhvillua edhe një seancë tjetër gjyqësore në rastin e njohur “KEK2”, përkatësisht në rastin e tenderit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ndaj Sami Lushtakut dhe gjashtë të tjerëve për ‘’keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumeteve”. Përgjatë kësaj seance u morr në pyetje Alban Rushiti, i cili është i punësuar në “Security Code”.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, në lidhje me tenderin e KEK-ut përfshihen Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku dhe Drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar tjerë. Sipas prokurorisë, këta shtatë persona, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut, ku i akuzuari Sami Lushtaku akuzohet për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha për veprën penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’’, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku për veprat penale të ’mashtrimit’ dhe ‘’falsifikimit të dokumenteve’’ në bashkëkryerje’, Driton Pruthi për veprat penale ‘keqpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit’ dhe lidhja e kontratës së dëmshme dhe Azem Duraku për veprën penale ‘’shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit’’.

Në pyetjet e parashtruara nga ana e Prokurorit Special Paul Flynn, Rushiti deklaroi që përgjatë periudhës nëntor 2012- janar 2013 ka punuar në KEK, kurse që nga muaji janar i vitit 2013 është duke punuar si menaxher regjional për Ferizajn në kompaninë “Security Code”. Ai shpjegoi se aplikimin për punë në “Security Code” e kishte bërë në janar të vitit 2012 kur dhe ishte ftuar për intervistë. Ndërkaq, prokurori Flynn shpalosi para trupit gjykues kontratën e punës të nënshkruar mes Rushiti dhe “Security Code” ku thuhej se periudha e punësimit ka konsistuar nga muaji tetor i vitit 2012 e deri në tetor të vitit 2014, pra ka inkorporuar dhe disa muaj të kohës kur Rushiti ka punuar për KEK-un.

“Kontrata praktikisht ka hyrë në fuqi kur “Security Code” filloi të punojë për KEK, pra në janar 2013”, deklaroi dëshmitari.

Më tej, prokurori Flynn ballafaqoi dëshmitarin me një deklaratë ku thuhej se ai do të punonte ekskluzivisht për “Security Code”, megjithatë Rushiti tha se nuk i kujtohet të ketë nënshkruar një deklaratë të tillë dhe se nënshkrimi në dokumentin përkatës nuk është i tij. Rushiti tha se ai ia kishte dhënë me vullnet të lirë “Security Code”-it dokumentet e kualifikimeve të tij për aplikim në tenderin e KEK-ut pa u presionuar dhe kjo nënkupton se “Security Code” ka pasur autorizim të veproj në emrin e tij për tender andaj nuk është i shqetësuar nëse dikush e ka nënshkruar atë deklaratë në emër të tij.

Seanca e radhës u caktua për të premten (15 prill 2016) ku do të vazhdohet me dëshmitarë të rinj.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë