Akuzohet se nuk e deklaroi me kohë pasurinë, shtyhet gjykimi ndaj ish-drejtoreshës së Urbanizmit në Kamenicë

86973720_826041701245437_1396075198259658752_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Shkurt 18, 2020

Kamenicë – Ka dështuar të mbahet seanca në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, ndaj ish-drejtoreshës së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Kamenicës, Arta Gashi, e akuzuar për mos raportim të pasurisë.

Si arsye e mos mbajtjes së këtij shqyrtimi fillestar, ishte mungesa e të akuzuarës Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Valbonë Dërvodeli, ka njoftuar se në bazë të fletëkthesës, adresa e të akuzuarës Gashi është jo e plotë.

Seancën tjetër për këtë rast, gjykatësja Dërvodeli e ka caktuar të mbahet më 3 mars 2020, në ora 10:00.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 qershor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Arta Gashi, me arsyetimin se ajo pas kalimit të afatit ligjor për deklarimin e pasurisë e deri në lirimin nga funksioni me vendim të 1 marsit 2019, e vërtetuar më 4 mars 2019, në cilësinë e zyrtares së lartë publike, drejtoreshë e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Kamenicës, duke qenë e detyruar me ligj të bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2018 e deri në lirimin nga funksioni, e njëjta edhe pse ka qenë e informuar për këtë obligim, nuk e ka bërë një gjë të tillë në afatin ligjor, ndërkaq deklarimin e pasurisë e bënë më 10 prill 2019, pas kalimit të afatit.

Me këtë, Arta Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi