Akuzohet se nuk i dorëzoi të hyrat nga taksat komunale, burg efektiv ndaj ish-drejtorit në Kllokot

85113012_191506918888197_8837789565444947968_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 10, 2020

Gjilan – Ish-drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikola Nojkiq, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, është dënuar me tetë muaj burgim efektiv, nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Sipas aktgjykimit të shpallur, të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri, i akuzuari është obliguar që të dëmtuarës, Komuna e Kllokotit, t’ia paguajë shumën prej 10,390.50 euro.

I akuzuari Nojkiq, po ashtu është obliguar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor prej 50 euro, si dhe 50 euro për kompensimin e viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai është obliguar në shpenzimet e procedurës, përkatësisht për super-ekspertizë në vlerë prej 439 euro t’i paguajë brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndaj këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Haziri, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të përpiluar më 22 qershor 2018, Nikola Nojkiq akuzohet se nga gushti 2015 e deri maj 2016, në cilësinë e drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, me dashje, nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, këtë e ka bërë në atë mënyrë që pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviq, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithmonë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i ka transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Në këtë mënyrë, prokuroria pretendon se i akuzuari ka përfituar për vete, ndërsa Komunës së Kllokotit i ka shkaktuar dëm në shumën e lartcekur. /BetimipërDrejtësi